AKTUALITET, 30 Janar 2025, 16:26

65-vjeçari hyri me shishe benzine në shërbimin e dializës, kërcënoi dhe policinë. Zbardhet shkaku i konfliktit në Korçë

65-vjeçari hyri me shishe benzine në shërbimin e dializës,

Një ngjarje e rëndë u regjistrua paraditen e sotme në Korçë ku një pacient i identifikuar si Kujtim Mero hyri në shërbimin e dializës dhe kërcënoi me një bidon benzinë se do t’i vinte flakën vetes dhe repartit.

Kujtim Mero, 65 vjeç është problematik dhe herë pas here ka pasur konflikte me stafin mjekësor. Paraditen e sotme 65-vjeçari ka nisur të konfliktohet me stafin mjekësor dhe më pas ka nxjerrë shishen e benzinës duke kërcënuar se do të digjte veten dhe repartin mjekësor. Në ato momente stafi mjekësor bëri të mundur komunikim me policinë e cila mbërriti menjëherë në vendngjarje.

Mero kërcënoi dhe policinë, ku kjo e fundit bëri ndërhyrje të menjëhershme dhe shoqëroi 65-vjeçarin për në ambientet e komisariatit të policisë Korçë. Burime nga qendra e hemodializës bëjnë të ditur se Kujtim Mero nisi konfliktin me stafin mjekësor pasi kërkoi të ulej në një tjetër pajisje për të filluar me procedurën.