TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Mark Nika, xhaxhai i Aleks Nikës ka folur për mediat pas takimit që mbajti këtë të martë me kreun e SPAK, Klodian Braho në lidhje me çështjen e 21 Janarit.
Ai e cilësoi hetimin si të “përciptë”, duke shtuar se kanë paraqitur vërejtjet e tyre. Sipas tij, është e papranueshme që kanë kaluar 15 vite dhe ende nuk është mbyllur çështja.
“Ne na duket se procesi po zvarritet. SPAK thotë po punojmë, këtu tha edhe kryeprokurori. Ne po presim, e kanë ata në dorë se si do të vijojë. Kemi hyrë në vitin e 16 që çështja është në sirtarët e drejtësisë. Hetimi duhet të jetë më i shpejtë, duhet të thirren persona që kanë dijeni për ngjarjen, duke nisur nga punonjësit e Gardës dhe jo vetëm.
Krimi është shumë I rëndë, ne do ta ndjekim deri në zbardhjen e çështjes. Ish Sekretarin e Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave dhe jo vetëm , nuk janë thirrur. Çështjen e lidhin shumë me parashkrimin. Kaseta është për riekspertim. Më duket se ende nuk është dërguar për ekspertim. Isha unë që kërkova takim me zotin Braho sepse nuk na zë vendi”, tha ai.
“Nuk ka asnjë person në akuzë. SPAK thotë po punojmë. Po presim tani ata e kanë në orë se si do të shkojë hetimi, ne kemi pretendimet tona. Vërejtja jonë është se hetimi duhet të jetë më shpejt, të gjithë personat që kanë dijeni nuk janë thirrur, duke filluar edhe përmes kryeministrisë në atë kohë, gardës.
Është krim i rëndë, do e ndjekim në vazhdimësi derisa të zbulohet e vërteta. Ne kemi kërkuar psh ish sekretarin e këshillit të ministrave, punonjësit e serverëve të IT, nuk janë thirrur se di pse thonë se janë të panevojshme. Hetimi është i përciptë për mua, 15 vjet janë shumë. Ne do të marrim të gjitha masat që çështja të zbardhet. Kaseta është për riekspertim, akoma s’e kanë dërguar më duket.
Kërkova unë që të takohem me zotin Braho. Nuk na zë vendi kur presim. Kjo çështje duhet të ishte përfunduar, është e papranueshme, sepse të gjithë shqiptarët pyesin se përse nuk shkojnë para gjyqësit vrasësit. Aty dallohen vrasësit nga organizimi i protestës. Përgjegjës është shteti. Nuk e bën organizimin për të shkuar për t’u vrarë”, tha ai.
Procedimi penal u regjistrua më 15 korrik 2024, pas një vendimi të Gjykatës së Lartë dhe në zbatim të vendimit përfundimtar të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, e cila më 14 nëntor 2023 konstatoi shkelje të rënda nga shteti shqiptar dhe kërkoi të hetojë, identifikojë e ndëshkojë zinxhirin komandues që urdhëruan vrasjen e Aleks Nikës dhe tre protestuesve të tjerë, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj.
Që nga nisja e hetimeve, SPAK ka marrë në pyetje një sërë ish-zyrtarësh të lartë të shtetit që ishin në detyrë në kohën e ngjarjes. Para prokurorëve janë paraqitur ish-kryeministri Sali Berisha, i cili nuk ka shfaqur asnjë shenjë pendese, ish-presidenti Bamir Topi, ish-ministri i Brendshëm Lulzim Basha, si dhe ish-presidenti Ilir Meta, i cili është marrë në pyetje me kërkesë të tij.
Një nga provat e reja kyçe në hetim është një audio-regjistrim rreth 34 minuta, dorëzuar nga familja e Aleks Nikës, ku dëgjohen komunikime radio të zinxhirit komandues të Gardës së Republikës gjatë momenteve kritike të protestës. Në regjistrim, sipas burimeve, dëgjohet ish-komandanti i Gardës, Ndrea Prendi, duke dhënë urdhër për përdorimin e plumbave të vërtetë, dhe jo municion manovër, ndaj protestuesve.