AKTUALITET, 21 Janar 2025, 14:06

“21 Janari”, Klosi: Dëmtimi i provave ishte shumë i rëndë, shpresoj që e vërteta do të dalë në dritë

“21 Janari”, Klosi: Dëmtimi i provave ishte shumë i

Ish-shefi i Shërbimit Informativ Kombëtar të Shqipërisë (SHIK), Fatos Klosi, e ka konsideruar një akt të rëndë fshirjen e provave të “21 Janarit”.

Ai u shpreh se gjithçka është e qartë pasi televizionet e kanë filmuar atë moment. Sakaq, Klosi shpreson që e vërteta do të dalë në dritë, pasi ngjarjen e njohin më shumë se 10 persona dhe hetimet po vijojnë.

“Unë nuk jam jurist të them si lidhen problemet me njëra-tjetrën. Por dëgjova akuzat dhe një gjë është e mirë për këtë ngjarje që të gjitha televizionet e kanë regjistruar këtë ngjarje. Duket qartë që është dhënë me urdhër, momenti kur njerëzit rrëzohen. Logjikisht, mua s’më duhen prova, e di që prokurorisë i duhen dhe gjykatës, por kjo është detyra e tyre. Prandaj edhe është prokurori speciale. Ata që qëlluan janë njerëz të rëndësishëm të gardës, është diçka që dihet. Provat mund të jenë eliminuar, por ka dhe nga ato që duhet të merren, në pyetje.

Kjo ishte një protestë e lajmëruar, me leje. Është e qartë që serveri i kryeministrisë i ka filmuar, prandaj prishja e tyre ishte shumë e rëndë. Sigurisht, që kam shpresa. Ngjarjen e njohin më shumë se 10 vetë. Kështu që kam shpresën që do dalë”, tha ai.