TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Viti 2023 nuk bëri përjashtim nga vitet e kaluara sa i përket administrimit të investimeve publike buxhetore.
Zëri më produktiv i arkës së shtetit vuan nga mosrealizimi i lartë i planit dhe përqendrim i alokimeve në dy muajt e fundit të vitit.
Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave tregojnë se gjashtë muajit dhjetor 2023 u paguan 430 milionë euro në zërin “investimet publike”. Kjo shumë ishte sa 38% e fondit vjetor të investimeve publike prej 118 miliardë lekësh (1,1 mld eurosh) që u realizua gjatë vitit të kaluar.
Zëri i investimeve mbeti gjithashtu i parealizuar edhe në raport me planin. Nga 135 miliardë lekë të planifikuara për tu investuar më 2023 u realizuan 118 miliardë lekë ose 12% më pak se plani.
Siç shihet edhe nga grafiku i mëposhtëm pagesat e investimeve qëndrojnë në nivele shumë të ulëta gjatë 10 muajve janar-tetor, teksa pagesat intensifikohen vetëm ne dy muajt e fundit të vitit.
Në gjashtë muajt e parë të vitit 2023 qeveria ka paguar vetëm 36 miliardë lekë ose 30% e fondit vjetor, ndërsa në muajt nëntor dhe dhjetor disbursoi 64,2 miliardë lekë ose 54% të totalit të alokuar.
Investimet buxhetore janë zëri më produktiv në buxhet, pasi nëpërmjet tyre qeveria rrit vlerën e shtuar në ekonomi duke përmirësuar infrastrukturën në rrugë, ujësjellës, linjat e energjisë etj, por përqendrimi i tyre në dy muajt e fundit ngre shqetësimet për eficencën e përdorimit të fondeve.
Vitin e kaluar Drejtoria e Auditimit në Ministrinë e Financave kërkoi që institucionet duhet të fokusohen në marrjen e masave për realizimin e këtij treguesi pasi mungesa e injektimit të likuiditetit në ekonomi ndikon ndjeshëm në sigurimin e mirëqenies në vend, në mosstimulimin e rritjes ekonomike, në hapjen e vendeve të reja të punës apo të ardhurat nga tatimet e taksat.
Që kur Drejtoria e Përgjithshme e Harmonizimit të Kontrollit të Brendshëm Financiar Publik ka nisur të prodhojë raporte, realizimi i programit të investimeve ka marrë vlerësime shumë të dobëta.
Fondi i investimeve publike në dy vitet e fundit ishte rreth 1 miliard euro për secilin vit, por prej mosrealizimit të lartë dhe copëzimit në kontrata me kosto të lartë nuk ka produkte të dukshme për qytetarët.
Edhe në vitin 2022, fondet për investimet kapitale u realizuan në 112 miliardë lekë nga të cilat 49 miliardë lekë u disbursuan gjatë muajit dhjetor 44% e fondit total./Monitor