TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Bizneset rikuperuan shpejt fitimet në vitin 2021, pas rënies që u shënua gjatë pandemisë në 2020-n. Por viti 2022 ka sjellë vështirësi të reja, që nga rritja e kostove në gjithë zinxhirin nga lëndët e para te produkti final, shtrenjtimi i energjisë për sipërmarrjet që e blejnë në tregun e lirë e deri te problematikat që po sjell mungesa e fuqisë punëtore. Ndërtimi dhe koncesionet mbeten ndër sipërmarrjet me norma më të larta fitimi në vend, duke fryrë një model ekonomik, i cili premton pak për të ardhmen. Industria përpunuese, në mbijetesë nga shtrenjtimi i lëndëve të para dhe energjia, ndërsa produktiviteti mbetet i ulët.
Çdo kompani, në mënyrë të natyrshme, kërkon që të rrisë fitimin. Ka ende shumë debate në teoritë moderne ekonomike, nëse maksimizimi i fitimit, apo kënaqësia e klientëve dhe personelit duhet të jetë qëllimi kryesor i kompanisë, si përcaktues të suksesit të ndërmarrjes, ndonëse këto të fundit sërish janë në funksion të rritjes së performancës.
Rendja pas fitimeve është mbizotëruese në çdo ekonomi, por në Shqipëri duket se shkelet gjithçka, mjafton që të arrihet ky objektiv, ndërsa në vendet e zhvilluara, me treg funksional e konkurrues, ambienti nuk ta lejon këtë, pasi parimet e shoqërisë konsiderohen më të rëndësishme se fitimet e një kompanie.
Ndërtimi dhe koncesionet (këto të fundit të ndara në bazë klienteliste) janë sektorët më të preferuar për investitorët. Sidomos ndërtimi po tërheq vitet e fundit kapitalet e lira të sipërmarrjeve, i nxitur nga normat e larta të fitimit, të fryra edhe nga hyrja e parave informale në ekonomi.
Si çdo vit, Revista publikon renditjen e “Monitor 200”, sipas fitimeve, pas asaj të “200 më të mëdhenjve”, sipas të ardhurave, që bazohen në listën e marrë nga Tatimet dhe bilancet e depozituara në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB).
Për herë të parë, gati 20% e subjekteve në renditjen e “Monitor 200”, sipas fitimeve, janë nga sektori i ndërtimeve industriale e rezidenciale, apo të lidhura me të.
Tendenca ishte e ngjashme dhe në renditjen tjetër, atë sipas të ardhurave, të publikuara pak javë më parë nga “Monitor”, ku gati 15% janë të lidhura me ndërtimin. Normat e fitimit arrijnë deri në 40% për sipërmarrjet rezidenciale (në varësi dhe të ciklit të shitjeve) dhe rreth 20-25% për subjektet me fokus në ndërtimet industriale.
Bizneset “dembele”, me fitime të garantuara nga marrja e një koncesioni në ofrimin e shërbimeve ekskluzive, ku riskun financiar e ka marrë përsipër shteti, mbeten një tjetër segment që ka ndër normat më të larta të fitimit në vend, që i kalojnë edhe 50%.
Edhe në renditjen e 200 kompanive më të mëdha për vitin 2021, gati 10% e sipërmarrjeve janë koncesione të dhëna gjatë 20 viteve të fundit, pa ndonjë ndryshim nga dy vitet e mëparshme.
Ndonëse prej vitesh po debatohet për nevojën e një modeli të ri ekonomik, ekonomia po ecën në mënyrë të çorientuar, e udhëhequr vetëm nga fitimet. Qeveria, që duhet të ishte timonierja në rrugën drejt modelit të ri të qëndrueshëm ekonomik, ka marrë kthesën e kundërt.
Gjatë këtyre viteve, bizneset më të promovuara janë koncesionarët me të ardhura dhe fitime të garantuara dhe shpesh abuzuese (inceneratorët, sterilizimi, etj., janë tashmë në hetim për procedurat e ndjekura në dhënien e tyre).
Me vetëdije është nxitur sektori i ndërtimit, i cili jo vetëm nuk sjell rritje të qëndrueshme, por në përmasat që po merr, rrezikon dhe një flluskë në të ardhmen, me pasoja të rënda zinxhir në ekonomi, sidomos pas ciklit në rritje të interesave.
Industria përpunuese, ndërkohë, thuajse po “zhduket” nga lista, duke qenë më e goditura nga rritja e kostove në gjithë zinxhirin nga lëndët e para te produkti final, çka po e bën gjithnjë e më pak konkurruese përballë importeve në rritje.
Sipërmarrjet e industrisë përpunuese rezultojnë me fitime minimale dhe nivel të ulët të qarkullimit vjetor, duke mbetur të vogla dhe pa investime domethënëse. Edhe ato sipërmarrje të reja që kanë elemente të industrisë e të teknologjisë, janë më shumë nisma sporadike të lidhura me individë nga diaspora dhe me përvojë direkte apo lidhje biznesi të tyre.
Industria minerare vijon të zvarritet pa asnjë perspektivë, mes morisë së koncesioneve minerare, të dhëna pa asnjë koncept investimi serioz e në investitorë pa burimet e nevojshme që kërkon kjo industri, duke qenë thjesht në rolin e sekserit te një investitor potencial i huaj i sektorit.
Më pak fitime, do të thotë më pak investime, që në afat të mesëm e shtyn ekonominë në një rreth vicioz të mungesës së produktivitetit, ndërsa konkurrenca nga jashtë sa vjen e shtohet, edhe për shkak të hapjes së tregjeve.
Këtyre u shtohen dhe rritja e ndjeshme e kostove, që nisi në vitin 2021 dhe u përkeqësua në vitin 2022. Shoqatat e Industrialistëve ankohen se në horizont nuk ka asnjë politikë për të orientuar ekonominë në sektorët që kanë vlerë të shtuar dhe potencial për të ardhmen e qëndrueshme të vendit.
Në skenë kanë dalë sërish kazinotë, pas lejimit të tyre në hotelet e markës, dhe pritet që të rilulëzojnë lojërat e fatit, teksa buxheti parashikon që të arkëtojë 2 miliardë lekë taksa në vitin 2023, si rrjedhojë e rilejimit të këtij aktiviteti online.
Me vetëdije është nxitur sektori i ndërtimit, i cili jo vetëm nuk sjell rritje të qëndrueshme, por në përmasat që po merr, rrezikon dhe një flluskë në të ardhmen, me pasoja të rënda zinxhir në ekonomi, sidomos pas ciklit në rritje të interesave.
Industria përpunuese, ndërkohë, thuajse po “zhduket” nga lista, duke qenë më e goditura nga rritja e kostove në gjithë zinxhirin nga lëndët e para te produkti final, çka po e bën gjithnjë e më pak konkurruese përballë importeve në rritje.
Sipërmarrjet e industrisë përpunuese rezultojnë me fitime minimale dhe nivel të ulët të qarkullimit vjetor, duke mbetur të vogla dhe pa investime domethënëse. Edhe ato sipërmarrje të reja që kanë elemente të industrisë e të teknologjisë, janë më shumë nisma sporadike të lidhura me individë nga diaspora dhe me përvojë direkte apo lidhje biznesi të tyre.
Industria minerare vijon të zvarritet pa asnjë perspektivë, mes morisë së koncesioneve minerare, të dhëna pa asnjë koncept investimi serioz e në investitorë pa burimet e nevojshme që kërkon kjo industri, duke qenë thjesht në rolin e sekserit te një investitor potencial i huaj i sektorit.
Më pak fitime, do të thotë më pak investime, që në afat të mesëm e shtyn ekonominë në një rreth vicioz të mungesës së produktivitetit, ndërsa konkurrenca nga jashtë sa vjen e shtohet, edhe për shkak të hapjes së tregjeve.
Këtyre u shtohen dhe rritja e ndjeshme e kostove, që nisi në vitin 2021 dhe u përkeqësua në vitin 2022. Shoqatat e Industrialistëve ankohen se në horizont nuk ka asnjë politikë për të orientuar ekonominë në sektorët që kanë vlerë të shtuar dhe potencial për të ardhmen e qëndrueshme të vendit.
Në skenë kanë dalë sërish kazinotë, pas lejimit të tyre në hotelet e markës, dhe pritet që të rilulëzojnë lojërat e fatit, teksa buxheti parashikon që të arkëtojë 2 miliardë lekë taksa në vitin 2023, si rrjedhojë e rilejimit të këtij aktiviteti online.
Bankat shënuan një vit të mirë, pasi pandemia i goditi më pak se sa pritej. Fitimet u rritën në vitin 2021 dhe normat e vitit mbetën të qëndrueshme, si një element sigurie për një fazë të paqartë, në të cilën po hyn ekonomia në vijim të rritjes së inflacionit e të luhatshmërive, që krijon një ambient me interesa të larta në tregun financiar, ndryshe nga një erë e interesave të ulëta që filloi në vitin 2001.
Në tregun financiar, sigurimet mbeten me norma të ulëta njëshifrore në fitime, si rrjedhojë e nivelit të ulët të primeve për frymë dhe në mungesë të një trendi për ndryshime në këtë aspekt.
Kujdesi për shëndetin vijoi të ishte një biznes i mirë, me pandeminë që ishte aktive në gjysmën e parë të vitit, sidomos për laboratorët, që arritën norma fitimi deri në 65%, duke u renditur ndër 15 më të mëdhenjtë .
Fiskalizimi nxiti biznesin e pajisjeve dhe zgjidhjeve softuerë, me tre subjekte që janë këtë vit në listën e subjekteve më të mëdhenj në renditjen e fitimeve të realizuara.
Në të kundërt nga 2020-a, kur pandemia i dha hov zhvillimit të teknologjisë së informacionit, me shumë sipërmarrje nga kjo fushë që hynë te më fitimprurëset në vend, shansi nuk duket se është shfrytëzuar për një zhvillim më afatgjatë.
Tregtimi i hidrokarbureve mbetet sektori më pak fitimprurës në ekonomi, ndonëse ka qarkullim të lartë të parave, me norma që janë shpesh dhe më pak se 1%, me përkeqësim në krahasim me një vit më parë.
Normat e fitimit mbeten të ulëta dhe për distributorët e mëdhenj të produkteve që lëvizin shpejt nga rafti.
Fitimi total për 200 kompanitë më të mëdha, në vitin 2021 ishte 117 miliardë lekë (rreth 1 miliard euro), me një rritje prej 40% në krahasim me fitimin e realizuar nga subjektet e listës së njëjtë të vitit të mëparshëm, kur sipërmarrjet vuajtën pasojat e pandemisë, me uljen e konsumit që e shoqëroi, dhe mbylljes disamujore të vendit.
Ashtu si dhe me të ardhurat, kompanitë e morën veten me shpejtësi nga viti i vështirë i 2020-s. Vetëm 8% e sipërmarrjeve kishin rënie të fitimeve në vlerë, sipas të dhënave të përpunuara nga “Monitor”, bazuar në listën e Tatimeve për 200 kompanitë me fitime më të mëdha dhe Qendrës Kombëtare të Biznesit nga ku u morën bilancet përkatëse.
Ndonëse fitimet u rritën në vlerë, gati 30% e sipërmarrjeve shënuan rënie të normave të fitimit (fitimi para taksave/të ardhura), në një tregues që kostot janë rritur me ritme më të shpejta sesa të ardhurat, të ndikuara nga problemet që u shkaktuan në zinxhirin e prodhimit e furnizimit, si rrjedhojë e pasojave që la pandemia.
Viti 2022 pritet të ulë fitimet, sidomos për industrinë
Që në vitin 2021, industria, por dhe sektorët e tjerë, si tregtia e shërbimet, filluan të ndiejnë pasojat e rritjes së kostove, që erdhën nga ndërprerja e zinxhirit të prodhimit e tregtimit, si rrjedhojë e pasojave të shkaktuara nga pandemia.
Më e prekur ishte industria përpunuese dhe sidomos eksportuesit, që krahas rritjes së kostove u përballën dhe me zhvlerësimin e euros. Si asnjëherë tjetër në renditjen e “Monitor 200”, sipas fitimeve, për vitin 2021 ka vetëm 6 sipërmarrje nga industria përpunuese, ndërsa kanë dalë nga lista eksportuesit e veshjeve të këmbëve, që janë ndër më të mëdhenjtë e sektorit.
Tendenca rezulton të jetë përkeqësuar në vitin 2022, e ndikuar nga rritja e mëtejshme e kostove të lëndëve të para që erdhi pas sulmeve të Rusisë ndaj Ukrainës dhe shtrenjtimit të energjisë, që është disafish më e lartë në bursa.
Dy sipërmarrje të industrisë së rëndë, që renditen ndër 10 më të mëdhatë sipas fitimeve në vlerë në vitin 2021, “Kurum”, eksportuesi më i madh në vend, dhe “Albchrome”, kanë mbyllur përkohësisht prodhimin në gjysmën e dytë të vitit 2022.
Shtrenjtimi i energjisë në bursat kryesore është arsyeja kryesore, e ndjekur nga rënia e kërkesës nga partnerët e huaj për shkak të krizës globale. Sipërmarrjet e mëdha të tensionit të lartë, e blejnë energjinë direkt në bursa.
Çmimi mesatar i energjisë në Bursën referencë të Hungarisë për vitin 2022 është mesatarisht 270-280 euro/MWH (duke arritur deri në 700-800 euro/MWH në periudha të caktuara), nga rreth 150 euro mesatarja e vitit 2021 (në gjysmën e parë të vitit 2021 energjia kushtonte 50-70 euro/KWH).
“Bankers Petroleum”, eksportuesi i dytë më i madh në vend, që shfrytëzon me koncesion fushën naftëmbajtëse më të madhe mbi tokë në Europë, atë të Patos Marinzës, vijon të raportojë humbje.
Që prej fillimit të aktivitetit, kompania nuk ka dalë asnjëherë me fitim sipas konceptit fiskal të aplikuar për kompanitë komerciale, që kanë përfituar koncesione për shfrytëzimin e burimeve të naftës e gazit, që sipas marrëveshjes koncesionare do të duhet të tatohej me 50%.
Rezultati tatimor i shoqërisë nuk llogaritet sipas ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”, por bazuar në Marrëveshjen e Hidrokarbureve lidhur midis Albpetrol sh.a. dhe Bankers, miratuar në 2004-n.
Sipas marrëveshjes, rezultati llogaritet pasi nga të gjitha të ardhurat të zbriten të gjitha shpenzimet operative, por edhe ato kapitale të bëra nga subjekti përfitues i koncesionit.
Fuqia punëtore, një faktor shtesë që po rrit kostot
Gjetja e fuqisë punëtore po bëhet mision thuajse i pamundur nga shumë sektorë, duke u kthyer në pandeminë e radhës.
Emigracioni i të rinjve është përshpejtuar ndjeshëm vitet e fundit dhe po krijon hendek të madh në tregun e punësimit, sidomos në sektorin e thirrjeve telefonike dhe kompanive që po zgjeroheshin përtej call center, duke u diversifikuar në teknologjinë e informacionit.
“Refuzimi” për të punuar është i dukshëm dhe në sektorët që si avantazh konkurrues kishin krahun e lirë të fuqisë punëtore. Sipas “Proeksport Albania”, rezulton se, aktualisht, sektori “fason” ka mungesë të theksuar për 20,000 vende të lira pune. Shoqata ka nisur aktivizimin e kontratave për marrjen e punëtorëve nga vendet e treta, Filipine, Nepal dhe Mianmar.
Por, sektorë të tjerë pohojnë se marrja e të huajve nuk u ka rezultuar e suksesshme. Përfaqësuesi i Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve, Enri Jahaj, pohon se skema për marrjen e punëtorëve nga vendet e treta ka dështuar, ku sipas tij disa strukturave akomoduese, së fundmi u janë larguar 40 deri në 50 punonjës të rekrutuar, pasi Shqipëria po përdoret prej tyre si vend trampolinë për të emigruar drejt Europës.
Edhe për drejtuesin e Qendrës së Eksporteve Shqiptare, Alban Zusi, masa nuk rezulton të jetë e suksesshme edhe për sektorin e agroindustrisë, pasi shumë punonjës janë larguar, për të emigruar në shtete të tjera.
Luan Leka, themelues dhe CEO i EHW GmbH, pohon se fenomeni i emigracionit ka ndikuar në zvogëlimin e tregut dhe gjetjen e fuqisë punëtore, ndërkohë që dhe pagat e ulëta janë një tjetër faktor që nuk e nxisin konsumin. Ai shton se ndërhyrja më efikase për të ngadalësuar fenomenin e emigracionit është rritja e pagave.
Fenomeni ka filluar, por ai do të çojë në rritjen e kostove të ndërmarrjes dhe për pasojë, rritjen e çmimeve. Shumë ndërmarrje do të humbasin aftësinë konkurruese dhe do të mbyllen, duke favorizuar importin. Z. Leka rekomandon se përballë këtij fenomeni të pandalshëm do të ishte me vlerë ndërhyrja e shtetit për uljen e ngarkesës fiskale mbi pagat, që sot kalon 40% të pagës neto.
DHJETË KOMPANITË ME FITIMET MË TË LARTA NË VLERË ABSOLUTE
1.Banka Kombëtare Tregtare
Në vend të parë, për të tretin vit radhazi, është “Banka Kombëtare Tregtare” (BKT). Fitimi para taksave i bankës më të madhe në vend ishte 8.6 miliardë lekë (me rënie prej 8.8% në krahasim me vitin e mëparshëm), me një normë (fitim para taksave/të ardhurat) prej rreth 35%, nga 37% vitin e mëparshëm. Të ardhurat ishin 24.5 miliardë lekë (rritje 7.5%).
Sipas raportit vjetor, fitimi i BKT-së është sa gjysma e fitimit të sistemit bankar. Banka ka paguar një dividend prej 45 milionë dollarësh për aksionerët e saj, sipas raportit vjetor.
Për vitin 2022 e në vijim, z. Seyhan Pencabligil – Drejtor i Përgjithshëm dhe Anëtar Bordi i Bankës Kombëtare Tregtare (BKT) pohon se bankat duhet të jenë të kujdesshme dhe vigjilente në një mjedis me çmime të larta. “Inflacioni po krijon efekt zinxhir në shumë industri. Veçanërisht rritja e çmimeve të energjisë mund të përkeqësojë situatën dhe mund të krijojë inflacion kronik për pak kohë.
Gjithashtu, mund të ushtrojë presion për sa i përket përbërjes së kostove të kompanive, të ulë fitimin dhe të ndikojë në qëndrueshmëri. Nëse bizneset nuk do të gjejnë mënyra për të rritur fitimin, ose për të absorbuar diferencat në ulje, kjo do të ndikojë padyshim në mirëqenien e tyre.
Për më tepër, ekziston një problem i vazhdueshëm në zinxhirin e furnizimit, që përkeqëson edhe më tej situatën. Gradualisht, atmosfera në ekonomi mund të fillojë të jetë e ngjashme me atë të periudhës së “Grex-it” dhe do të duhet të presim përkeqësime në cilësinë e portofolave të kredive. Ajo që do të duhet të bëjmë është të jemi të kujdesshëm dhe vigjilentë”.
2.Kurum International
“Kurum International”, me aktivitet në prodhimin, tregtimin e çeliqeve të ndërtimit e profileve të tjera të hekurit dhe energji u rikuperua me shpejtësi në vitin 2021, pas stanjacionit në 2020-n, si rrjedhojë e pandemisë, ku rezultoi me humbje.
Në vitin 2021, “Kurum” u rendit e dyta me fitimin më të lartë në vend, që arriti në 4.7 miliardë lekë, nga humbjet prej 308 milionë lekësh vitin e mëparshëm. Norma e fitimit ishte 11.2%.
“‘Kurum International’, gjatë vitit 2021, arriti rezultatet më të larta historike, duke u rimëkëmbur plotësisht pas vitit pandemik 2020, me rritje në të gjithë treguesit ekonomikë. Në vitin 2021, kompania realizoi të ardhura totale 41.8 miliardë lekë, ose e shprehur në euro, afërsisht 346 milionë euro, shifër e paarritur më parë në të gjithë historikun e saj.
U prodhuan dhe u shitën rreth 489.000 tonë hekur ndërtimi, ndërsa sektori i prodhimit të energjisë elektrike, hidrocentralet Ulëz Shkopet dhe Bistrica 1 & 2, prodhuan gjithsej 411 milionë kilowat, nga të cilat, 222 milionë kilowat për shitje dhe pjesa tjetër, për përdorim në fabrikat e kombinatit metalurgjik”, thotë Arif Shkalla, drejtor ekonomik i “Kurum”.
Në vitin 2022, kompania po vuan pasojat e shtrenjtimit të energjisë, sidomos në kushtet kur thatësira e ka ulur mundësinë e prodhimit nga HEC-et të grupit. Z. Shkalla tha se shtrenjtimi i çmimeve të lëndëve të para në 6-mujorin e parë ndikoi nga njëra anë, pozitivisht, në rritjen e të ardhurave të kompanisë, sidomos në të ardhurat nga prodhimi dhe shitja e energjisë elektrike.
Nga ana tjetër, sidomos në tremujorin e dytë dhe të tretë, çmimet e larta të energjisë, vështirësuan raportin kosto-çmim në fabrikën e çelikut, duke sjellë ndërprerje të përkohshme të punës në këtë fabrikë, në muajin gusht 2022.
Por, kjo është kompensuar nga rritja e të ardhurave nga shitja e energjisë dhe nuk priten probleme me likuiditetin. Shoqëria ka zbatuar me sukses planin e ri të organizimit për shlyerjen e kredive, edhe për vitin 2021.
3.Raiffeisen Bank
“Raiffeisen Bank”, e treta më e madhja në vend sipas aktiveve, renditet e treta edhe në listën e “Monitor 200”, sipas fitimeve, në të njëjtin pozicion me vitin e mëparshëm. Fitimi para taksave ishte 4.1 miliardë lekë, me dyfishim në krahasim me vitin e mëparshëm. Norma e fitimit ishte gati 37%. Të ardhurat arritën në 11.2 miliardë lekë (rritje 4.8%).
Grupi austriak “Raiffeisen” konfirmoi zyrtarisht së fundmi se nuk ka në plan të largohet nga Shqipëria, teksa prej muajsh kishte zëra se dega e saj në Shqipëri ishte në shitje. “Javët e fundit janë përsëritur spekulime për të ardhmen e ‘Raiffeisen Bank sh.a’.
Prandaj, në funksionin tim si Kryetar i Këshillit Drejtues të ‘Raiffeisen Bank sh.a.’, dëshiroj të sqaroj se ‘Raiffeisen Bank International’ nuk synon të largohet nga tregu shqiptar. Banka jonë ka një pozicion të fortë në treg dhe gëzon reputacion të lartë dhe vlerësime shumë të mira nga klientët tanë.
Për më tepër, ne kemi një pikëpamje pozitive për zhvillimet e ekonomisë së Shqipërisë, e cila mbështetet nga perspektiva e anëtarësimit në BE. Ne do të vazhdojmë t’u shërbejmë klientëve tanë në mënyrën më të mirë të mundshme”, – tha Kryetari i Këshillit Drejtues të “Raiffeisen Bank Shqipëri”, Peter Lennkh.
4.“Albchrome”
Eksportuesi i kromit, “Albchrome”, iu rikthye fitimeve të larta, pasi kishte rezultuar për dy vjet radhazi me humbje e rezultat minimal. Fitimi i kompanisë arriti në 3.1 miliardë lekë në vitin 2021, nga 38 milionë lekë vitin e mëparshëm. Përmirësimi i rezultatit erdhi pas trefishimit të të ardhurave në 13.7 miliardë lekë, teksa kompania u rikuperua me shpejtësi nga pandemia.
Që prej vitit 2011, “Albchrome” shfrytëzon mineralin e kromit, nëpërmjet një marrëveshje koncesionare me qeverinë. Pronësia e koncesionarit ka ndryshuar disa herë.
Sipas raportit vjetor të kompanisë, më 14 janar 2022, grupi “Balfin” përfundoi një marrëveshje për shitjen e aksioneve të “Albchrome Holding” tek “Yildirim International Mining Investments B.V.”, pjesë e Grupit “Yildirim” me qendër në Turqi. Grupi “Balfin” i kishte blerë aksionet e “Albchrome” nga austriakët e DCM-së në vitin 2013.
Në shtator 2022, kompania mbylli përkohësisht pjesën më të madhe të aktivitetit për shkak të shtrenjtimit të energjisë. Kompania pohoi se mbyllja përkohësisht e prodhimit është ndikuar nga shtrenjtimi i lartë i çmimit të energjisë dhe rënia e kërkesës për ferrokrom nga fabrikat e çelikut në Europë dhe botë.
5.“GSA”
GSA, me aktivitet në tregtimin e energjisë dhe ferrokromit, ka hyrë, për herë të parë në listën e 10 më të mëdhave të “Monitor 200”, si për të ardhurat, edhe për fitimet. Fitimet pothuajse u 6-fishuan në 2.7 miliardë lekë. Norma e fitimit arriti në 12.2%.
Të ardhurat u trefishuan në 22 miliardë lekë. 62% e të ardhurave erdhën nga shitja e energjisë dhe pjesa tjetër, nga shitja e ferrokromit.
6.“Aleat”
“Aleat”, kompania që ka me koncesion prodhimin e pasaportave dhe kartave të identitetit, është renditur për të tretin vit radhazi në renditjen e “Monitor 200”, sipas fitimeve. Fitimet e koncesionarit u rritën me 5.4% në 2.7 miliardë lekë. Norma e fitimit ishte 40% në vitin 2021, ndër më të lartat në ekonomi.
Të ardhurat u zgjeruan me 6.5%, në 6.5 miliardë lekë.
Sipas raportit vjetor, “koncesioni u dha fillimisht për një periudhe 5-vjeçare, duke filluar më 18 gusht 2008.
Me terma dhe kushte të ngjashme, Marrëveshja e Koncesionit është zgjatur deri më 31 korrik 2023 nëpërmjet një amendamenti të nënshkruar nga Qeveria e Shqipërisë më 19 mars 2013, e cila u bë efektive më 31 maj 2013, duke shtuar një Platformë të re për shërbimin dixhital të identitetit, me një rifreskim të plotë të teknologjisë dhe rishikim të çmimeve të dokumenteve të identifikimit. Marrëveshja e Koncesionit ndërpritet më 31 korrik 2023 dhe nuk ka mundësi rinegocimi dhe rinovimi”.
Sipas marrëveshjes, “pas përfundimit të Marrëveshjes së Koncesionit, koncesionari duhet të bëjë dorëzimin e ambienteve të Koncesionit tek Autoriteti. Shoqëria duhet të transferojë tek Autoriteti çdo të drejtë apo titull në lidhje me ambientet e Koncesionit dhe të gjithë aktivet e dizenjuara dhe të përdorura gjatë periudhës së koncesionit.
Për një vit pas përfundimit të periudhës së koncesionit, ‘Idemia Identity & Security’ do të ofrojë asistencë teknike në Sistem, sipas kushteve të paracaktuara në marrëveshjen e koncesionit dhe pa pagesë shtesë për Autoritetin”.
7.“Gjoka Konstruksion”
Sipërmarrja në fushën e ndërtimit, “Gjoka Konstruksion”, është renditur, për të katërtin vit radhazi, në listën e më të mëdhenjve. Fitimet e shoqërisë ishin 2.6 miliardë lekë, me rritje 30%.
Kompania ka aksione në shoqëritë “Gjoka Konstruksion – Energji sh.p.k.”, “Diteko sh.p.k.” (HEC), dhe “Gjoka 87”, që menaxhon kontratën koncesionare/PPP “Për përmirësimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen e Rrugës së Arbrit”.
Të ardhurat për vitin 2021 ishin 7.1 miliardë lekë, me rritje minimale prej 1.4% me bazë vjetore. Përmirësimi i rezultatit erdhi si rrjedhojë e uljes së shpenzimeve të zërit “Lënda e parë dhe materiale të konsumueshme”, sipas të dhënave në bilanc.
Sipas raportit të aktivitetit, për vitin 2021 dhe në vazhdim, shoqëria “Gjoka Konstruksion” ka punuar për zbatimin e kontratës në përmirësimin, ndërtimin, operimin dhe mirëmbajtjen e Rrugës së Arbrit. Gjithashtu, edhe me projekte të tjera, si rruga Kardhiq-Delvinë, loti 7 dhe loti 4, ndërtimi i tunelit të Llogorasë në seksionin rrugor OrikumHimarë, ujësjellës, rikonstruksione të ndryshme etj.
8.Banka Credins
“Banka Credins”, banka e dytë më e madhe në vend nga aktivet, është e teta sipërmarrje në renditjen e fitimeve. Banka raportoi fitime prej gati 2.4 miliardë lekësh, me rritje prej 68%. Norma e fitimit ishte 19.7%. Të ardhurat e bankës rezultuan 12.2 miliardë lekë (+8.3%).
Drejtori i përgjithshëm, Maltin Korkuti, citon në raportin vjetor se “Banka Credins e mbylli vitin 2021 me një performancë të kënaqshme financiare dhe në linjë me objektivat strategjike të vendosura, madje duke kapërcyer disa prej shifrave të buxhetuara”.
Ai shton se “sfidat e sistemit bankar për 2022 nuk janë të vogla. Ato janë kryesisht të lidhura me pritshmëritë për zhvillimin ekonomik të vendit, i cili parashikohet të jetë në nivele më të ulëta përkundrejt 2021, mbështetjen
e mëtejshme nga qeveria me politika fiskale lehtësuese të cilat pritet ndoshta të reduktohen si pasojë e rritjes ekonomike gjatë 2021, zhvillimin e sektorëve strategjikë në linjë me buxhetin e aprovuar për 2022, ecurinë e procesit të vaksinimit dhe të situatës së pandemisë që përtej zbutjes vazhdon të mbetet ende e pranishme, si dhe mbajtjen nën kontroll të inflacionit për të garantuar stabilitet financiar dhe rritje të konsumit dhe investimeve, duke shmangur tkurrjen e tyre që do të sillte efekte negative”.
9.“OTP Albania”
Banka “OTP Albania” ka hyrë për herë të parë në listën e 10 më të mëdhave sipas fitimeve, pas pothuajse trefishimit të rezultatit në 2.3 miliardë lekë. Norma e fitimit ishte 43.8%. Rritja e fitimeve u ndihmua nga zgjerimi i të ardhurave me 12%, në 5.1 miliardë lekë.
Bledar Shella, Drejtor i Përgjithshëm, Kryetar i Bordit të Menaxhimit, pohon në raportin vjetor se “fitimi bankar neto për vitin 2021 u raportua në 37.10 milionë EUR, me 11.19% rritje krahasuar me vitin e kaluar dhe fitimi neto është 15.7 milionë euro, ose 40.73% rritje krahasuar me vitin e mëparshëm.
Depozitat, gjithashtu, kanë pasur rritje prej 13% në stokun e tyre në krahasim me vitin 2020, duke arritur kuotën e 680.96 milionë euro dhe duke na dhënë hapësirë për më shumë optimizim në aktivitetin e kredidhënies dhe mundësisë për oferta më tërheqëse për klientët tanë.
Totali i kredive outstanding është rritur me 16.44% dhe kësisoj na pozicionon më të fortë në treg si kredidhënës dinamik.
Stoku total i kredive është në nivelin 611.27 milionë euro, duke kontribuar në rritjen e pjesës sonë në treg me 0.71%”, ndërkohë që Banka pritet të përthithë edhe “ALFA Bank Shqipëri” pas transaksionit të blerjes së saj gjatë këtij viti.
10.“Tirana International Airport”
“Tirana International Airport”, që menaxhon me koncesion Aeroportin e Rinasit, historikisht një prej bizneseve më fitimprurëse në vend, ka hyrë sërish në listën e 10 më të mëdhenjve sipas fitimeve, pas daljes në vitin e pandemisë.
Në vitin 2021, fitimet e saj u katërfishuan në 2.2 miliardë lekë, por sërish mbetën 30% më të ulëta se në 2019-n, kur u arrit dhe rekordi historik i deritanishëm, për shkak të kthimit të vendit në një destinacion turistik.
Përmirësimi i fitimeve erdhi pas rritjes me 73% të të ardhurave në vitin 2021, duke arritur në 5.6 miliardë lekë, pas tkurrjes së fortë një vit më parë. Qarkullimi vjetor mbeti gati 20% më i ulët se në 2019-n, kur TIA shënoi rekordin e të ardhurave.
Në dhjetor 2020, TIA ndryshoi pronësi. “Kastrati Group” i bleu për 71 milionë euro aksionet nga “Real Fortress Private Limited”, në pronësi të grupit kinez të shërbimeve financiare “China Everbright”. Ky i fundit, në prill 2016, kishte nënshkruar marrëveshjen për blerjen e të drejtave koncesionare në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës.
Në bilancin e vitit 2021, “Kastrati Group” ka raportuar dividend – fitime të transferuara nga njësia ekonomike në pronësi të “Tirana International Airport” prej 3.98 miliardë lekësh. (33 milionë euro).
Në shtator të vitit 2022, kompania “Tirana International Airport” është shitur nga “Kastrati Group” te “Kastrati Aviation Holding”. Kompania blerëse është themeluar në prill të këtij viti dhe kontrollohet në masën 100% nga i njëjti pronar i “Kastrati Group”./Monitor
Për të parë tabelën e 200 kompanive më të mëdha sipas fitimeve dhe për të lexuar shkrimin e plotë, klikoni linkun e revistës