TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Deputeti i Partisë Demokratike Agron Shehaj, ka akuzuar qeverinë Rama 3 gjatë prezantimit në Kuvend të programit të saj qeverisës .
Shehaj ësht shprehur, se çdo organizatë ndërkombëtare apo organizatë biznesi ,konsideron korrupsionin si problemin kryesor në Shqipëri.
Gjithashtu deputeti thkeson se modeli i kapjes së shtetit me një grup njerëzisht është model lindor, kudo ku është aplikuar, ka sjellë vetëm pasurimin e disave, varfërimin e shumicës së qytetarëve
Deklarata e plotë:
Pavarësisht propagandës të kësaj maxhorance, Shqipëria vijon të jetë një nga vendet më të varfëra në Europë dhe fatkeqësisht në të gjitha studimet e institucioneve ndërkombetare parashikimi është i njëjti.
Kushdo që kërkon zgjidhjen e problemit në programin e kesaj qeverie do mbetet i zhgënjyer.
Nuk ka shqiptar, i ri apo i moshuar, i majtë apo i djathtë që nuk e ka të qartë se shkaku i varfërisë dhe i mungesës së mirëqënies në Shqipëri është korrupsioni dhe përdorimi i pushtetit për interesa personale.
Cdo organizatë ndërkombëtare apo organizatë biznesi konsideron korrupsionin si problemin kryesor në Shqipëri.
Nëse i hedhim një sy programit të qeverisë, korrupsioni nuk trajtohet si prioritet kombëtar.
Praktikisht, shkaku kryesor i varfërisë dhe ikjes së shqiptarëve, nuk egziston për këtë qeveri.
Ky program dhe kjo maxhorancë gjen kohën të flasë për çdo gjë, por shmang thelbin e problemit. Të jemi të qartë dhe të sinqertë me qytetarët; E vetmja zgjidhje për shqiptarët është lufta ndaj korrupsionit.
Kjo qeveri, që dikur bazonte propagandën e vetë në luftën ndaj korrupsionit, jo vetëm që është dorëzuar para tij, por e ka kthyer korrupsionin në një model qeverisje.
Raporti i Transparence International, i vitit 2021, thotë;
“Në Shqipëri për një kohë të gjatë është mohuar egzistenca e kapjes së shtetit. Ligjet e bëra me porosi lehtësojnë skemat e korrupsionit të nivelit të lartë duke nxjerrë ligje për të mundësuar praktikisht vjedhjen e burimeve kombëtare”.
Në fakt, qëndrimet tona nuk dallojnë vetëm në qasjen ndaj korrupsionit, si përgjegjësi personale e secilit prej nesh.
Ne na dallon modeli i qeverisjes.
Unë besoj tek modeli perëndimor i qeverisjes bazuar në transparencë, mospërdorimit të pushtetit për interesa personale, tregun e lirë dhe mos favorizimit të askujt.
Modeli juaj është krejt tjetër.
Ju flisni për transparencë por ndërkohë, në kushte krejtësisht jo transparente, kjo maxhorancë ka firmosur kontrata me kompani guancë, si në rastin e disa koncensioneve, dhe sot që flasim transferon para drejt këtyre kompanive duke fshehur perfituesin.
Ju flisni për mundësi të barabarta por ndërkohë asete të shqiptarëve si porte, rrugë, aeroporte janë marrë nga një grup oligarkësh që ju keni përzgjedhur. Rasti i fundit është rinovimi i koncensionit të aeroportit të Rinasit, pa asnjë lloj gare dhe transparence.
Ju flisni për konkurencë të lirë por ndërkohë aeroportin e Vlorës ia jepni një miku politikan të Kryeministrit. Kjo do ishte e paimagjinueshme të ndodhte në një vend perëndimor, ku një politikan të fitojë një tender në një vend fqinjë falë miqësisë që ka me Kryeministrin.
Modeli juaj është dorëzimi i aseteve kombëtare tek një grup njerëzisht të paracaktuar nga ju.
Unë besoj se Shqipëria bëhet nga konkurenca e ndershme, meriokracia dhe tregu i lirë.
Vetëm në kushtet e një tregu të lirë mund të shkëlqejnë më të aftët dhe të zotët, dhe jo ata që kanë lidhje politike, familjare dhe shoqërore me qeverinë.
Nuk ka asnjë mundësi që Shqipëria të zhvillohet dhe të rritet mirëqënia, përmes një modeli qeverisje të bazuar mbi klientelizëm dhe korrupsion.
Sado të aftë ta konsiderojë vetën kryeministri dhe ortakët e tij, ky model do mbajë peng Shqipërinë, do rrisë pabarazinë, do largojë shqiptarët e aftë dhe do promovojë të paaftët.
Modeli i kapjes së shtetit me një grup njerëzisht është model lindor, kudo ku është aplikuar, ka sjellë vetëm pasurimin e disave, varfërimin e shumicës së qytetarëve, dobësim të institucioneve dhe regres të demokracisë në ato vende.
Shqiptarët presin përgjigje se si do luftohet korrupsioni.
Ata presin përgjigje se kur do ndalen monopolet, koncensionet korruptive, konkurenca e pandershme dhe modeli i ekonomisë së parave të pista.
Unë besoj se vetëm liria, transparenca dhe ndërshkueshmëria, mund të sjellë zhvillimin dhe rritjen e mirëqënies së shqiptarëve.
Sigurisht do jetë një betejë e gjatë dhe e vështirë, por nuk ka zgjidhje tjetër.
Fatkeqësisht në 30 vitet e fundit, Shqipëria ka qënë një ndër vendet më të varfëra në Europë, dhe do vazhdojë të jetë, përsa kohë nuk do fitojmë betejën ndaj korrupsionit.
Shqipëria do bëhet vetëm kur ajo të qeveriset nga një kryeministër i pakorruptuar.
Shqiptarët meritojnë një model ku sundon demokracia e vërtetë si mundësia e vetme për rritjen e mirëqenies, konkurencës të ndershme dhe shtetit ligjor.
Këtë model nuk ka nevojë ta shpikim.
Është detyrimi ynë që t’u ofrojmë shqiptarëve;
një shtet perendimor ,
një treg të lirë,
ku konkurohet në mënyrë të ndershme,
ku ata mund të shkëlqejnë.
Duhet t’u japim shqiptarëve atë që ata duan.
Nuk ka asnjë dyshim, ata duan një qeveri të pakorruptuar, jo një qeveri më pak të korruptuar, por të pakorruptuar.
Kaq duan shqiptarët.