AKTUALITET, 14 Tetor 2021, 16:32

U akuzuan për kultivim narkotikësh, SHÇBA pezullon nga puna dy policët në Vlorë, pranga për një tjetër

U akuzuan për kultivim narkotikësh, SHÇBA pezullon nga puna dy

SHÇBA këtë të enjte ka ekzekutuar vendimin penal për dy policët të cilët u akuzuan për kultivim të lëndëve narkotike. Në vendimin e saj SHÇBA vendosi që dy punonjësit e policisë në Vlorë, L.D., me detyrë N/Specialist dhe M.A., me detyrë Specialist për Rendin (SPZ) të pezullohen nga puna dhe tu ndalohet dalja jashtë vendit.

Gjithashtu një tjetër punonjës policie në Stacionin e Policisë Kufitare Shtikë, ka rënë në prangat e policisë për drejtim mjeti në mënyrë të parregullt.

SHÇBA ekzekutoi vendimin penal për 2 punonjës policie në Komisariatin e Policisë Vlorë, pasi Gjykata kishte caktuar masën e sigurimit personal me karakter ndalues “Pezullim i ushtrimit të një detyre, a shërbimi publik” dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit”

Arrestohet në flagrancë 1 punonjës policie në Stacionin e Policisë Kufitare Shtikë, për “Drejtim i automjeteve në mënyrë të parregullt”.

Vlorë – Drejtoria Rajonale e SHÇBA Vlorë-Gjirokastër në bashkëpunim me Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, ka bërë ekzekutimin e vendimit penal, të Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë për 2 punonjës policie në Komisariatin e Vlorës, në kuadër të procedimit penal, viti 2021, për veprat penale të “Kultivimit të bimëve narkotike” dhe “Shpërdorimit të detyrës” parashikuar nga neni 284 dhe 248 i Kodit Penal.

Ekzekutimi i Urdhrit të Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë u krye pasi Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë ka caktuar masën e sigurimit personal me karakter ndalues “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit” për punonjësit e policisë:

L.D., me detyrë N/Specialist (SPZ) për Rendin në Stacionin e Policisë Selenicë të Komisariatit të Policisë Vlorë;
M.A., me detyrë Specialist për Rendin (SPZ) në Stacionin e Policisë Selenicë, të Komisariatit të Policisë Vlorë.
Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës e Shkallës së Parë Vlorë për veprime të mëtejshme procedurale, ndërsa SHÇBA Vlorë vijon me intensitet luftën kundër paligjshmërisë dhe rasteve të shpërdorimit të detyrës që lidhen me favorizimin e kultivimit të narkotikëve.

Ersekë – Nga ana e Drejtorisë Rajonale të SHÇBA Korçë-Elbasan u bë arrestimi në flagrancë, i punonjësit të Policisë S.SH., pasi rreth orës 12:30, në datë 13.10.2021, në vendin e quajtur ish-Pazari në qytetin e Ersekës, duke drejtuar mjetin e tij është aksidentuar, duke u përplasur me murin rrethues të një banese.

Nga veprimet e para hetimore ka rezultuar se automjeti ishte pa dokumentacionin përkatës dhe targat i përkisnin një automjeti tjetër të çregjistruar. Automjeti u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Nga testi i kryer me aparat Drager, punonjësi i policisë S.SH. ka rezultuar në gjendje të dehur. SHÇBA Korçë ka referuar materialet procedurale në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë në ngarkim të këtij punonjësi të policisë, për veprën penale “Drejtim i automjeteve në mënyrë të parregullt”, parashikuar nga neni 291 i Kodit Penal.