AKTUALITET, 9 Qershor 2024, 16:22

Indrit Fortuzi shfaqet në Tiranë 9 vite pasi u largua në Kanada me bashkëshorten e dënuar për mashtrim me biletat

Indrit Fortuzi shfaqet në Tiranë 9 vite pasi u largua në Kanada
Sulçe me Fortuzin

Ish-sulmuesi i shquar i Tiranës, Indrit Fortuzi, shfaqet në kryeqytet pas 9 vitesh. Idhulli i tifozëve bardheblu, ka ardhur në Tiranë për të takuar miqtë dhe dashamirësit e tij.

Gazetari i Ora News, Altin Sulçe, ka postuar në profilin e tij në Facebook, një foto me Fortuzin, ku shkruan: “Me shokun tim Indrit Fortuzi në Tiranë”.

Kjo vizitë e beftë e ish-sulmuesit në Tiranë, tregon se ndoshta ai i ka zgjidhur problemet financiare dhe i ka hedhur pas krahve gjithçka ndodhi në të kaluarën.

Nëntë vite më parë, ish-­futbollisti i Tiranës dhe ish­-kryetari i Njësisë Bashkiake nr. 9 në Tiranë, Indrit Fortuzi dhe bashkëshortja e tij u kallëzuan penalisht nga një 20-­vjeçar, si ishte mashtruar me biletat e udhëtimeve. Fortuzi dhe e shoqja e tij kishin një agjenci udhëtimesh, “Just Travel”, ku 20-­vjeçari kishte blerë katë bileta avioni në vlerën 1200 euro.

Mirëpo, të katërta biletat ishin anuluar dhe ishin të pavlefshme pas kryerjes së transaksionit. Nga java e tretë e nëntorit 2015, Jonida dhe Indrit Fortuzi ishin larguar nga Shqipëria për në Kanada.

Më pas u zbulua edhe një kallëzim tjetër për mashtrim me biletat, kryer nga firma nën pronësi të Fortuzit. Shtetasi A.S. , 47 vjeç, kishte blerë një biletë udhëtimi për në Itali nga agjencia “Just Travel” për 175 euro, mirëpo, kur u paraqit në aeroportin e Rinasit, bileta e tij nuk e ekzistonte në sistem, pasi ishte anuluar fill pas blerjes.

Në maj 2017 Gjykata e Tiranës dënoi me 3 vite e 6 muaj heqje lirie bashkëshorten e ish-futbollistit të Tiranës Indrit Fortuzi pasi akuzohej për mashtrim. Togat e zeza dënuan në mungesë Junida Fortuzin, e cila në këmbim të udhëtimeve me agjensinë turistike “Just Travel” u merrte paratë personave të ndryshme duke i lënë më pas në mes të rrugës.

Dënimi u dha nga gjykata e Tiranës me akuzën e mashtrimit më shumë se një herë, ndërsa akuza e mashtrimit me pasoja të rënda u rrëzua në gjykatë.