AKTUALITET, 3 Maj 2021, 15:47

“Blindohet” Durrësi, qindra makineri lufte dhe ushtarë amerikanë zbarkojnë në port

“Blindohet” Durrësi, qindra makineri lufte dhe ushtarë

Vazhdon zbarkimi i trupave dhe mjeteve amerikane të luftës në portin e Durrësit. Këto mjete të rënda lufte vijnë në vendin tonë në kuadër të stërvitjes, “Defender Europe 21”

Lidhur me ardhjen e makinerive të luftës ka reaguar edhe ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, i cili ka publikuar dhe një video nga zbarkimi i tyre.

“Nga porti i Durrësit ku vazhdon me ritëm zbarkimi i trupave dhe mjeteve amerikane. Gati për të çelur stërvitjen e përbashkët më të madhe, të zhvilluar në Shqipëri, nga ushtria amerikane dhe forcat tona të armatosura në kuadër të NATO, Defender Europe 21”, shprehet Peleshi.

“Defender Europe 21” është një stërvitje e organizuar nga ushtria amerikane në Europë dhe Afrikë dhe parashikohet të marrin pjesë rreth 28 mijë trupa nga 26 vende aleate dhe partnere. Shqipëria do të jetë një nga 16 vendet që do të mirëpresin zhvillimin e kësaj stërvitjeje ushtarake, e cila ka për qëllim ndërveprimin e aleatëve dhe reagimin në raste krizash.