X

Para në bankë para votimeve (VIDEO)

Në datën 22 prill në telefonin e qytetares B.M. nga Durrësi mbërriti një mesazh nga banka. Mesazhi shkruante: llogaria juaj u kreditua me 1 mijë dollarë. Dërguesi i parave ishte buxheti i shtetit, më saktë program i granteve të rindërtimit nga tërmeti. Të nesërmen qytetarja u paraqit në bankë për të tërhequr çekun e dërguar nga qeveria, ndërsa pas dy ditësh shkoi të votojë.

Ky i qytetares B.M. nuk ishte një rast I izoluar, por një fenomen në shkallë të gjerë. I njëjti mesazh u ka mbërritur mijëra familjeve durrsake, dy deri në tre ditë para zgjedhjeve. MCN ka mundur të sigurojë dokumentat ekskluzive si dhe të gjurmojë qindra transferta bankare nga qeveria në llogaritë e familjeve. Këto që shihni në ekran janë vetëm disa prej transfertave bnga buxheti në llogaritë e familjeve nga datat 19 deri në 23 prill.

Paratë kesh të derdhura nga buxheti në llogari të familjeve të Durrësit në javën e fundit para zgjedhjeve ishin finalizimi I një operacioni të mirëkoordinuar me arkitektë Bashkinë e Durësit. Në datën 4 shkurt, kryetarja e komanduar e Bashkisë së Durrësit Emirjana Sako dhe këshilli bashkiak i këtij qyteti miratuan me urgjencë listën e parë me 806 familje, të cilat do të përfitonin mbi 2 milionë euro transferta kesh nga qeveria si kompesim për dëmet e tërmetit. Në 14 prill, Bashkia miratoi dhe një tjetër listë akoma më të madhe me 1351 familje të tjera, të cilave në ditët e fundit para zgjedhjeve ju derdhën 4 milionë euro kesh në llogaritë e tyre.

Madje jo vetëm kaq, por përmes disa vendimeve të javëve të fundit, bashkia e durrësit ka ndryshuar kategorinë e dëmtimit për qindra familje durrësake, duke I ngjitur nga DS1 në DS2 apo nga DS2 në DS3, çka rrit automatikisht dhe vlerën e parave që ato përfitojnë nga qeveria.

Por megjithëse Durrësi ishte epiqendra e transfertave cash të rindërtimit, ky ishte nje operacion në shkallë kombëtare, që përfshinte disa qarqe të vendit dhe që kordinohej nga qeveria në tiranë. Përmes më shumë se 20 vendimeve të miratuara në periudhën nga 3 shkurti deri në 14 prill, Këshilli i Ministrave, i hapi rrugën ligjore vetes të derdhë miliona euro në prag të zgjedhjeve në llogaritë bankare të familjeve që ishin prekur nga tërmeti i ndodhur një vit e gjysmë më parë.

Këto dokumenta konfidencialë të siguruar nga MCN, tregojnë se përmes programit të granteve të rindërtimit, në muajt mars dhe prill qeveria transferoi plot 40 milionë euro kesh në llogaritë e mijëra familjeve në Durrës, Shijak, kamzë, Vorë, Rrogozhinë, Kavajë, Mirëditë, Lezhë dhe në të gjitha zonat e prekura nga tërmeti.

Fenomeni ka qenë aq masiv sa që mund të jetë operacioni më i madh i ndikimit të votës në shkallë të gjerë i regjistruar ndonjëherë në Shqipëri. Jo me para informale, por drejtepërdrejtë me paratë e buxhetit të shtetit, pra me paratë e taksave të qytetarëve. Gjithcka në rrugë ligjore dhe gjithçka nën hundën e opozitës. Kjo e fundit madje, shëtiste nëpër Shqipëri autokolonat e militantëve. Por ndërsa opozita jetonte me ëndrrën e saj euforike për të fituar zgjedhjet, qeveria ishte duke realizuar në heshtje operacionin më të madh të ndikimit të votës, rezultati I të cilit u pa në 25 prill. /MCN TV/

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/