X

Këta janë demokratët më të votuar në zgjedhjet e 25 prillit

Partia Demokratike arriti të sigurojë 59 mandate në zgjedhjet e 25 prillit, duke dalë forcë e dytë.

Ndërkohë që në disa qarqe vijon ende numërimi i votave nominale. Sipas të dhënave të KQZ-së këta janë kandidatët më të votuar të PD-së.

Në Berat, janë numëruar 272 qendra votimi nga 277, deri tani më i votuari rezulton Tomor Alizoti me 4832 vota.


Në qarkun e Dibrës ka përfunduar numërimi dhe më i votuar është Edmond Isaku, i cili renditet i katërti në listë dhe ka marrë 5098 votës, por nuk ka mundur të kalojë herësin.


Në qarkun e Durrësit, deri tani kandidatja më e votuar mes demokratëve është Andia Ulliri me 5249 vota. Në Durrës janë numëruar 270 qendra votimi nga 481 në total.


Në qarkun e Elbasanit kandidati më i votuar është Luçiano Boçi me 11076 vota, i cili renditet i shtati në listë dhe ka mundur të thyejë herësin. Deri më tani janë numëruar 508 qendra votimi në qark nga 511 në total.


Në Fier kandidati demokrat më i votuar është Agron Kapllanaj, i cili ka siguruar deri më tani 9225, ndërsa renditet i shtati në listë. Deri tani në këtë qark janë numëruar 541 qendra votimi nga 580 në total.


Në qarkun e Gjirokastrës demokrati më i votuar është drejtuesi politik Tritan Shehu, i cili renditet i pari në listë dhe ka marrë 3364 vota. Në këtë qark PD mori vetëm një mandat.


Në Korçë më i votuar rezulton Ervin Salianji, i cili ka siguruar 9428 vota dhe renditet i treti në listë. Në këtë qark është mbyllur procesi i numërimit.



Në qarkun e Kukësit kandidati më i votuar është Flamur Hoxha, i cili ka siguruar 9159 vota dhe renditet i pari në listë. Edhe në këtë qark ka përfunduar numërimi.


Në Lezhë kandidati i PD më i votuar rezulton Kastriot Piroli, i cili ka marrë 6411 vota. Në këtë qark janë numëruar 222 qendra votimi nga 249 në total.


Demokrati më i votuar në Shkodër është drejtuesi politik, Helidon Bushati, i cili ka siguruar 6743 vota, ndërsa ka përfunduar procesi i numërimit.


Në qarkun e Tiranës në listën e demokratëve rezulton të jetë më i votuar kreu i partisë, Lulzim Basha me 11862. Deri më tani janë numëruar 847 qendra votimi nga 1243 qendra në total.


Në Vlorë, kandidati më i votuar është gjithashtu drejtuesi politik, Bujar Leskaj. Ky i fundit ka siguruar 5254 dhe renditet i pari në listë. Në këtë qark janë numëruar 444 qendra votimi nga 445 në total.

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/