X

Ndryshimi nuk erdhi, Edi Rama mund sërish Lulzim Bashën. PD dhe LSI mbeten në opozitë


Partia Socialiste ka fituar zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, duke siguruar 74 mandate parlamentare, kur mbeten edhe pak vota për t’u numëruar.  PS pati sukses veçanërisht në qarqe si Tirana, Durrësi, Elbasani, Vlora, Gjirokastra dhe Berati.
Edi Rama ka arritur të sigurojë një mandat historik, duke thyer një tabu të cilën askush nuk e kishte arritur më parë, mandatin e tretë qeverisës.

Lulzim Basha dhe Partia Demokratike kanë pësuar një tjetër disfatë, që e vendos këtë parti në një udhëkryq të ri. Edhe pse PD arriti të rekuperojë mandate, në krahasim me vitin 2017, shumica e tyre vijnë si pasojë e gërryerjes së LSI dhe nuk e kanë dëmtuar Partinë Socialiste. PD ka arritur të fitojë disa qarqe në veri të vendit.

Gjatë fushatës elektorale, Basha refuzoi t’u përgjigjej pyetjeve, lidhur me fatin e tij në PD në rast humbje, duke deklarur me bindje se në 25 prill, opozita do të fitonte. Është e paqartë nëse Basha do të dorëhiqet nga posti i kreut të PD-së, pas humbjes së dytë të zgjedhjeve parlamentare. Megjithatë, do të jetë mjaft e vështirë që ai të vijojë qëndrimin në parti, pas dështimeve të njëpasnjëshme.

Edhe Lëvizja Socialiste për Integrim, ka marrë një rezultat katastrofal në zgjedhje, duke humbur në shumë zona të konsideruara si bastione, përfshirë këtu Beratin ku nuk ka marrë asnjë mandat, apo Gjirokastrën ku Vangjel Tavo ka humbur mandatin. LSI ka siguruar vetëm 4 mandate parlamentare në rang vendi, një rrudhje e jashtëzakonshme krahasuar me vitin 2017, kur kishte plot 19 mandate.

Surprizë e këtyre zgjedhjeve është PSD e Tom Doshit, që ka siguruar 3 mandate. Doshi ka deklaruar se është i gatshëm për koalicion me Partinë Socialiste edhe pse ai vetë, ka hequr dorë nga mandati parlamentar, pas deklaratave të herëpashershme të ambasadores amerikane, Yuri Kim, që u kujtonte shqiptarëve shpalljen e tij non grata nga SHBA.

/TPZ.al/

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/