X

SPAK të hetojë “gestapon” e Rilindjes, jo gazetarët

Nga Nikoll Lesi/

Ajo çfarë po ndodh me dy kolegët tanë të medias, themeluesit e portalit lapsi.al, kërkon jo vetëm mbështetje nga krejt gazetarët shqiptarë për kurajon dhe profesionizimin e tyre, por edhe një vikamë të madhe nga bota e medias kundrejt pushtetit të korruptuar të Rilindjes.

Ata, të dy, publikuan materiale që mbante sekret bota e mafies së pushtetit të sotëm, pikërisht të dhënat personale me të cilat luante dhe bënte presion pushteti edvinsurrelas ndaj cilitdo në Shqipëri që nuk voton prapë Edi Ramën.

Skema tip gestapo apo e sigurimit të shtetit të kohës së diktaturës komuniste në Shqipëri, ku sejcili survejohej për mendimet e qëndrimet e tij, doli në publik falë gazetarëve Armand Shkullaku dhe Andi Bushati.

E në vend që SPAK të falenderonte gazetarët dhe të fillonte hetimin pikërisht mbi autorët e Rilindjes së këtij megaskandali, ajo bëri të kundërten; shkoi për të mbyllur skandalin.

U turr mbi dy gazetarët me vendime prokurorie e më pas me vendim gjykate që të sekuestrohej lapsi.al, ndërkohë që nëse donte të zbulonte skandalin e përmasave të mëdha shtetrore, ku janë përzier qeveritarë, drejtues të PS-së, drejtues të institucioneëve shtetrore që e kanë për detyrë mos nxjerrjen e të dhënave personale të qytetarëve pa lejen e tyre me shkrim; pra pikësëpari prokuroria duhej që të hetonte patronazhistët e PS.

Të hetonte disa nga ata që kanë detyra në shtet e paguhen nga buxheti i taksapaguesve shqiptarë, të cilëve iu del emri si “patronazhist”. Më pas ata do flisnin emra, mbiemra, funksione dhe shkohej deri atje lart në Surrel.

E nëse prokuroria apo gjykatat e reja të dala nga Vettingu do ishin të pavarur, sot do të kishim jo policinë dhe prokurorinë në dyert e lapsit të Shkullakut dhe Bushatit, por te koka e mafies në fjalë.

Atëhere do brohorisnim se “kjo është drejtësia e re”!

Por ata janë akoma te dyert e dy gazetarëve, në pritje për të hyrë me forcë që ti sekuestrojnë, me saktë ti bllokojnë për të vazhduar që e verteta të thuhet publikut.

Nxjerrja e të dhënave personale të qytetarit është shkelje kushtetuese dhe dënohet. Ajo që po lexojmë dhe shikojmë mbetet alarmante se si krejt shteti është sulur mbi dy gazetarët Shkullaku-Bushati që t’iu mbyllin gojën, por edhe me një prapamendim djallëzor; që t’ju fusin frikën gazetarëve të tjerë që të mos nxjerrin skandale që vlojnë në pushtet e nën tavolinat e pushtetit.

Ka edhe një skemë rilindase, që duke e spostuar vëmendjen ndaj dy gazetarëve po i jepet mundësia qeverisë të fshijë e fshehë çdo gjurmë të skandalit.

Dy gazetarët janë profesionistë, kurajozë dhe as që vrasin mendjen për këto presione nga pushteti politik dhe ai i drejtësisë së “re”. Ata kanë “ADN” e gazetës “KOHA JONE”, pasi janë rritur mes arrestimeve, djegieve dhe sulmeve që bënte pushteti i kohës së PD-së, dikur ndër vitet 1992-1996.

Me të dy drejtësia e re, në këtë rast, do shkërmoqet dhe do të dalë siç është, një drejtësi nën shërbimin e Edi Ramës.

Kështu doli dikur edhe kur drejtësia e “re” e pas rrëzimit të diktaturës u turr mbi gazetën KOHA JONE, gjoja se po nxirrnim “sekretin shtetror” apo që “po shkaktonim panik kombëtar”. Arrestuan asokohe kryeredaktorin dhe zv/kryeredaktorin e kohës të “KOHA JONE”, Aleksandër Frangaj dhe Martin Lekaj, por dy gazetarët tronditen pushtetin dhe zgjuan shoqerinë shqiptare nga frika dhe gjumi.

U turr drejtësia dhe pushteti me falangat e tyre (viti 1997) kundrejt kryeredaktorit të KOHA JONE, Ben Blushi, por ra pushteti nga qëndresa dhe kurajo e medias në fjalë.

I përmenda këto fakte historike për të thënë se edhe në këtë duel mes dy gazetarëve të lapsit, Shkullakut dhe Bushatit, nga njera anë për të thënë të vertetat e pushtetit të marra në mënyrë profesionale nga “shtepia” e Rilindjes dhe nga ana tjetër, pushtetit rilindas tip gestapo, fitorja është në anën e dy gazetarëve.

Ndonëse dikur nëse sulmohej një media apo gazetarë, siç po tentohet ndaj Shkullak-Bushatit, shoqatat e gazetarëve bënin namin, ngriheshin e protestonin mu para qeverisë apo mafies shtetrore, ndërsa sot më habit indiferenca e shoqatave të gazetarëve shqiptarë.

Që Rilindja blen pothuaj gjithçka, kjo nuk vihet në diskutim, por që të ketë hyrë edhe ndër radhët tona mediatike, kjo do të ishte me shumë se alarmante, ndërkohë që dy kolegët tanë kanë nevojë për solidaritet. Jo se nuk e përballojnë vetë përplasjen, pasi u kanë rënë “shtatë lekura” në duelet me pushtetet ndër vite.

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/