X

Perëndia Rama?


Nga Edmond Tupja

Tek vëzhgoja këtë javë përpëlitjet mjerane dhe njëherazi qesharake të Edi Ramës që, ende kryeministër, por i mbërthyer në darën e pamëshirshme të dy sindromave, asaj të Hubrisit dhe asaj të Atazagorafobisë, bën çmos për t’i bindur shqiptaret e shqiptarët se ai ka qenë, është dhe do të jetë dielli i Rilindjes së Republikës së Gremisur të Shqipërisë, sesi m’u kujtua që RA, rrokja e parë e mbiemrit të tij, përkon edhe me emri i perëndisë Diell në mitologjinë egjiptiane, pra me emrin e perëndisë së perëndive, dhe se, si i tillë, RA ishte detyrimisht krijuesi i Universit, ngaqë pa atë nuk mund të kishte jetë.

Shpesh, kjo perëndi paraqitet me një kokë skifteri, mbi të cilën është vendosur disku i diellit, i mbrojtur nga një kobër e stërvitur, siç na mëson zoti Internet. Pastaj, nuk e di se çfarë më shtyu – ndoshta si pasojë e një shoqërimi idesh – që po në Internet të hulumtoja, si në frëngjishte, ashtu edhe në anglishte, duke u nisur përkatësisht nga shprehjet “ le Dieu Rama”  dhe “Lord Rama”, pra, në shqipe, “Perëndia Rama”, dhe… po, po, shtanga në çast!

Shtanga sepse mësova që Rama apo Ram na paska qenë një mbret, i vërtetë apo mitik, i Indisë antike, jeta dhe bëmat heroike të të cilit përshkruhen në sanskritishte te Ramajana, njëra nga dy epopetë madhore të Indisë, që na mëson se, pasi e gjeti Sitën, gruan e tij, që ia kishin rrëmbyer forcat e së keqes, ky mbret sundoi bashkë me të për 16 mijë vjet rresht.

Shtanga gjithashtu, sepse më indinjoi injoranca apo ndoshta dashakeqësia e historiografëve jo vetëm shqiptarë, por edhe të huaj, të cilët e kanë fshehur faktin e mrekullueshëm që Edi Rama qenka i denjë për admirimin organik e orgazmik të krejt popullit tonë, të krejt anëtarësisë së Partisë Socialiste të Shqipërisë, si  edhe të të gjitha partive komuniste (përfshirë edhe atë të Koresë së Veriut), socialiste, socialdemokrate e të partive të tjera të majta në mbarë rruzullin tokësor. Çuditërisht, në takimin e tij para dy ditësh me një grup mav(r)i grash, ai përmendi pikërisht diellin që do të shkëlqejë mbi Shqipërinë me fitoren e Partisë Socialiste në zgjedhjet e 25 prillit.

Nga ana tjetër, shtanga dhe pres me padurim e ankth të humnershëm që Akademia e Shkencave e Republikës së Gremisur të Shqipërisë, nën udhëheqjen e kryetarit Gjinushi, të marrë të gjitha masat e nevojshme, madje edhe të panevojshme, për të organizuar (para 25 prillit, sigurisht) një sërë veprimtarish shkencore kushtuar prejardhjes antike të Edi Ramës ende kryeministër, ndërsa qeveria duhet të mobilizojë gjithë trapologët dhe astrologët tanë me licensë e pa licensë që të konsultojnë yjet për t’u siguruar se Rama i Shqipërisë, ashtu si Rama i Ramajanës, do të sundojë edhe ai, natyrisht bashkë me të shoqen, për 16 mijë vjet rresht!

Shtanga sërish dhe shpresoj çmendurisht që të dalë një Barlet, një Naim Frashër, një Fishtë ose një Fan Nol tjetër, veçse modern dhe mavi krejt i mavijosur, i cili, i frymëzuar nga jeta e nga bëmat heroike e zeroike të Edi Ramës ende kryeministër, të shkruajë një Ramajanë bashkëkohore.

Po, po, shpresoj që një Homer i ri shqiptar (por, pse jo, në fund të fundit edhe i huaj, sidomos turk, arab, kinez apo – oh, ç’mrekulli – gjithashtu koreanoverior!) të dalë nga gjiri i nxehtë dhe “very sexy” i Partisë Socialiste për të qëndisur qenësisht e qenërisht një Ramajadë me jehona nga Iliada dhe Odiseja, por edhe me kumbime nga epopeja e Gilgameshit, ku të nënvizohet mrekullia e parashikuar nga zonja Spiropali lidhur me skënderbegëzimin e Edi Ramës në mënyrë që sheshgunga në zemër të Tiranës të mbajë tash e tutje emrin Rama, këtë emër po aq, në mos më shumë, të lavdishëm (me “d”, aspak me ndonjë germë tjetër në vend të saj!) se Rama i Ramajanës indiane.

Së fundi, lexueset e lexuesit socialistë allashqiptarshe të këtij shkrimi do të tronditeshin trupërisht e shpirtërisht nga lumturia e do të binin në ekstazë po të lexonin në Ballkanweb (29 janar 2017) studimin e Feride Paplekës me titull “Epopeja e Gilgameshit, një ndër poemat më të lashta të njerëzimit”, ku përmenden vargjet e para të kësaj epopeje kushtuar këtij mbreti në Mesopotaminë e lashtë : “Sa madhështor që është dhe trim i çartur / Dhe mendjemprehtë sa fort ka qëlluar, / Të rinj e t’vjetër, t’fortë e të ligj / Për Qytetin e Mbretit duhet të gjithë të punojnë / Shkëlqimi i Tij duhet t’shndrisë / Më fort se n’çdo qytet mbi këtë tokë”.

A nuk janë këto vargje, që datojnë më se dy mijë vjet para erës sonë, si të shkruara nergut për Edi Ramën ende kryeministër? A nuk do të ishte kjo një mrekulli ëmbëlsisht e skëterrshme jo vetëm për Tiranën, por edhe për vendin tonë, për Ballkanin, Europën dhe mbarë rruzullin tokësor, klima e të cilit po nxehet frikshëm jo për shkak të efektit serrë, por si pasojë e ndriçimit diellor përvëlues të perëndisë Ra apo Rama? Mos vallë të nesërmen e zgjedhjeve të 25 prillit, fjala mitologjike “Ra” rrezikon të kthehet nga emër në folje në një fjali p.sh. të tipit “Ra Rama nga fiku i pushtetit”?/Panorama/

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/