X

Paralizohet totalisht Rinasi, dështojnë negociatat e Ballukut me kontrollorët e trafikut ajror


Fluturimet në aeroportin e Rinasit, janë paralizuar tërësisht, prej grevës së kontrollorëve, e paralajmëruar që ditën e djeshme, për shkak të disa pushimeve nga puna.

Fluturimet janë pezulluar në Rinas dhe pritet të mos ketë asnjë ulje-ngritje avionësh pasi s’ka punonjës në kulla për të kontrolluar hapësirën ajrore.

Ministrja Belinda Balluku ka tentuar të negociojë në një mbledhje me punonjësit, por ka dështuar duke mos arritur të rikthejë në punë 65 kontrollorët. Ajo tha se kontrollorët kanë vendosur për të bllokuar trafikun ajror dhe vënë nën presion shtetin shqiptar, si pasojë e uljës së pagës “nga 4000 euro në 2300 euro”. 

Bllokimi i fluturimeve, pritet të vijojë deri në orën 10:00 të datës 8 prill.

Balluku artikuloi akuza ndaj kontrollorëve, duke i quajtur veprimet e tyre “grusht shteti”, ndërkohë që deklaroi se edhe vaksinat nuk do të vijnë dot sot në Rinas, për shkak të bllokimit. Ministrja shtoi se ngjarja është politike, duke akuzuar opozitën se ka nxitur këto veprime, por nuk përmendi pushimet nga puna që kanë ndodhur.

“Kjo është një fushatë elektorale për të prishur imazhin e vendit. Nëse dikush ëshët i sëmurë nuk kthehet dot në vend, për shkak se punonjësit marrin 2900 dollarë dhe jo 4 000 euro. Personat që kanë vdekur dhe duan të varrosen në vend, nuk do të vijnë dot sepse nuk do Sali Berisha”, tha Balluku.

Sipas ministres, qeveria nuk ka asnjë lidhje me pagat e kompanisë së monitorimit të trafikut ajror, Albcontroll.

“Këto paga nuk janë të lidhura me buxhetin e shtetit, por vendosen në marrëveshje mes AITA dhe ofruesit të navigimit ajror, Albcontroll. Shteti nuk ka përfshirje financiare në kompaninë Albcontroll, nuk merr të ardhura nga Albcontroll dhe nuk i ka dhënë asnjëherë asnjë para. Shtetet nuk kanë asnjë kontakt financiar me lëvizjen ajrore. Deri në vitin 2019, kanë pasur paga deri në mbi 4 milionë lekë”, u shpreh në konferencën për mediat ministrja Balluku.

Presidenti Ilir Meta reagon pas pezullimit të fluturimeve në Aeroportin e Rinasit, për shkak të bllokimit të punës nga kontrollorët.

Kreu i Shtetit thekson se ndërprerja e punës për monitorimin dhe kontrollin e Trafikut Ajror nga kontrollorët e “Albcontrol” nuk është zgjidhje, pasi sipas tij, “Siguria e hapësirës ajrore në Republikën e Shqipërisë, është çështje e sigurisë kombëtare”.

Me tone të ashpra, Presidenti deklaron se “Kontrollorët duhet të qëndrojnë në detyrë pa asnjë ndërprerje dhe të përmbushin misionin e tyre për të garantuar funksionimin e përshtatshëm dhe pa asnjë problematikë të kontrollit të trafikut ajror shqiptar”.

Reagimi i Metës:

Jam shumë i shqetësuar për situatën, që po zhvillohet me ndërprerjen e shërbimeve të fluturimeve ajrore për shkak të reagimit të Sindikatës së Pavarur të Kontrollit të Transportit Ajror, të cilët duket se nuk kanë arritur një dakordësi me Qeverinë dhe organet drejtuese të “Albcontrol”, lidhur me kërkesat e tyre.
Ndërprerja e punës për monitorimin dhe kontrollin e Trafikut Ajror nga kontrollorët e “Albcontrol” nuk është zgjidhje.

Siguria e hapësirës ajrore në Republikën e Shqipërisë, është çështje e sigurisë kombëtare.
I kam paralajmëruar publikisht dhe zyrtarisht të gjitha institucionet përgjegjëse të Qeverisë se duhet të merrnin masa konkrete për t’i dhënë zgjidhje kësaj çështje. Injorimi i kërkesave të kontrollorëve nuk është e drejtë.
Edhe pse askush nga institucionet përgjegjëse nuk ka treguar sinqeritet dhe gadishmëri për të diskutuar në kohë me anëtarët e Sindikatës së kontrollorëve të trafikut ajror lidhur me shqetësimet e tyre, ritheksoj edhe një herë se është e domosdoshme që:
📌- Kontrollorët duhet të qëndrojnë në detyrë pa asnjë ndërprerje dhe të përmbushin misionin e tyre për të garantuar funksionimin e përshtatshëm dhe pa asnjë problematikë të kontrollit të trafikut ajror shqiptar;
📌- Në çdo kohë dhe pa ndërprerje të garantohet cilësia dhe objekti i punës së “Albcontrol” për administrimin dhe kontrollin e hapësirës ajrore të Republikës së Shqipërisë për fluturimin ajror civil dhe ushtarak, në përputhje me standardet e pranuara ndërkombëtare;
📌- Republika e Shqipërisë, si vend anëtar i NATO-s, ka përgjegjësinë dhe detyrimin, që të garantojë, që hapësira ajrore e saj të konsiderohet në çdo kohë e sigurtë për fluturimet ajrore;
📌- Nuk duhet të lejohet asnjë rrezik për cenimin e sigurisë dhe mirëqarkullimit të hapësirës ajrore në Republikën e Shqipërisë, sidomos në kushtet kur për pak ditë në Shqipëri do të nisë përgatitja dhe zhvillimi i stërvitjes së përbashkët të forcave të vendeve anëtare të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut dhe të vendeve partnere të kësaj organizate “Defender Europe 21”, nga ku pritet që trafiku ajror në vendin tonë të rritet ndjeshëm, si në fluturimet ushtarake, edhe në ato civile.
Qeveria dhe Organet Drejtuese të “Albcontrol”, duhet të vlerësojnë me seriozitet dhe shumë kujdes kërkesat e kontrollorëve, qëndrimet zyrtare që ATCEUC-Kontrolluesit e Trafikut Ajror dhe Koordinimit të Bashkimit Europian, për gjetjen e zgjidhje të drejtë, duke ju referuar praktikave më të mira të vendeve fqinje, për trajtimin e kontrollorëve të trafikut ajror në këtë kohë krize globale të shkaktuar nga Covid-19, ku para së gjithash primare duhet të jetë garantimi i sigurisë së fluturimeve në hapësirën ajrore shqiptare.

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in KRYESORE, LAJME
Protesta në Rinas, Rama dhe Balluku paralajmërojnë veprime ligjore ndaj kontrollorëve, ministrja: Ky është grusht shteti

Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës Belinda Balluku gjithashtu dhe kryeministri Edi Rama kanë paralajmëruar sot nisjen e veprimeve ligjore ndaj...

Close