X

Edi Ramës i plas “bomba” në mes të fushatës, humbet 110 milionë euro të shqiptarëve pas mbylljes së Agon Channel


Edi Ramës i ka ndodhur ajo që kurrë nuk do ta donte, në mes të fushatës elektorale, kur por kërkon me ngulm dhe me çdo kusht, një mandat të tretë.

Shqipëria e ka humbur përfundimisht gjyqin me sipërmarrësin italian, Francesco Becchetti dhe kështu plot 110 milionë euro të parave të shqiptarëve janë shpërdoruar, pasi mbylljes së televizionit Agon Channel në vitin 2015. Gjykata e arbitrazhit ka vendosur gjobën e rëndë ndaj Shqipërisë, për shkak se mbyllja e televizionit Agon, ishte e motivuar “politikisht”.

Shqipëria e kishte humbur gjyqin, por Edi Rama shpresonte se vendimi mund të përmbysej pas apelimit dhe për një kohë ekzekutimi i tij ishte pezulluar. Por tashmë, paratë e shqiptarëve duket se janë humbur përfundimisht. Bëhet fjalë për shumën marramendëse të 110 milionë eurove, të cilat do të paguhen nga buxheti i shtetit dhe jo nga xhepi i kryeministrit.

“Shqipëria humbi përfundimisht gjyqin me sipërmarrësin italian Francesco Becchetti, lidhur me dëmshpërblimin e kërkuar nga ai për mbylljen e televizionit “Agon” në vitin 2015. Qendra Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve (ICSID) një gjykatë arbitrazhi, pjesë e Bankës Botërore, e dënoi Shqipërinë në Prill të vitit 2019 me 110 milion euro, duke gjykuar se mbyllja e televizionit ishte “motivuar politikisht”. Ky dënim përfaqëson dhe vlerën më të lartë me të cilën Shqipëria është dënuar nga një gjykatë arbitrazhi“, theksohet në lajmin e VOA.

Nuk dihet ende nëse do të ketë një hetim nga organet e drejtësisë në Shqipëri, për personat përgjegjës për mbylljen e Agon Channel, që solli edhe këtë humbje marramendëse të parave të shqiptarëve. Në finale, dikush do të duhet të përgjigjet për këtë humbje katastrofale.

Ndërkohë, kryeministri Rama, ka thyer heshtjen për herë të parë pas këtij vendimi katastrofal për Shqipërinë, duke deklaruar se vendimi “është i padrejtë” ndërkohë që ka sulmuar edhe Presidentin e Republikës, Ilir Meta, që kërkoi hetim nga SPAK për personat përgjegjës që sollën vendimin e sotëm, ku shqiptarët humbën 110 milionë euro.

Gëzimi i Ilir Metës dhe i Lulepartisë për vendimin e padrejtë të arbitrazhit në favor të një individi që kërkohet nga drejtësia shqiptare është sa i neveritshëm, aq dhe i parakohshëm! Shqipëria ka fituar tre nga katër gjyqet ndërkombëtare ndaj këtij marifetçiu dhe beteja vazhdon!

Gëzimi sharlatanesk i Presidentit mendjehumbur dhe i partisë që për pushtet po infekton përditë shqiptarët, do të zgjasë pak dhe ata do të humbasin, jo Shqipëria! E cila siç po fiton mbi Armikun e Padukshëm, do të fitojë edhe mbi Marifetçiun e Paskrupullt“, shkroi Rama në Twitter.

Reagimi i Presidentit Meta: 

E kam paralajmëruar prej kohësh Qeverinë ende në detyrë të heqë dorë nga arroganca dhe të tërhiqet nga çdo vendim abuziv e jashtë procedurave ligjore ndaj investitorëve të huaj në vendin tonë.

Vetëm për tekat dhe kapriçot personale të Kryeministrit, i cili e urren edhe lirinë e medias, tashmë Shqipëria është e detyruar të paguajë 110 milion euro.

Skandali merr përmasa më të mëdha, për shkak se Avokatura e Shtetit e ka gënjyer Presidentin e Republikës duke pretenduar se nuk e ka humbur gjyqin me kompaninë në fjalë, madje duke fshehur informacion.

Në këto kushte, i bëj thirrje Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion (SPAK), të nisë urgjentisht hetimet penale për këtë dëm të madh ekonomik të shkaktuar shtetit dhe që do paguhet fatkeqësisht me paratë e të gjithë taksapaguesve shqiptarë.

Është koha, që Drejtësia të vendosë para përgjegjësisë ligjore, të gjithë shkaktarët e këtij dëmi ekonomik, edhe për të parandaluar në të ardhmen dëme më të mëdha për Buxhetin e Shtetit dhe taksapaguesit shqiptarë, për shkak të shpërdorimit të detyrës dhe abuzimit me pushtetin të zyrtarëve të lartë.

/TPZ.al/

LEXO EDHE:

VOA: Shqipëria do t’i paguajë Becchettit 110 mln euro, ka humbur përfundimisht gjyqin

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in KRYESORE, LAJME, NË FOKUS
Lulzim Basha në Kukës: Do të kthejmë rininë në vendin tonë, Shqipëria e do ndryshimin!

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, e ka përmbyllur vizitën e tij në qytetin e Kukësit me një takim me...

Close