

Nga Klodian Tomorri
Dialogu i Kryeministrit me një sipërmarrës në Shkodër për importin e krahut të punës nga vendet e treta është kurorëzimi i një procesi tinëzar të nisur vite më parë. Diku nga fundit i 2018-ës, disa nga biznesmenët më të mëdhenj të vendit, hodhën në publik idenë për hapjen e Shqipërisë për emigrantët dhe puntorët e huaj.
Nën moton dikush ikën- dikush vjen, ata deklaruan se vendi ka nevojë për konsumatorë dhe punonjës, ndaj një nga gjërat më të rëndësishme do të ishte liberalizimi i mundësive dhe hapja e tregut të punës për të huajt.
Politika u vu menjeherë ne jetë. Në shkurt të vitit të kaluar, Kuvendi miratoi një ligj, i cili hoqi totalisht kufizimet për të huajt që duan të punojnë në Shqipëri duke u dhënë hapësirë bizneseve të punësojnë njerëz nga jashtë pa patur detyrimin të kërkojnë më parë për punëtorë vendas.
Paralelisht ky proces u shoqërua edhe me lehtësimin e vizave të punës për të huajt. Me pak fjalë, praktikisht Shqipëria u shndërrua në një han pa porta. Por a është kjo një strategji për të ndihmuar ekonominë e vendit apo ka të tjera interesa?
Nga këndvështrimi ekonomik, importimi i punonjësve nga jashtë bën sens vetëm për vendet e zhvilluara. Arsyeja është e thjeshtë. Prodhimi ekonomik i një vendi është rezultat i kombinimit të tre faktorëve; kapitalit, punës dhe produktivitetit. Por për të gjeneruar rritje ekonomike, kapitali dhe puna duhet të rriten në mënyrë proporcionale.
Nëse shton pafundësisht vetëm njërin prej faktorëve, prodhimi shtesë vjen gjithmonë e duke u ulur. Fjala vjen, në një fabrikë prodhimi makinash, shtimi i një linje montimi, pra shtimi i kapitalit pa shtuar punonjësit për ta operuar atë, nuk do ta rrisë prodhimin e makinave. Në ekonomi, ky quhet ligji i të ardhurave zbritëse.
Vendet e pasura kanë stok të lartë kapitali dhe nuk mund të rrisin më ekonomitë e tyre duke shtuar kapitalin. Ndaj rruga e vetme që të ushqejnë rritjen ekonomike, është të importojnë krahë shtesë pune. Kjo është arsyeja se pse në ekonomitë e zhvilluara, papunësia është gjithmonë afër normës së saj natyrale, pra të papunë janë vetëm ata që nuk duan të punojnë. Por Shqipëria ka problemin e kundërt.
Në funksionin e prodhimit, ekonomia shqiptare vuan mungesën e kapitalit dhe jo të punës dhe kjo manifestohet qartësisht në normën e papunësisë. Aktualisht norma zyrtyare e papunësisë është mbi 12 për qind. Pra, vendi ka krah pune të pashfrytëzuar, por ka nevojë për investime në fabrika, makineri dhe pajisje, të cilat zgjerojnë kapacitetin e prodhimit.
Për këtë arsye, importi i punëtorëve nga jashtë është një lojë, e cila në finale prodhon shumën zero. Nuk e rrit tortën e prodhimit ekonomik, por vetëm zëvendëson disa punëtorë vendas me disa të tjerë nga jashtë.
Politika e dyerve të hapura në tregun e punës nuk është nevojë e ekonomisë. Nuk është as një zhvillim i diktuar nga tregu. Sot Shqipëria është vendi me pagat më të ulëta në Europë dhe për rrjedhim duhet të ishte vendi i fundit i synuar nga emigrantët.
Nëse vendet e tjera fqinje si Serbia, Maqedonia e Veriut, por edhe Kroacia, Rumania, Bullgaria, të cilat kanë paga më të larta dhe shumë më tepër kapital se Shqipëria, nuk e kanë nevojën e importimit të punëtorëve nga jashtë, atëherë si mund ta ketë Shqipëria?
Në këtë pikë natyrshëm shtrohet pyetja, se cili është qëllimi i hapjes së tregut të punës për punëtorët e huaj? Në të vërtetë arsyeja është sërish ekonomike. Por jo për të mirën e përbashkët.
Ata që përfitojnë janë thjesht një grup i vogël interesi, në kurriz të gjithë të tjerëve. Këto janë bizneset e mëdha, të cilat përmes importimit të punonjësve nga vendet e treta, mund të mbajnë të ulët koston e punës. Ndërsa klasa politike do ta ketë më të lehtë të qeverisë njerëz të nënshtruar.
Praktikisht, kjo politikë është një lloj “spastrimi etnik”, për interesa të ngushta ekonomiko-politike. Por në afatgjatë, ky është dëmi më i madh që mund t’i bëhet të ardhmes së një vendi. Nëse importimi i krahut të punës nga jashtë do të ndodhë masivisht, në finale kjo politikë do të krijojë një ekonomi, e cila ka për të qenë përjetësisht e orientuar drejt sektorëve me produktivitet të ulët. Ndryshe, një ekonomi e cila ka për të qenë përjetësisht e varfër. /MCN TV/
* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/Të ngjashme
Përse s’mund të ketë në asnjë rast bashkëpunim të së mirës me të keqen?
Rikthim në mendësitë totalitare
Mbylluani telefonat!
Drejt Amerikës apo drejt Kinës?
Edi Rama, pa fantazi dhe i mjerë! Kopjon barcaletën e Fatos Nanos
Pse Italia mbetet e paqeverisëshme?
“Janë lëshuar nga zinxhirët sikur Bonaparti lëshonte kriminelët sa herë kishte…”/ Artan Fuga për “digital killers”: Këtë javë janë shtuar shumë!
Barbarizmi ekonomik i Rilindjes
Lini nje Koment