X

Probleme me pasurinë, shkarkohet gjyqtarja Marjana Shegani

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar nga detyra gjyqtaren e Tiranës Marjana Shegani, pasi i kanë gjetur një sërë problemesh me deklarimin e pasurisë, përfshirë mungesë burimesh të ligjshme për asetet e paluajtshme, mosdeklarim të detyrimeve financiare ndaj personave të lidhur, si dhe balanca negative në analizën e burimeve për pasuritë e luatjshme.

Ndërkohë, gjyqtarja që ka një karrierë të gjatë tre dekada në Gjykatën e Tiranës, u vlerësua pozitivisht për sa i përket pastërtisë së figurës dhe profesionalizmit. Shegani i cilësoi provat dhe konstatimet e paraqitura nga KPK konform procedurave ligjore, por insistoi në seancën dëgjimore se problemet e konstatuara për pasurinë ishin ‘pakujdesi të paqëllimshme.”

Gjyqtarja Marjana Shegani (Dedi) është emëruar në Gjykatën e Tiranës në maj të vitit 1992 dhe është bërë subjekt i deklarimit të pasurisë në vitin 2003. Sipas raportit të Inspektoriatit të Lartë për Deklarimin dhe Kontrollin e Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI të dorëzuar në KPK, subjekti ka bërë deklarim të pasaktë dhe jo në përputhje me ligjin, nuk ka burime të ligjshme, ka kryer fshehje pasurie por nuk është në kushtet e konfliktit të interesit.

KPK ka ndërmarrë një hetim të pavarur për pasuritë e subjektit ku është përfshirë një apartament 113 m2, i blerë në tetor 2002 me vlerë 50820 USD dhe i shitur në janar 2019. Sipas deklarimeve periodike të subjektit ky aset eshtë blerë me kredi të marrë në vitin 2003, ndërkohë që KPK ka zbuluar se dy këstet e para janë paguar në vitin 2002.

E pyetur nga KPK gjyqtarja ka deklaruar se për mbulimin e kësteve ka shërbyer nje kredi nga e motra me vlerë 2 milionë lekë, e cila nuk është deklaruar në deklaratat periodike dhe në deklaratën veting dhe është shlyer mes viteve 2003-2008.

Sipas KPK-së për këtë aset subjekti i rivlerësimit nuk ka pasur burime të ligjshme në vlerën 1.6 milionë lekë dhe nuk ka deklaruar kredinë nga e motra, si dhe ripagimin e kësaj kredie gjatë viteve 2003-2008. Shegani e cilësoi mosdeklarimin e ndihmës financiare nga e motra si pakujdesi që vinte si rrjedhojë e marrëdhënies së veçantë.
Gjithashtu KPK theksoi se subjekti nuk ka deklaruar në deklarimin periodik të vitit 2004 një garazh me vlerë 8000 USD. Probleme në deklarim KPK konstatoi edhe për sa i përket burimeve financiare që kanë shërbyer për blerjen e një apartamenti në Kavajë.

Gjithashtu KPK konstatoi probleme në dokumentimin e ligjshmërisë së të ardhurave nga qiradhënia e vjehrrës së subjektit që kishin shërbyer për një investim në pasuri të paluajtshme me vlerë 2.6 milionë lekë, duke xjerrë një mungesë burimesh financiare për subjektin me vlerë 1.35 milionë lekë.

Nga hetimi i transaksioneve për blerjen e automjeteve KPK ka konstatuar mosdeklarimin e gjendjes cash me vlerë 1 milionë lekë në vitin 2008, si dhe mungesa burimesh financiare ndër vite në vlerë 240 mijë lekë dhe 101 mijë lekë.

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in AKTUALITET, LAJME
“Pensioni nuk më mjafton”, Basha takim me banorët e Tiranës: Në 25 prill do ta fshijmë të keqen

Kryedemokrati Lulzim Basha ka zbritur sot në terren në njësinë nr.7 në kryeqytet, ku ka dëgjuar nga afër shqetësime të...

Close