X

Basha prezanton programin e biznesit dhe anti-korrupsionit: Do të kalohet në lupë çdo koncesion e PPP

Lideri i opozitës Lulzim Basha ka prezantuar sot programin e biznesit dhe anti-korrupsionit, ndërsa theksoi se objektiv i Partisë Demokratike është që ta fus Shqipërinë mes 30 vendeve më të mira për të bërë biznes.

Basha deklaroi se PD do të vendosë një moratorium një vjeçar, gjatë të cilit do të ndalohen gjobat nga organet lokale apo qendrore për bizneset dhe do të reformohet tërësisht sistemi i inspektimit. Po ashtu ai theksoi se të ulen dhe do ta kufizohen me ligj edhe numri i inspektimeve dhe kontrolleve ndaj bizneseve. Gjatë një viti nuk do të bëhen më shumë se 10% inspektime apo kontrolle të bizneseve.

Mes të tjerash ai sqaroi se me ardhjen në pushtet të PD-së, do të ulet në mënyrë drastike numrin aktual të gjithë licencave dhe lejeve që jepen sot nga shteti.

Basha tha se me një institucion të besueshëm ndërkombëtar do të kalohet në lupë çdo koncesion dhe PPP i dhënë duke përfshirë në një hetim të imtësishëm çdo kontratë të dhënë këto vite. Ndër të tjera Basha tha se do të angazhohet në ngritjen e menjëhershme të Agjencisë Kundër Korrupsionit, e cila do të koordinoje përpjekjet për të luftuar korrupsionin në çdo qelizë, duke përgatitur dhe dosjet korruptive.

“Kam kënaqësinë që në këtë prezantim, e hap një nga pedagoget e njohura të Fakultetit të Ekonomisë.

Të tillë janë shumica e të pranishmëve në këtë sallë sipas masave anti-COVID dhe qindra të tjerë që na janë bashkëngjitur përmes lidhjes zoom apo aplikacioneve të tjera, ekspert nga më të mirët që ka Shqipëria, disa ekspert të huaj që na kanë ndihmuar po kështu, të cilët dua t’i falënderojë nga zemra për punën e jashtëzakonshme që kanë zhvilluar pothuajse për një vit e gjysmë.

Të dashur qytetarë shqiptarë!

Kemi javë që prezantojmë planet e punës që kemi hartuar pas diskutimesh dhe debatesh, me specialistët, ekspert, grupe të interesit. Janë plane pune, të mirë menduara, të studiuara. Nuk janë premtime boshe.

Janë përgatitur deri në detaje dhe janë gati të zbatohen menjëherë pasi të fitojmë zgjedhjet.

Një kryeministër që nuk i mban angazhimet e tij para qytetarëve nuk ka të drejtën të kërkojë një mandat tjetër.

Ky është angazhimi im ndaj jush.

Në vijim të shpalosjes së programit tonë Shqipëria Fiton, sot kam kënaqësinë t’ju prezantoj disa nga detajet e planeve tona për të nxitur dhe përmirësuar klimën e biznesit në Shqipëri si edhe planin për të luftuar korrupsioni.

Të dyja këto janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën.

Problemi me kryeministrin në ikje dhe qeverinë e tij, është se ata kanë dështuar në çdo fushë për 8 vite me radhë.

Problemi është se kryeministri në ikje dhe qeveria e tij janë të korruptuar, se për 8 vite janë kujdesur vetëm për veten e tyre dhe një grusht miqsh.

Kryeministri në ikje dhe ministrat e tij shumëfishuan pasurinë e tyre në vitet e fundit, ndërkohë që ekonomia jonë është shkatërruar, ndërkohë që qytetarët shqiptarë janë varfëruar.

Prandaj, për ta kthyer Shqipërinë në rrugën e zhvillimit dhe suksesit, për një ekonomi të fortë, për një vend ku ia vlen të bësh biznes, më së pari duhet të luftojmë korrupsionin.

Dhe këto janë hapat kryesore:

– Të largojmë Ramën.
– Të godasim korrupsionin jo me fushata por në mënyrë sistematike.
– Dhe ta kthejmë Shqipërinë në një vend zhvillimi dhe suksesi për të gjithë.

Pas 8 viteve dështimi të Ramës, unë jam i vetëdijshëm se kjo nuk do të jetë e lehtë, por ne do ta bëjmë, së bashku!

Siç u tha dhe pak më parë, Shqipëria renditet e 82-ta në botë mes 190 vendesh, sipas raportit Doing Business 2020. Një vend ky mjaft i ulët krahasuar me 4 vende të rajonit:

ku Maqedonia e Veriut është e 17-a, Serbia e 44-ta, Mali i Zi i 50-i dhe Kosova e 57-a.

Objektivi ynë është ta fusim Shqipërinë mes 30 vendeve më të mira për raportin “Doing Business”.

Ky është objektivi ynë kombëtar.

Dhe për ta përmbushur këtë, ne do të ndërmarrim hapat e mëtejshëm:

Sot biznesi shqiptar humb shumë kohë, energji, nerva me kontrolle dhe inspektime. Për më tepër, kontrollet dhe inspektimet nga organet qendrore dhe lokale, janë ndër faktorët kryesorë që mbajnë gjallë dhe rëndojnë faturën korrupsionin. Sot bizneset shpenzojnë ditë të vlefshme pune për këto kontrolle dhe inspektime.
Ne do ta ndryshojmë këtë!

Ne do të vendosim një moratorium 12 muajsh, pra 1 vit të tërë, gjatë të cilit do të ndalohen gjobat nga organet lokale apo qendrore për bizneset dhe do të reformohet tërësisht sistemi i inspektimit.

Ne do ta ulim dhe do ta kufizojmë me ligj edhe numrin e inspektimeve dhe kontrolleve ndaj bizneseve. Gjatë një viti nuk do të bëhen më shumë se 10% inspektime apo kontrolle te bizneseve. Kjo sipas shembullit dhe praktikave me më të mira europiane.

Ne do të ulim në mënyrë drastike numrin aktual të gjithë licencave dhe lejeve që jepen sot nga shteti.

Për këtë, ne do të aprovojmë me ligj një listë gjithëpërfshirëse të lejeve dhe licensave me qëllimin që asnjë ministër, asnjë zyrtar tjetër i pushtetit qendror opo lokal të mos mund të kërkojë apo të shtojë kërkesa të reja për biznesin.

Unë angazhohem të përgjysmojmë afatet ligjore për çdo leje që kërkon vendimmarrje shtetërore, nga 60 ditë për lejet mjedisore të tipit A në vetëm 30 ditë e kështu me radhë.

Duke rritur transparencën, efiçiensën dhe përgjegjshmërinë e institucioneve shtetërore ndaj qytetarëve, duke investuar në digjitalizimin e shërbimeve.

Së dyti, do të luftojmë për një ekonomi tregu ku nuk sundon monopoli apo oligopoli. Partia Demokratike beson se ekonomia e tregut është sistemi i vetëm që mundëson zbatimin e të drejtave themelore të njeriut dhe një ekonomi shkalle dhe prosperitet në vend.

Ne do të fokusohemi jo vetëm në biznesin e madh, që është një faktor i rëndësishëm i ekonomisë, por edhe tek biznesi i vogël dhe i mesëm që është motori i ekonomisë shqiptare.

Tek mbi 100 000 familje të vetëpunësuara në këto biznese që sigurojnë të ardhurat për familjet e tyre në këto sipërmarrje.

Ne besojmë tek shtresa e mesme dhe jemi të bindur që ajo është shtylla e zhvillimit ekonomik por edhe e stabilitetit demokratik të një kombi.

Qeverisja e vogël dhe efektive do të jetë në qendër të vëmendjes sonë. Menaxhues të zotë të taksave të çdo shqiptari për t’i rikthyer atë që meritojnë nga kontributi i tyre në buxhetin e shtetit.

Një Shqipëri që Fiton është ajo ku të gjithë qytetarët janë të barabartë përpara Ligjit njësoj siç janë përpara Zotit.

Prandaj do të zbatojmë praktika të mirënjohura ndërkombëtare, gjyqësore, për të luftuar jo vetëm pandëshkueshmërinë si dhe mungesën e përgjegjësive personale në dëmet që i janë bërë pasurisë publike.

Por siç e përmenda më lart, për t’i përmbushur këto objektiva, ne duhet së pari të godasim në mënyrë sistematike dhe të luftojmë me sukses korrupsionin.

Ndaj për këtë qëllim do të ndërmarrim këto hapa thelbësorë:

1. Transparenca dhe Mirëmenaxhimi.

– Çdo vendim i qeverise do jete transparent, dhe çdo databazë shtetërore do te jetë publike. Duke filluar nga garat publike e deri te regjistri i pronës. Transparenca totale dhe digjitalizimi do të bëjë të mundur eleminimin e çdo kontakti të panevojshëm me përfaqësues shtetërorë.

– Unë do të publikoj në 100 ditët e para të punës normën e taksave për 4 vite, për çdo biznes te huaj e vendas duke ofruar parashikueshmërinë fiskale që gjithë këto vite është shkelur me këmbë dhe ka larguar qindra investitorë dhe mijëra vende pune.

– Do të eliminoj çdo diskrecion dhe interpretim ligjesh nga zyrtaret e ministrat duke mbledhur legjislacionin fiskal në një Kod Tatimor të vetëm.

– Do të eliminoj çdo përjashtim nga ligjet, që sot janë bërë rregull dhe e ka çuar korrupsionin në Shqipëri në nivelin e kapjes së shtetit.

– Unë angazhohem të ngre Bordin e Transparencës Fiskale, një institucion i pavarur nga qeveria, me emërim nga Parlamenti, që do të monitorojë zbatimin e të gjitha politikave fiskale dhe kontrollin e shpenzimeve publike që sot kanë dalë jashtë kontrollit,”, tha Basha.

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in AKTUALITET, FLASH, LAJME
“Rama ka rrënuar ekonominë”, përfaqësuesja e PD: Basha do të sjellë ndryshim të madh për vendin tonë

Ditën e sotme Partia Demokratike ka prezantuar programin për biznesin dhe anti-korrupsionin. Përfaqësuesja e PD, Ogerta Elezi, tha se kryeministri...

Close