X

SHBA/ Ligjvënësi demokrat padit Trump mbi rolin e tij në sulmin ndaj Kapitolit

Një ligjvënës demokrat ka depozituar të martën një aktpadi ndaj Donald Trump-it të cilin e akuzon për nxitje të rebelimit vdekjeprurës ndaj Kapitolit dhe për komplot me avokatin e tij e grupet ekstremiste, në një përpjekje për të penguar Senatin që të çertifikonte rezultatin e zgjedhjeve presidenciale.

Padia e ngritur nga ligjvënësi i Misisipit Bennie Thompson, kryetar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare në Dhomën e Përfaqësuesve, është pjesë e një vale të pritshme çështjesh gjyqësore mbi trazirat e 6 janarit dhe besohet të jetë e para e ngritur nga një anëtar i Kongresit. Ai kërkon kompesim e masa ndëshkuese të cilat nuk janë bërë ende të ditura.

Çështja gjithashtu përmend si të pandehur avokatin personal të ish-presidentit republikan, Rudy Giulianin si dhe grupe të tilla si “Proud Boys” (Djemtë Krenarë) dhe “Oath Keeper” (Mbajtësit e Betimit), organizata ekstremiste, anëtarë të të cilave janë paditur nga Departamenti i Drejtësisë lidhur me pjesëmarrjen e tyre në sulmin e dhunshëm ndaj Kapitolit.

Avokatët e zotit Trump i kanë hedhur poshtë akuzat se ai ka nxitur rebelimin. Një këshilltar i zotit Trump dhe një avokat i zotit Giuliani, ende nuk i kanë kthyer përgjigje një emaili ku u kërkohej një koment mbi çështjen.

Padia e depozituar në gjykatën federale në Uashington, e cila bazohet tek një ligj i njohur si “Akti i Ku Klus Klanit” i miratuar gjatë të ashtuquajturës periudha e Rindërtimit (që pasoi luftën civile), vjen tre ditë pasi zoti Trump u shpall i pafajshëm nga Senati lidhur me akuzën për nxitje të rebelimit, një ngjarje gjatë së cilës humbën jetën pesë persona. Ky zhvillim ka të ngjarë t’i hapë rrugën sfidave të reja ligjore lidhur me veprimet e zotit Trump para dhe gjatë sulmit të dhunshëm.

Edhe disa republikanë që votuan të shtunën për shpalljen e zotit Trump të pafajshëm e pranuan se vendi i duhur për t’u përballur me të janë gjykatat, veçanërisht tashmë që ai është larguar nga Shtëpia e Bardhë dhe ka humbur mbrojtjen ligjore, që e kishte të garantuar për shkak të detyrës si president.

Padia gjurmon përpjekjen e vazhdueshme nga zoti Trump dhe zoti Giuliani për të hedhur dyshime mbi rezultatet e zgjedhjeve edhe pse gjykatat në të gjithë vendin dhe zyrtarët shtetërorë të zgjedhjeve, në mënyrë të përsëritur i kishin hedhur poshtë pretendimet e tyre të pabazuara për manipulim në zgjedhje.

Por pavarësisht provave që dëshmonin të kundërtën, thuhet në padi, ata i portretizuan zgjedhjet si të vjedhura ndërsa zoti Trump “mbështeti në vend që të shkurajonte” kërcënimet për dhunë nga mbështetësit e tij të zemëruar gjatë javëve para sulmit në Kapitol.

“Seria e ngjarjeve të orkestruara me kujdes të cilat shpërthyen në tubimin Save America (tubimi para sulmit në Kongres) dhe hyrja me forcë në Kapitol nuk ishte diçka rastësore apo aksidentale”, thuhet në padi. “Ajo ishin kulmimi i qëllimtë dhe i parashikueshëm i një fushate të koordinuar me kujdes për të ndërhyrë në procesin ligjor që do të çertifikonte votat e hedhura në Kolegjin Elektoral”.

Historikisht presidentëve u garantohet imunitet i gjerë nga proceset gjyqësore për veprimet që ata kryejnë në rolin e tyre si komandant të përgjithshëm të forcave të armatosura. Por padia e së martës është ngritur ndaj zotit Trump si qytetar privat e jo si zyrtar dhe në të pretendohet se asnjë nga sjelljet në fjalë, nuk kishte të bënte me përgjegjësitë e tij si president.

“Nxitja e një trazire, ose përpjekja për të ndërhyrë në verprimtarinë e Kongresit për të çertifikuar rezultatin e zgjedhjeve sikurse parashikon Kushtetuta, nuk mund të jetë me sa duket brenda fushës së përgjegjësive të zakonshme të presidentit”, tha në një intervistë Joseph Sellers, një avokat në Uashington i cili së bashku me Shoqatën Kombëtare për Avancimin e të Drejtave të Njerëzve me Ngjyrë (NAACP) ka ngritur padinë në emër të zotit Thompson,.

“Në këtë drejtim, për shkak të sjelljes së tij, ai është sikurse çdo qytetar tjetër privat”, thotë zoti Sellers.

Megjithëse çështja e ngritjes së akuzave në Kongres u përqëndrua drejtpërdrejt tek nxitja e rebelimit, padia gjyqësore është më e gjerë. Zoti Trump akuzohet për komplot për të shkatërruar veprimtarinë kushtetuese të Kongresit, pra çertifikimin e rezultatit të zgjedhjeve që shpallte fitues të ligjshëm zotin Biden, dhe kjo përmes një përpjekje disa mujore për të diskredituar rezultatin e duke u mbështetur tek shtete individuale dhe nënpresidenti me qëllimin për ta përmbysur rezultatin.

Çështja kundër zotit Trump u ngrit nën një dispozitë ligjore të quajtur “Akti i Ku Klus Klanit” (KKK) që daton vitin 1871, i cili u miratua si përgjigje ndaj dhunës së shkaktuar nga kjo organizatë (KKK) si dhe ndalonte dhunën ose kërcënimet që synonin të pengonin Kongresin ose zyrtarë të tjerë federalë të kryenin detyrat e tyre kushtetuese.

“Për fat të mirë kjo dispozitë nuk është përdorur shumë”, thotë zoti Seller. “Por ajo që ne shohim këtu është diçka kaq e pashembullt sa të kujton atë që u bë shkak për miratimin e këtij ligji menjëherë pas Luftës Civile”.

Padia citon komentet nxitëse që zoti Trump dhe zotit Giuliani kanë bërë disa javë para trazirave dhe gjatë asaj dite, për të cilat avokatët thonë se ishin projektuar për të mobilizuar mbështetësit për të punuar për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve dhe për të parandaluar procesin e çertifikimit të rezultatit nga ana e Senatit. Ky proces u ndërpre përkohësisht kur besnikët e zotit Trump hynë në Kapitol.

Në një tubim para sulmit të shunshëm zoti Trump u tha mbështetësve që të “luftonin me çdo kusht”, por gjatë gjyqit në Senat avokatët e ish-presidentit mohuan me forcë se ai kishte nxitur rebelimin. Ata vunë theksin tek një koment i tij gjatë fjalimit ku zoti Trump i tha turmës që të manifestonte “paqësisht” atë ditë. Avokatët mbrojtës ka të ngjarë t’u rikthehen këtyre pohimeve edhe gjatë procesit gjyqësor.

Ata gjithashtu mund të argumentojnë, sikurse bënë edhe gjatë çështjes gjyqësore në Senat, se fjalimi i zotit Trump mbrohet nga Amendamenti i Parë i parë i Kushtetutës që garanton fjalën e lirë.

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in Bota Kryesore, LAJME
“Ekonomia shqiptare të orientohet drejt prodhimeve cilësore”/ Meta: Siguria e lartë rrit konkurrencën në tregun rajonal e ndërkombëtar

Gjatë kësaj të marte, presidenti Ilir Meta ka zhvilluar një takim me Forumin Botëror të Investimeve të Engjëjve të Biznesit...

Close