X

FOTO/ Dhjetë vjet nga vrasjet në Bulevard, Edi Rama vendos lule për viktimat. “Tretet” premtimi për drejtësi


Dhjetë vjet pas vrasjes së katër protestuesve në 21 janar 2011, kryeministri Edi Rama, ka zbarkuar sërish me lule në duar, drejt pllakave të Bulevardit, që përkujtojnë të vdekurit.

I shoqëruar nga Ana Veizi, vajza e të ndjerit Ziver Veizi, Rama parakaloi në të gjitha pllakat dhe vendosi lulet në heshtje.

Katër të vrarët, Ziver Veizi, Hekuran Deda, Aleks Nika dhe Faik Myrtaj, u shpallën “Dëshmorë të atdheut”. Të katërt ishin protestues, që kërkonin largimin e qeverisë Berisha në vitin 2011 dhe ardhjen në pushtet të socialistëve, me në krye Edi Ramën,  që kishte premtuar një ndryshim radikal të Shqipërisë.

Sapo erdhi në pushtet, kryeministri premtoi drejtësi për të vrarët, në mënyrë të herëpashershme.

“Me familjarët e 21 janarit. Koha për të lëvizur me një alternativë të re të kërkimit të drejtësisë. Asgjë veç drejtësisë nuk e mbyll 21 janarin.”, deklaronte Rama në vitin 2015.

Sot, tetë vite në krye të qeverisë, Edi Rama i përkujton sërish viktimat e 21 janarit, por premtimi për drejtësi është tretur. Sipas kryeministrit, drejtësia do të vijë kur të përfundojë reforma në drejtësi…

Pra sot, kryeministri e pranon se nuk ka në dorë të bëjë drejtësi dhe se të gjitha premtimet e tij kanë qenë retorikë boshe.

Por Edi Rama, nëse nuk ka patur në dorë të bëjë drejësi, ka patur mundësinë të ndërtojë në tetë vite, një qeveri që i ndëshkon ata që kanë qenë në grupin e zjarrit në 21 janar dhe që nuk u jep poste në krye të pushtetit lokal, siç është rasti i gardistit Agron Malaj në Mat.

Edi Rama ka patur në dorë, të ndërtojë një qeveri më të mirë se ajo për të cilën protestonin katër të vrarët, por sot ai ka ngritur një regjim që jo vetëm ngjan si dy pika ujë me atë të Sali Berishës, por e tejkalon perversitetin e atij pushteti.

Për t’i dhënë kuptim ngjarjes së 21 janarit, Edi Rama i ka gjetur edhe dy arsye se si vrasjet në bulevard ndikuan Shqipërinë. Sipas tij, kjo ngjarje ndikoi në  “marrëdhënien e qeverisë me protestën” dhe “transformimin e sistemit të drejtësisë”.
Por, pavarësisht këtyre përcaktimeve të kryeministri, e vetmja gjë që familjarët e të vrarëve nuk kanë marrë deri sot është pikërisht drejtësia.
Premtimi për drejtësi është tretur, ndërsa Edi Rama kërkon një mandat të tretë, pikërisht për suksesin e madh të reformës në drejtësi.

Më poshtë shihni fotografitë nga parakalimi i socialistëve në Bulevard. Përveç Edi Ramës, aty mund të shquani edhe Taulant Ballën, shumë të pikëlluar për 21 janarin.

/TPZ.al/

FOTO: 

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in KRYESORE, LAJME, NË FOKUS
Antimafia italiane godet “Ndragetën”, mes të arrestuarëve një grua shqiptare

Një operacion i madh kundër mafies po zhvillohet aktualisht në Itali, ku raportohet se janë sekuestruar miliona euro pasuri. Mësohet...

Close