X

‘Shqipëritë’ tona tkurren, e burrështetasit tanë pasurohen!

Nga Kim Mehmeti/

Ka burrështetas që e han dhe e harxhojnë popullin dhe vendin e vet dhe, ka burrështetas që e begatojnë vendin dhe që i sigurojnë të mira popullit të vet.

Darka ne Dubai e shpalosi atë që dihet prej moti: ‘Rilindësit’ janë drejtues shteti të llojit që e han dhe harxhojnë popullin e vet, andaj në Shqipëri nga dita në ditë pakësohet populli e zvogëlohet deti dhe, e vetmja që është në rritje janë varrezat greke dhe hapësirat e mbjella me hashash.

Pastaj ka burrështetas që i kanë frikë elitat e popullit të vet, sepse ato as shiten as blihen, se ato nuk të lejojnë të tallesh me popullin dhe, ka burrështetas që nuk e kanë frikë popullin e vet, siç janë këta të ‘Rilindjes’, e të cilët besojnë se elitat shqiptare shiten e blihen si qoftet te restoranti i Nusretit në Dubai.

Darka në Dubai tregoi se ‘Rilindësit’ nuk e kanë frikë popullin e vet sepse i kanë nën kontroll edhe shumicën e atyre që dalin nëpër ekranet televizive, ku ia thonë popullit atë që ai donë ta dëgjojë, e që pastaj të papenguar të bëjnë atë që ua kërkon Piktori.

Përgjigjen e pyetjes pse “Rilindësit” janë aq mospërfillës ndaj popullit të vet dhe, pse nuk kanë frikë as gjykatën publik as atë ku përgjigjesh sipas ligjit, duhet kërkuar në të vërtetën se Piktori edhe pse popullit nuk i premtoi asgjë, votuesit ia dhanë timonin e tepsinë, që Shqipërinë ta çojë nga të dojë pa i ndërhyrë njeri dhe që të jetë i vetëm në sofër.

Andaj është naive të presësh që ta respektojë e ta ketë frikë popullin e vet një Kryeministër të cilit i jepet edhe timoni edhe tepsia, duke e ditur se ai nuk është i aftë të drejtojë një makinë të rëndomtë, e le më popullin dhe vendin.

Sidoqoftë duhet shpresuar se shqiptarët e Kosovës e kanë kuptuar gabimin e vëllezërve të mëmëdheut dhe në zgjedhjet e shkurtit do dinë të dallojnë cilët janë ata që duan shtet për të gjithë e cilët ata që duan pushtet vetëm për vetveten.

Andaj duhet besuar se bashkëpunimi mes Kryetarit ë VV dhe Vjosa Osmanit paralajmëron ardhjen e gjeneratës së politikanëve që kanë guxim të përballen me pyetjen e madhe si ta shpëtosh vendin nga vjedhësit tanë.

Siç duhet besuar se kryetari i VV kurrë më nuk do e përsëris gabimin që bëri pas zgjedhjeve të shkuara parlamentare, kur donte të ndërtojë shtet për popullin me pleqtë e LDK-ë, me ata që me asgjë nuk dallojnë nga vëllazëria e ‘Klanit Pronto’, e të cilët me dekada ndërtuan Kosovë vetëm për vetveten dhe familjarët e tyre. Dhe që popullit dhe vendit të vet iu vërsulen si shpendë grabitqarë.

Po pra duhet besuar se Kosova do votojë për shpresën e pa harxhuar të rinisë shqiptare si dhe për mundësinë që të vijë një gjeneratë e re politikanësh që do dijë ta ndalojë këtë shpopullim të trojeve shqiptare dhe këtë eksod të rinisë sonë.

Sepse nga gjitha eksodet dhe gjenocidet e deritanishme me të cilët është përballur shqiptaria, këto të viteve të fundit, janë më të dhembshëm, më tragjikë dhe më shkatërrimtarë! Mbase pse kanë të bëjnë me keqqeverisjen dhe me të vërtetën se erdhi puna deri aty sa të kesh përshtypjen se “Shqipëritë” tona nuk e duan popullin dhe rininë e vet.

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in BLOG
Tirja dhe katastrofa e paralajmëruar e Rilindjes

Nga Erion Dasho/ Epidemia e COVID-it e nxori zbuluar sistemin shëndetësor shqiptar! Pothuajse asnjë hallkë e ofrimit të shërbimit nuk...

Close