X

SHBA/ Inaugurimi i Joe Biden, 21 mijë gardistë të armatosur në gatishmëri

Të paktën 21,000 trupa të armatosura të Gardës Kombëtare do të angazhohen për ruajtjen e sigurisë në Kapitol para dhe gjatë inaugurimit të Presidentit të zgjedhur Joe Biden më 20 janar.

Nga katastrofat natyrore, te protestat dhe operacionet ushtarake, Garda Kombëtare, forca ushtarake rezervë e Shteteve të Bashkuara është mobilizuar në një sërë situatash brenda dhe jashtë vendit. Anëtarët e kësaj force mbajnë poste civile, ata janë mjekë, inxhinierë, punonjës në zyra ose studentë. Por kur ka një emergjencë, trupat e Gardës Kombëtare mund të thirren për t’i shërbyer menjëherë komunitetit dhe vendit.

Kjo është një ide po aq e vjetër sa vetë kushtetuta amerikane.

“Shumë nga hartuesit e Kushtetutës nuk dëshironin të krijonin një ushtri të rregullt dhe thjesht mbështeteshin në atë që quhej ushtri qytetare, fermerë të cilët, kur të merrnin thirrjen, do të duhej të linin fermat e tyre, të merrnin pushkët dhe të angazhoheshin për shpëtimin (e vendit)”, thotë Peter Feaver nga Universiteti Duke.

Sot, anëtarët e Gardës Kombëtare duhet të jenë mes moshës 17 dhe 35 vjeç. Atyre u kërkohet të marrin pjesë në stërvitje të paktën një fundjavë në muaj dhe ata janë të detyruar të marrin pjesë në një kurs dy-javor një herë në vit.

“Kjo u ofron atyre një shans për t’i shërbyer vendit pa u bërë anëtarë me orar të plotë të ushtrisë amerikane. Ky ndoshta është një opsion jo aqpopullor sa dislokimi në Irak dhe Afganistan, por ende ka një numër të madh njerëzish që vendosin t’i shërbejnë vendit dhe të jenë në shtëpi me një punë të rregullt”, thotë Beth Bailey nga Universiteti i Kanzasit.

Shtetet e Bashkuara kanë 54 njësi të Gardës Kombëtare, një në secilin shtet dhe nga një njësi në Distriktin e Kolumbias, Porto Riko, Guam dhe Ishujt e Virgjër. Guvernatorët e shteteve dhe presidenti i Shteteve të Bashkuara mund t’i mobilizojnë ata në çdo kohë. Që nga fillimi i pandemisë së koronavirusit, ata kanë ndihmuar spitalet dhe qendrat e testimit për Covid-19.​

“Kjo është pjesë e punës sime dhe më pëlqen. Unë u bashkova me ushtrinë për të ndihmuar komunitetin dhe vendin tim”, thotë anëtari i Gardës Kombëtare, Christopher Lambert-Lawson

Megjithëse Garda Kombëtare është e stërvitur ushtarakisht, anëtarët e saj rrallë mbajnë armë për operacionet brenda vendit.

“Veçanërisht pas ngjarjeve në fillim të vitit 1970, kur trupat e armatosura të Gardës Kombëtare nën kontrollin e guvernatorit të Shtetit të Ohajos hapën zjarr ndaj protestuesve në një protestë kundër luftës në Vietnam në Universitetin Shtetëror të Kentit, ka patur një ngurrim të thellë në mesin e një pjese të udhëheqësve të Gardës dhe Departamentit të Mbrojtjes që njësitë e saj të mbajnë armë”, thotë Beth Bailey nga Universiteti i Kanzasit.

Më 6 janar, trupat e Gardës Kombëtare u vendosën në Uashington pasi protestuesit pro-Trump sulmuan Kapitolin. Që atëherë, Pentagoni ka njoftuar se të paktën 21,000 trupa të armatosur të Gardës Kombëtare do të ofrojnë mbështetje në ruajtjen e sigurisë rreth zonës së Kapitolit deri më 20 janar, dita e inaugurimit të Presidentit të zgjedhur Joe Biden./VOA

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in BOTA, LAJME
Koronavirusi arrin dy milionë viktima në gjithë botën, kryeson SHBA, ndjek Brazili

Koronavirusi thuajse një vit nga shfaqja e tij ka arritur në dy milionë viktima ndaj COVID-19 në gjithë botën. Kryesimin...

Close