X

Sfidat e Lulzim Bashës, si mund të vijë në pushtet opozita


Nga Ermal Mulosmani

Vetëm 100 ditë kanë mbetur nga dita kur votuesit e Shqipërisë do t’i drejtohen kutive të votimit. Situata duket më e paqartë se asnjëherë, përtej sondazheve të stisura apo të vërteta që reklamojnë suksesin e njërës apo tjetrës palë.

Edi Rama dhe Partia Socialiste ia arriti përmes ndryshimeve kushtetuese të parandalonte humbjen e saj të garantuar, daljen e të gjithë opozitarëve në një koalicion me lista të veçanta. Duke shfrytëzuar votat e surrogatëve parlamentarë ai copëzoi votën opozitare duke ua vështirësuar mjaft gjendjen parazgjedhore. Një vendim të tillë (ndryshimet kushtetuese) nuk mund të bëheshin kurrë në rast se opozita nuk do braktiste Parlamentin. Ndoshta kjo ishte edhe kostoja më e madhe e atij vendimi, edhe më e madhe sesa dorëzimi i pushtetit lokal.

Tani koalicioni duhet bërë brenda një liste, të përzihen demokratë, lsi-stë, republikanë, ballistë, çamë, agrarë, minoritarë… Të gjithë në një thes.

Në vetvete kjo është një sfidë jo e lehtë. Përveç rivalitetit që ekziston mes kandidatëve demokratë, janë shtuar edhe këto mes aleatëve të vegjël që duan vende të sigurta për tu ndier komodë në zgjedhjen e tyre deputetë me justifikimin që sjellin vota që nuk janë të PD-së, dhe, nëse ata nuk janë aty, këto vota do të shkojnë gjetiu.  Duka  dhe Mediu e kanë lëshuar sfidën hapur çka e vë në pozitë Lulzim Bashën.

Nëse LSI pranon të garojë me lista të përbashkëta me PD-në mundet të jetë një vendim i  mençur për të mos copëzuar votën e për të synuar daljen përpara PS-së, por, nga ana tjetër, mund të sillte një reduktim të përpjekjeve të kandidatëve të të dyja palëve për të mbledhur vota në terren dhe do ketë në finale një rezultat të kamufluar elektoral. Përveç kësaj është edhe ndarja dhe renditja e vendeve në listën e përbashkët, një mundësi sherrnaje dhe sabotimi pa nisur gara…

Në këto kushte PD ka shumë dilema për të zgjidhur. Të hyjë me një listë të vetme e të riskojë gjithçka? Të shtojë votat përmes futjes në listat e saj edhe të aleatëve? Sa vende tu lërë në listë? Si t’i rendisë që edhe t’i kënaqë por edhe të shfrytëzojë aftësitë e tyre për të marrë vota?

Ka nevojë për vendime të forta që duhen marrë me kurajo. Së pari PD ka nevojë të marrë vendime që krijojnë frymë e pastaj me strategji që sjellin vota.

1.

Votuesit opozitarë duan të ndjejnë besimin në fitore, aftësinë e lidershipit të vet për t’i udhëhequr. Nuk ka motivues më të madh për një votues të lodhur nga një keqqeverisje e varfëri ekstreme sesa një sfidë e fortë. Dhe sfida që duhet hedhur është “Lideri i PD-së do të dorëhiqet nëse nuk arrin të rrëzojë nga pushteti Edi Ramën”. Ky deklarim shkon përtej anëtarësisë së PD-së. Lulzim Basha duhet ta kuptojë që është i ikur edhe nëse nuk e rrëzon Ramën këtë radhë, prandaj nuk ka çfarë të humbasë.

2.

Promovimi i skuadrës qeverisëse të PD-së në rast fitoreje. Edi Rama ka qeverisur me figura teknike, pothuaj të panjohura deri sa u bënë ministra. Eksperimentet e tij ishin përtej imagjinatës saqë habitën edhe të emëruarit vetë. Ai krijoi një distancë kilometrike hierarkie me vartësit e tij duke themeluar kështu qeverisjen më autokratike që kemi njohur në këto 30 vjet.

Asnjë shqiptar sot nuk mund të thotë se kush është numri 2 në hierarkinë socialiste megjithëse shumë prej tyre hamenden mes Lindës, Batonit apo emisarëve të tjerë mediatikë. Ky është modeli tipik autokrat që Lulzim Basha duhet të demaskojë përmes një modeli krejt tjetër, me figura të njohura politike ose me reputacion publik. Koha për ta bërë këtë ka kaluar por akoma nuk ka skaduar. Problemet e lidershipit duhet të tejkalohen me emra sa më të besueshëm.

3.

Basha dhe figurat kryesore të PD-së si Bardhi, Paloka etj,(në përgjithësi drejtuesit e qarqeve) duhet që të renditen në vendet e diskutueshme të listës fituese. . Për shembull, nëse Elbasani ka marrë në zgjedhjet e fundit 3 deputetë, atëherë Gazmend Bardhi duhet të jetë numri 4, Lulzim Basha duhej të ishte nr 12 në Tiranë e kështu me radhë.  Ky vendim i guximshëm do të rriste mobilizimin dhe besimin. Krejt e kundërta do të ndodhte nëse këta i prijnë listës. Tregojnë mosbesim dhe dekurajojnë njerëzit. Ky në fakt është një vendim edhe që krijon frymë besimi por edhe strategji elektorale.

4.

Aleatëve dhe kandidatëve që garantojnë vota u duhen lënë në dispozicion vendet e diskutueshme. Psh, në rast se PD në zgjedhjet e fundit ka marrë 5 deputetë në qarkun e Shkodrës nuk mund t’i lërë një renditje më pak se 5 aleatit të vet kryesor atje (Nard Ndoka). Ajo duhet t’i lërë numrin 6 që Nardi ta fitojë me meritë karriken e deputetit. Ose në Durrës Agron Duka duhet të jetë nr 5 që të luftojë për vota pasi mandati është i paqartë (PD në 2017-ën ka marrë vetëm 4 mandate në Durrës). E kështu me radhë Idrizi në Elbasan e Fier, Mediu në Fier apo Tiranë etj. Kjo do të ishte një aleancë e vlefshme, produktive për të dyja palët. Në qoftë se aleatët vendosen në lista të sigurta të PD-së, atëherë, përpjekja e tyre për vota do të vihej në diskutim. PD-ja dhe aleatët duhet të jenë ploësim i nëjri tjetrit jo t’i bëjnë karshillëk.

Të gjitha këto vendime që përmenda kërkojnë aftësi vendimmarrëse, duan kurajo dhe marrje përgjegjësie. Çdo vonesë përkthehet me kosto politike dhe paguhet me 25 Prill!

Nuk ka më kohë për hezitim./Gazeta Express/

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in IDE, LAJME
Kryemadhi takon ambasadoren e Francës: Politika e jashtme duhet të krijojë klimën për investime të huaja

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi zhvilloi këtë të enjte një takim me ambasadoren franceze në vendin tonë,...

Close