X

“Debatuan, njëri i tha se do t’i priste fytin”/ Dosja e SPAK, si u organizua atentati ndaj prokurorit Arjan Ndoja dhe “Rrumit të Shijakut”

SPAK-u tashmë ka mbyllur hetimet për atentatin ndaj prokurorit të Durrësit, Arjan Ndoja, teksa të pandehur janë marrë zyrtarisht Redjan Rraja, si koka e grupit kriminal dhe autor aktiv i ngjarjes, por edhe Ariol Halilaj, pjesë e grupit dhe ndihmës në atentat.

Në dosjen e plotë të Prokurorisë së Posaçme, të siguruar nga gazeta “Panorama”, është renditur e gjithë kronologjia e ngjarjes, ndjekja dhe realizimi i atentatit, gjatë të cilit u vra Andi Maloku, shoferi i prokurorit, u plagos ky i fundit dhe miku i tij Aleksandër Laho, i njohur si “Rrumi i Shijakut”.

29-vjeçari, Ariol Halilaj, me origjinë nga Skrapari, por me vendbanim në Durrës, u arrestua në muajin maj pasi akuzohet se ka qenë bashkëpunëtor në atentatin që iu bë më 1 nëntor të vitit të kaluar, prokurorit Arjan Ndoja.

Ndërsa Redjan Rraja u prangos, teksa po tentonte të largohej nga Shqipëria drejt Malit të Zi, pasi u zbulua nga shenjat e gishtave të gjetura në një palë syze në makinën “Benz” ngjyrë gri. Ai deklaroi se nuk ka marrë pjesë në atentat dhe si alibi është shprehur se në atë kohë ka qenë me të dashurën e tij, modelen Kejvina Kthella.

Megjithatë, Gjykata e ka lënë të riun në burg deri në përfundimin e hetimeve për atentatin.

Më poshtë, pjesë nga dosja e SPAK-ut, ku renditen rrethanat procedurale, rrethanat e faktit, si dhe dëshmi që hedhin dritë mbi ngjarjen dhe autorët e atentatit.

DOSJA E SPAK PER ATENTATIN NDAJ PROKURORIT ARJAN NDOJA ME 01.11.2019 RRETHANAT PROCEDURALE

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, më datë 01.11.2019, ka regjistruar procedimin penal me nr.244 të vitit 2019, për veprat penale “Vrasja e funksionarëve publikë”, mbetur në tentativë, “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, mbetur në tentativë, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit, “Vjedhja” e kryer më shumë se një herë dhe “Grup i strukturuar kriminal”. Mbi bazën e akteve të dërguara nga Prokuroria për Krime të Rënda, Prokuroria e Posaçme ka regjistruar më datën 20.12.2019 procedimin penal nr.184, për këto vepra penale. Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda, me vendimin nr.161, datë 06.11.2019 ka vendosur:

Vleftësimin si të ligjshëm të ndalimit të kryer ndaj shtetasit Redjan Rraja nga oficerët e Policisë Gjyqësore. Caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg” ndaj personit nën hetim Redjan Rraja, 35 vjeç. Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me vendimin nr.46, datë 05.05.2020, ndërmjet të tjerave ka vendosur: Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në burg”, ndaj personit nën hetim Ariol Halilaj, 29 vjeç, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Përkrahja e autorit të krimit”. Më datë 05.05.2020, ora 19:30, Policia Gjyqësore ka ekzekutuar vendimin e Gjykatës duke kapur të hetuarin Ariol Halilaj dhe dërguar në dhomat e paraburgimit të Policisë Durrës.

RRETHANAT E FAKTIT

Në analizë të provave të marra gjatë hetimeve paraprake, fakti penal ka rezultuar si më poshtë:

Shtetasi Arjan Ndoja (viktimë në këtë proces penal) ushtron detyrën e prokurorit në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës. Viktima, Andi Maloku, ishte i punësuar si shofer i familjes së prokurorit Arjan Ndoja. Më datën 01.11.2019, shtetasi Andi Maloku, si shofer i shtetasit Arjan Ndoja, drejtonte automjetin me targë AA 333 ZD, në pronësi të familjes Ndoja. Rreth orës 13:00-14:00 të kësaj date, shtetasi Arjan Ndoja ka shkuar për të drekuar në lokalin “K…”, i cili gjendet në Lagjen Nr.13 Durrës. Kur ka shkuar te ky lokal, fillimisht ka gjetur shtetasin Enved Shala së bashku me një mik të tij, që e thërrisnin Prek.

Pak më vonë, në tavolinë ka ardhur edhe shtetasi Pëllumb Muharremi (Aleksandër Laho). Pasi kanë ngrënë drekë, grupi i personave është shpërndarë, ku shtetasi Enver Shala është larguar me mikun e tij, kurse shtetasi Arjan Ndoja dhe Pëllumb Muharremi (Aleksandër Laho) kanë hipur në automjetin tip “Benz” me targë AA 333 ZD, i cili drejtohej nga shtetasi Andi Maloku. Më konkretisht, shtetasi Arjan Ndoja është ulur në sediljen e parë të pasagjerit, shtetasi Pëllumb Muharreimi në sediljen prapa, ndërsa shtetasi Andi Maloku si drejtues i automjetit. Pas makinës me targë AA 333 ZD ishte automjeti që drejtohej nga shtetasi Stiven Mëziu, me targë AA 343 VT.

Shtetasi Stiven Mziu ishte i punësuar si shofer i shtetasit Pëllumb Muharremi dhe pikërisht ai e kishte çuar shtetasin Pëllumb Muharremi te restoranti “K…”, ku do të darkonte me shtetasin Arjan Ndoja dhe të tjerë. Automjetet, me targë AA 333 ZD, që drejtohej nga Andi Maloku dhe me targë AA 343 VT, që drejtohej nga Stiven Mziu udhëtonin njëri pas tjetrit. Rreth orës 16:00, në autostradën Durrës-Tiranë, në afërsi të mbikalimit të Shkozetit, disa persona me një automjet “Benz”, ngjyrë gri, që mbante të vendosur targën AA 342 LM, kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit me targë AA 333 ZD, me të cilin udhëtonin Andi Maloku, Arjan Ndoja dhe Aleksandër Laho, ku për pasojë këta shtetas kanë marrë plagë të shkaktuara nga qitja me armë zjarri. Si pasojë ka gjetur vdekjen në spital shtetasi Andi Maloku, kurse shtetasit Arjan Ndoja dhe Aleksandër Lajo kanë marrë plagë me armë zjarri dhe i janë nënshtruar mjekimit në spital.

Ngjarja ka ndodhur në ecje e sipër të automjeteve me drejtim lëvizjeje Ura e Dajlanit-Shkozet, ku automjeti i autorëve për disa metra ka ecur pas automjetit të të dëmtuarve dhe në një moment ka kaluar përbri tyre dhe nga brenda këtij automjeti autorët kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit me targë AA 333 ZD, ku predhat kanë goditur dhe përshkuar në xhamat dhe kabinën e automjetit, disa prej të cilëve kanë goditur të plagosurit. Në rrethanat e mësipërme, drejtuesi i automjetit me targë AA 333 ZD ka humbur kontrollin e drejtimit të automjetit dhe ka devijuar duke dalë jashtë korsisë dhe rrugës në anën e djathtë të lëvizjes, derisa ka ndaluar në bar dhe shkurre.

Në vendin e ngjarjes ku ndodhej automjeti i të plagosurve është bërë këqyrja e vendit të ngjarjes, automjetit me targë AA 333 ZD, në të cilin janë evidentuar dëmtime të shkaktuara nga predha arme zjarri. Janë këqyrur sende që kanë lidhje me vendin e ngjarjes, përshkruar hollësisht në aktet procedurale. Në aktin e ekspertimit nr.1290, datë 25.11.2019, konkludohet ndërmjet të tjerave se:

Nga mostra e ekzaminuar mbi bazën e ADN-së së përgatitur nga tamponi me material biologjik-pështymë, marrë shtetasit Redjan Rraja, model krahasimi i këtij ekspertimi, u përftua një profil gjenetik i plotë me karakteristikat e përshkruara. Nga krahasimi i profileve gjenetike, rezulton se profili gjenetik i shtetasit Redjan Rraja i përftuar nga prova materiale, model krahasimi i këtij akti ekspertimi është:

I përfshirë plotësisht në profilet gjenetike miks të përftuara nga mostrat e përgatitura nga syzet “Emporio Armani”, nga xhupi me mbishkrimin “Reflected”, nga dorezat tekstile e zezë, nga doreza me mbishkrimin “Size 10”, nga kapuçi i zi, nga tutat e zeza me mbishkrim “HM”, marrë gjatë këqyrjes së makinës me targë AA 342 LM. Në materialet e fiksuara si provë materiale në vendin e ngjarjes “këqyrje mjeti”, top “Benz” me targë AA 342 LM, i gjetur i braktisur në Shkafanë, Ishëm, Durrës, këqyrje e realizuar më datë 01.11.2019, në ambientet e garazhit të Policisë Shkencore në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, u përftuan gjurmë papilare, të vlefshme për identifikim.

Hetimet kanë provuar se për realizimin e ngjarjes së datës 01.11.2019, autorët kanë përdorur automjetin tip “Benz”, me ngjyrë gri, që mbante të instaluar targën AA 342 LM. Automjeti në fjalë ishte në pronësi të shtetasit Erigen T., i cili ishte i punësuar si agjent shitjesh në një kompani në autostradën Tiranë-Durrës. Ky shtetas ka deklaruar se automjeti në fjalë është në pronësi të tij dhe se kishte targën AA 656 OA. Këtë automjet ai e ka parkuar më datë 05.09.2019 rreth orës 20:00, në një rrugicë para pallatit ku banon. Më pas ai është larguar nga banesa dhe më datë 06.09.2019, rreth orës 06:00 të mëngjesit, kur ka shkuar te vendi ku e kishte parkuar, ka gjetur një mjet tjetër tip “Fiat”.

DËSHMITARËT

U është marrë deklarim djemve të mitur të shtetasit A.P., shtetasve V.P. dhe L.P., të cilët kanë parë autorët kur po braktisnin makinën e atentatit në Shkafanë të Ishmit. Ata kanë dhënë shpjegimet si më poshtë: V.P ka deklaruar se: “Ka qenë data 1 nëntor 2019 dhe rreth orës 16:15, ishte ende pa u errësuar. Unë isha me vëllain e vogël që e quajnë R. dhe po qëndronim te vendi që ne i themi ‘trualli’ që është rreth 100 m larg banesës tonë.

Trualli është në anë të rrugës kryesore që të çon në fshatin Lalëz, në Ishëm. Atje, unë me vëllezërit kisha shkuar para një ore për të bërë dru. Isha fillimisht me dy vëllezërit, pasi ishte edhe L., vëllai i dytë imi, por para se të vinte mjeti ‘Benz’, L. ishte larguar për në shtëpi, nuk ishte aty. Në kohën që unë dhe vëllai i vogël ishim duke marrë dru në pyll dhe po i nxirrnim me krahë te sheshi, në truall kam parë se ishin hequr shkurret te hyrja për te shtegu i truallit. Shkurret ishin shpërndarë në shesh dhe aty në shesh kam parë se ishte parkuar një makinë tip ‘Benz’, me ngjyrë gri. Mjeti ishte parkuar në drejtim për nga faqja e dheut dhe nuk dukej nga rruga. Ishte si vend i fshehur.

Unë dhe vëllai i vogël u afruam te makina dhe pamë dy persona, të cilët ishin të kërrusur me gjysmë trupi në brendësi të makinës, ku njëri prej tyre ishte në njërën anë të makinës te dera dhe personi tjetër i kërrusur me kokë për nga dera e pasme në krahun tjetër të makinës. Në një moment të dy personat u ngritën dhe mbyllën dyert e pasme të makinës dhe veshën xhupat. Personi që ishte veshur me xhup të kuq deshi të hapte bagazhin e makinës, por bagazhi nuk u hap dhe të dy filluan të ecnin në këmbë, duke ardhur për nga shtegu i hyrjes për në truall. Në hyrje të truallit, në anë të shtegut isha unë dhe vëllai dhe të dy personat kaluan në këmbë afër nesh, 2 metër larg.

Njëri prej tyre na përshëndeti duke thënë ‘Si kaluat çuna?’ dhe dolën në rrugë kryesore duke u larguar me vrap nga drejtimi poshtë, në drejtim të fshatit Shkafanë. Pas largimit të personave, unë afrohem te makina dhe nga distanca kam parë se ishin dy armë në sediljen e makinës dhe të trembur u larguam me vëllain në shtëpi. Gjatë rrugës kam marrë babin në telefon dhe i tregova se te trualli ka ardhur një makinë me dy persona dhe janë larguar duke lënë makinën aty dhe se kam parë në makinë dy automatikë. Kam fiksuar dhe mbaj mend se dy personat ishin në moshën rreth 30-35 vjeç, ku njëri, ai që kishte veshur një xhup të kuq, kishte hedhur kapuçin në kokë dhe ishte i gjatë me trupin e babit tim, rreth 180 cm.

Ky person kishte trup pak të mbushur dhe kur kaloi afër nesh na përshëndeti dhe i kam fiksuar në fytyrë që te mjekra kishte një vizë me qime të zeza si borseta të holla. Personi tjetër ishte më i dobët dhe më i shkurtër se personi i parë dhe mbante veshur një triko me ngjyrë gri, me kapuç të hedhur në kokë. Ky person kaloi afër nesh, por uli kokën dhe nuk na foli”.

Dëshmitari tjetër i mitur, L., ka deklaruar ndër të tjera se: “Kujtoj se atë ditë kam qenë në shkollë dhe pasdite kam shkuar te toka bashkë me dy vëllezërit e mi, ku toka jonë është më sipër për nga Lalëzi, rreth 100 metër nga banesa. Rreth orës 16:00, unë kam lënë dy vëllezërit te toka dhe kam ardhur në këmbë për në shtëpi që të merrja ujë për t’ua çuar vëllezërve. Mora ujin, si dhe biçikletën e dola nga porta. Ndërkohë që po e mbyllja atë, shikoj që nga poshtë vijnë dy makina dhe ndalojnë paralelisht me banesën tonë.

Njëra makinë ngjyrë gri, tipi ‘Benz’, veturë dhe pas kësaj ishte e ndaluar makina tip ‘Benz’, tipi 190, ngjyrë e bardhë. Kam parë që nga makina gri zbresin dy persona, shoferi dhe pasagjeri dhe nga makina tjetër dolën 4 persona, shoferi dhe 3 të tjerë dhe takohen në mes të dy makinave. Dëgjoj që po flisnin me njëri-tjetrin, duke folur me zë të lartë dhe gjatë debatit njëri nga personat që ishte te ‘Benz’- i i bardhë i thotë njërit nga personat që ishte te ‘Benz’-i gri: ‘…pse se përfundove punën ju q… robt?’. Ky personi që i tha këto fjalë kishte dhe një thikë në dorë dhe i thotë atij personit tjetër: ‘… do ta pres fytin…”.

Unë pasi mbylla portën kam lëvizur me biçikletë dhe ndërkohë shikoj që personat hipën në makinat e tyre. I trembur nuk shkova për nga toka, por ika për nga fshati Shkafarë. Kisha ecur pak metra nga shtëpia dhe pashë që mjeti ‘Benz’, ngjyrë e bardhë, kthehet në vend dhe ikën për poshtë, kurse mjeti tjetër nuk e di se në çfarë bëri e nga iku. Më pas, kur kam shkuar në darkë, rreth orës 18:00 te banesa, kam parë që kishte ardhur Policia dhe mora dijeni që te toka, kur ndodheshin dy vëllezërit, kishte hyrë një makinë tip ‘Benz’.

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in AKTUALITET, LAJME
Nesër ulen akoma temperaturat, ngrica të forta në rrugë/ Sinoptikanët: Bora rikthehet në mbrëmje!

Reshjet e shiut dhe të dëborës do të jenë të pranishme deri në orët e para të mëngjesit të së...

Close