X

Deponimet për teknikun e televizorëve të Burrelit: “Ju tiranasit s’jeni gjë, pasi Ballukun që kishit në qeveri, u’a hoqën dhe tani e kanë marrë në dorë lebërit…”


Publikohen disa dokumente arkivore të cilat janë pjesë e një dosje voluminoze të nxjerrë nga Autoriteti për Informim i Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit (A.I.D.S.SH) ku bëhet fjalë për Bujar Muharrem Dokun, ish-punonjës i Ndërrmarjes Komunale të qytetit të Burrelit me profesion radio-teknik në repartin e Riparim-Shërbimeve, ku ai shërbeu nga viti 1964 deri në vitin 1977, kur u arrestua nga Sigurimi i Shtetit dhe u dënua me 7 vjet heqje lirie për “veprimtari armiqësore”, me akuzën e “agjitacion-propagandës”, etj. E gjithë dosja hetimore dhe gjyqësore e Bujar Dokut, me akuzat ndaj tij si dhe me emrat e Punëtorëve Operativë, drejtuesëve të Degës së Punëve të Brendëshme të rrethit të Matit, hetuesëve, prokurorëve, gjyqtarëve, dëshmitarëve, e deri tek punonjësit e ndërrmarjes ku ai punonte, të cilët dëshmuan në hetuesi dhe në gjyqin kundër tij.

“I pandehuri Bujar Doku, duke qënë një element i degjeneruar, si dhe duke bërë një jetë të ç’thurur, i predispozuar për t’ju kundërvënë vijës politike, dhe praktikës revolucionare të partisë dhe shtetit tonë, i zhytur fizikisht dhe ndërgjegjërisht në propagandën e fëlliqur të armiqve të jashtëm të RPS të Shqipërisë, të social-imperialistëve sovjetikë, është futur prej kohësh në rrugë koshiente, në veprimtari armiqësore prej disa vitesh, dhe në takime me njerëz të kallëpit të tij, ka zhvilluar një aktivitet të vazhdueshëm agjitacioni dhe propagande kundër pushtetit popullor, kundër vijës politike të partisë sonë, me qëllimin direkt që të minojë dhe shkatërrojë pushtetin e klasës, dhe diktaturën e proletariatit në vëndin tonë. Ndryshe nga i gjithë populli, ky i pandehur mendonte se prishja e marrdhënive ndërmjet Bashkimit Sovjetik dhe Shqipërisë, ishte për fajin e Partisë sonë. Këto mendime ia ka shprehur dëshmitarit J. F ., duke i thënë se udhëheqja sovjetike është në rrugë të drejtë, ndërsa ajo shqiptare është në rrugë të gabuar, dhe këto nuk ndjekin një politikë të pavarur. Ai e shtrin aktivitetin e tij armiqësor më thellë duke thënë se qeveria shqiptare. Qeveria shqiptare njëherë deklaron se jemi me jugosllavët, pastaj me sovjetikët, ndërsa tani është prishur me të dyja këto vënde. I pandehuri në bisedat që ka zhvilluar me këtë dëshmitar, ka mburrur muzikën e huaj, sidomos atë italiane dhe jugosllave, duke i krahasuar ato me atë shqiptare. Ai ka thënë se muzika jonë, nuk është gjë në krahasim me këto të dyja. Po kështu i pandehuri Bujar Doku duke rënë në prehrin borgjezo-revizionist të armikut të brëndshëm, është bërë tellalli i zakonshëm, i tyre. Ai, injoron muzikën tonë të bukur që pëlqehet nga njerëzit, sepse është e bazuar në tabanin popullor, dhe ajo i këndohet punonjësve tanë dhe veprave madhështore, që ja ndryshuan pamjen atdheut….”!

 

Kështu thuhet në mes të tjerash në dosjen hetimore dhe gjyqësore të Bujar Dokut, ish-punonjës në Ndërmarrjen Komunale të qytetit të Burrelit, me profesion radio-teknik në Repartin e Riparim Shërbimeve, i cili u arrestua nga Sigurimi i Shtetit në qershorin e vitit 1977 dhe u dënua me shtatë vjet heqje lirie “për veprimtari armiqësore” me akuzën e “agjitacion-propagandës”, etj. Lidhur me këtë, Memorie.al disponon dosjen e plotë në ngarkim të Bujar Dokut, e cila është nxjerrë nga Autoriteti për Informim i Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit (A.I.D.S.SH.) dhe do ta publikojë në disa numra rradhazi, (me faksimilet përkatëse dhe në versionin origjinal siç janë shkuar nga autoritetet përkatëse të asaj kohe) së bashku dhe me një intervistë të djalit të tij, Muharrem Dokut, me profesion jurist dhe me banim në qytetin e Durrësit.

Deponimet e dëshmitarëve ne hetuesinë e Burrelit për Bujar Dokun

“Bujari më tha se në Burrel ka vetëm oficerë që janë ta pamoderuar, se vijnë nga fshati”

                                    Proces-verbal i pyetjes së dëshmitarit

Në lidhje me çështjen mund të them si më poshtë:

Nga viti 1971, deri në vitin 1976, kam qenë inxhinier radiosh në Repartin Ushtarak 3711 Burrel. Nga fillimi i vitit 1972 jam njohur me Bujar Dokun, radioteknik në Repartin e Riparimit – Shërbimeve të Burrelit. Me Bujarin na lidhi më tepër profesioni se si ai edhe unë kishim një profesion, pavarësisht se unë isha me shkollë të lartë. Gjatë kësaj kohe kemi bërë me Bujarin biseda të ndryshme. Kështu më kujtohjet se ka qenë viti 1973 dhe unë isha tek Laboratori i Radiove, ku punonte Bujari, gjatë bisedës aty në lidhje me stacionet televizive Italiane dhe Jugosllave, janë shumë të fuqishme dhe me programe të pasura, kurse ky i yni nuk ka stabilitet pune, mbasi është marrë nga Kina dhe kinezët kësaj rradhe po e provojnë për herë të parë tek ne.

Nuk më kujtohet me saktësi, por duhet të ketë qenë muaji nëntor ose dhjetor i vitit 1973, dhe mua më kishin caktuar për të rregulluar, ose më mirë të them për të ndërtuar repetitorin e Lisit, këtë gjë e kishte marrë vesh edhe Bujar Doku dhe një ditë duke ecur me të para Postë-Telegrafës në Burrel, Bujari më thotë që ne shqiptarët nuk jemi në gjëndje të ndërtojmë repetitorë, repetitorë ndërton bota jashtë, mbasi aty ka bazë materiale teknike modern, kurse ne nuk kemi dhe sado që të mundohemi nuk i arrijmë dot ata.

Nuk më kujtohet me saktësi por ka qenë fillimi i vitit 1974 dhe unë isha në laborator tek Bujari, aty erdhi një klient dhe i solli një radio transistor nga ato që prodhonte Durrësi, mbasi iku ai, Bujari më tha se këto radio që prodhon Durrësi, janë shumë difektoze, kurse bota jashtë këto radio transistor i ka perfekte.

Ka qenë fundi i vitit 1973 dhe kam qenë po në laborator me Bujarin. Bujari po rakordonte disa radio që kish rregulluar por te stacioni i Italisë dhe gjatë bisedës ra fjala për programet televizive dhe për muzikën, e Bujari më tha që stacioni italian i televizionit dhe ai Jugosllav kanë programe të bukura edukative e të pasura, ai vazhdoi duke thënë se Italianët kanë lindur vetëm për muzikë, bile thoshte Bujari se edhe vetë gjuha italiane ka muzikalitet dhe kur unë e kundërshtova për këtë e i thashë se mua më pëlqen më tepër muzika popullore shqiptare e sidomos ajo labe, ai më tha që ti je mbrapa botës, je katundar dhe nuk merr vesh. Këtë lloj bisede, Bujari mua ma ka thënë disa herë. Bile në këtë rast, Bujari, më ka thënë se muzika Italiane është e bukur dhe atë duhet ta dëgjojnë të gjithë njerzit, kanë nevojë të njihen me gjithë botën dhe këtë duhet ta bëjmë nëpërmjet radios e televizionit.

Bujari fliste shumë keq për oficerët. Kështu kur unë isha oficer, duhet të ketë qenë muaji Mars ose Prill i vitit 1975 dhe isha me Bujarin te Klubi i Oficerave, në darkë ishim ulur dhe Bujari gjatë bisedës më tha se: këtu në Burrel ka vetëm oficerë dhe këta oficerët nuk janë njerëz të moderuar se kanë ardhur të gjithë nga fshati dhe po t’i pyesësh, të gjithë janë lebër. Mua më tha se: ju lebrit e keni të gjithë gjoksin gropë dhe thoni se vetëm ju e keni bërë Luftën dhe duke ironizuar oficerët, tha se: tani është bërë që po të hedhësh grepin në lumë kap një krap dhe po të hedhësh grepin në lumin Lanë të Tiranës, kap një lab. Këtë bisedë për oficerët, Bujari ma ka thënë disa herë, por në kohë dhe në vënd më kujtohet ky rast që thashë më lart.

Për sa thashë janë të vërteta dhe mbasi i lexova i firmosa.

Dëshmitari                                                          Hetuesi

   I.R.                                                              Maksi Ostreni

 

“Bujari dëgjonte muzikën italiane dhe më thoshte se njerzit e pushtetit janë pa karakter”

                                                             PROCES – VERBAL

                                                       (i pyetjes së dëshmitarit)

Sot në datë 29.9.1977, në qytetin e Ballshit, unë hetuesi Maksi Ostreni, mora në pyetje dëshmitarin J.F. Emri, emri i babait, mbiemri, J.F. Viti dhe muaji i lindjes, 1933. Vëndbanimi, Reparti 109, Ballsh. Detyra, i dënuar. Antar partie, jo. A është i dënuar, po. Me letër njoftimi, nuk e ka me vete. Marrdhëniet me të pandehurin, indiferent. Hetuesi më paralajmëroi mbi përgjegjësinë penale, në bazë të nenit 220 të K.P. për dëshmi të rreme.

Firma e dëshmitarit

J.F.

Në lidhje me çështjen mund të them si më poshtë.

Gjatë kohës që kam punuar si radioteknik në Burrel, jam njohur me Bujar Dokun, që është me banim po në Burrel, dhe në punë ky ka qënë radioteknik po aty. Gjatë kohës që kam qënë aty kam krijuar dhe shoqëri me të. Gjatë bisedave të ndryshme që kam bërë me të, më është shprehur përherë se përfaqësuesit e pushtetit, janë pa karakter, gënjejnë, dhe nuk na lejojnë që ne të rinjtë të bëjmë si të duam. Bujari ndigjonte muzikën italiane dhe jugosllave. Ai fliste keq për kompozitorët dhe muzikën tonë. Nuk më kujtohet me saktësi por duhet të ketë qënë viti 1963, kur gjatë bisedave me Bujar Dokun, ai më ka thënë se udhëheqja sovjetike është në rrugë të drejtë, ndërsa ajo shqiptare nuk është në rregull, pasi nuk ndjekin një politikë të pavarur. Njëherë thanë rroftë Tito, pastaj rroftë Hrushovi, ndërsa tani, nuk janë as me njërin dhe as me tjetrin. Këta janë njerëz të trashë dhe analfabetë. Jo vetëm udhëheqësi por dhe punonjësit e aparatit dhe organeve të këtij pushteti. Të tilla biseda Bujari, më ka bërë vazhdimisht deri në vitin 1965, kohë në të cilën unë, u arrestova.

Dëshmitari                                                                      Hetuesi

 J.F.                                                                             Maks Ostreni

 “Bujari më tha: ç’tu desh ty që u bëre oficer, do ishe rehat civil në Tiranë”?

                                                            PROÇES – VERBAL

                                                        (i pyetjes së dëshmitarit)

Sot në datë……. në qytetin e Burrelit, unë hetuesi Maksi Ostreni, mora në pyetje dëshmitarin, M.S. Emri, emri i babait, mbiemri, M.S. Viti dhe muaji i lindjes, 1946. Arsimi, i lartë. Vëndbanimi, Reparti 321 Burrel. Detyra, i dënuar. Antar partie, jo. A është i dënuar, po. Me letër njoftimi, nuk e ka me vete. Marrdhëniet me të pandehurin, ……. Hetuesi më paralajmëroi mbi përgjegjësinë penale, në bazë të nenit 220 të K.P. për dëshmi të rreme.

Firma e dëshmitarit

 M.S.

Në lidhje me çështjen mund të them si më poshtë.

Unë me Bujar Dokun, jam njohur dhe kam krijuar shoqëri aty nga viti 1974, pasi kam mbaruar universitetin si inxhinier dhe isha në punë në repartin 3711. Unë vazhdimisht shkoja tek reparti i radiove, ku Bujari ishte radioteknik. Sa herë që unë shkoja tek laboratori, Bujari, e hapte radion pothuajse në maksimum tek stacionet italiane dhe jugosllave, dhe dëgjohej jashtë në rrugë. Unë për këtë muzikë, shprehja admirimin tim dhe Bujari, më përkrahte në pëlqimin e muzikës së huaj. Më thoshte se kjo muzikë të kënaq. Mesa kam vënë re Bujari, asnjëherë nuk e hapte radion tek stacioni i Tiranës, me përjashtim të atyre herëve kur shikonte sportin. Me Bujarin flisnim shpesh me admirim për stacionet italiane dhe jugosllave. Po kështu ai fliste mirë dhe për teknikën gjermane dhe atë hungareze, dhe thoshte se radiot gjermane janë më cilësore se ato kineze. Teknika jonë dhe ajo kineze, janë shumë të prapambetura në krahasim me atë amerikane, franceze, dhe gjermane. Ndërsa kur u godit grupi i Beqir Ballukut, unë shkova tek laboratori i tij dhe ai më tha, nuk paskeni qënë gjë ju tiransit. Dhe një që patët në qeveri, jua hoqën, ndërsa tani e morën në dorë lebërit. Në një rast ai më tha që ç’tu desh ty të bëheshe oficer, ishe rehat civil në Tiranë. Një ditë një person erdhi tek laboratori dhe e pyeti Bujarin, se ku kishte humbur. Ky i tha se nuk po na linin rehat me këto aksione dhe të dielave. Po kështu fliste vazhdimisht me admirim të madh për teknikën e huaj, dhe nënvlerësonte atë shqiptare. Për sa thashë janë të vërteta dhe pasi i lexova, i firmosa.

Dëshmitari                                                                      Hetuesi

     M.S.                                                                         Maksi Ostreni

 Përgjegjësi: “Nuk di të them nëse Bujari ka abuzuar apo jo me çmimet”!.

                                                                      PROÇES – VERBAL

                                                                    (i pyetjes së dëshmitarit)

Sot në datë 10.9.1977, në qytetin e Burrelit, unë hetuesi Maksi Ostreni, mora në pyetje dëshmitarin Abaz Kadiu. Emri, emri i babait, mbiemri, Abaz Kadiu. Viti dhe muaji i lindjes, 1945. Arsimi, i mesëm. Vëndbanimi, Burrel. Detyra, teknik radiotelevizorësh. Antar partie, jo. A është i dënuar, jo. Me letër njoftimi, nuk e ka me vete. Marrdhëniet me të pandehurin, indiferent. Hetuesi më paralajmëroi mbi përgjegjësinë penale, në bazë të nenit 220 të K.P. për dëshmi të rreme.

Firma e dëshmitarit

 Abaz Kadiu.

Në lidhje me çështjen mund të them si më poshtë.

Duke filluar që nga muaji shtator i vitit të kaluar, kam qënë dhe jam përgjegjësi i laboratorit të riparimit të radiotelevizorëve në Burrel. Aty kam pasur si teknik dhe Bujar Dokun, i cili ka shkuar nëpër fshatra për riparim televizorësh rreth 10 herë. Di të them, se ne si riparues radiosh dhe televizorësh, nuk kemi pasur çmime për punën nëpër fshatra. Dhe kohën që humbnim nëpër udhëtime, na përfshihej në rrogë sepse e kemi pasur punën me normë. Si rregull që e kanë dhe rrethe të tjera, është se klienti që bën porosinë për riparime në shtëpi, paguan një sasi lekësh për kohën e humbur dhe vajtjen e tij në shtëpi. Këtë si rregull e kanë shumë rrethe por ne nuk e kemi. Madje këtë problem unë e kam ngritur dhe në seminarin që u bë në Korçë nga Drejtoria e Përgjithëshme e Komunales, në muajin maj. Për mënyrën e shpërblimit të teknikëve i kam thënë që do ta rregullojë seksioni ekonomik i Komitetit Ekzekutiv. Por ende nuk e ka rregulluar. Me rastet e vajtjeve nëpër fshatra ndërmarrja ka humbje 60 përqind, ndërsa tekniku 40 përqind. Unë nuk di që të kem shënuar ndonjëherë në fletëporosi më tepër difekte seç ka pasur në fakt televizori. Kurse Bujar Doku, nuk di të them nëse e ka bërë ose jo këtë gjë. Di të them se rroga mesatare si e imja ashtu dhe e Bujar Dokut, gjatë kohës që unë jam përgjegjës, është 400 lekë. Për sa thashë janë të vërteta dhe pasi i lexova, i firmosa./Memorie.al

Dëshmitari                                                             Hetuesi

Abaz Kadiu                                                         Maks Ostreni

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in Magazine
Greg Rama flet për koret “Rama ik!”: S’më vjen mirë…

Derbi Tirana-Partizani ishte tema e emisionit sportiv “Pasó”, ku në një lidhje telefonike ishte edhe djali i kryeministrit Edi Rama,...

Close