X

Bilanc në Ditën e Pavarësisë, pse u ftohën marrëdhëniet me Kosovën dhe u forcuan me Serbinë


Kryeministri  Edi Rama i dërgoi një urim ish-Presidentit, Hashim Thaçi sot në Ditën e Pavarësisë. Ai e ka përzemër retorikën kombëtare dhe bashkimin kombëtar, prandaj nuk ka munguar edhe sot t’i mëshojë simbolikës. Por, sot është dita që të shohim se sa kryeministri Rama e ka afruar apo larguar Kosovën me Shqipërinë.

Mbledhjet e përbashkëta

Kryeministri Rama ka zhvilluar 6 mbledhje të përbashkëta të qeverive dy vendeve, ku janë miratuar mesatarisht 14 marrëveshje dhe protokolle për çdo seancë.

Më 11 janar 2014, mbledhja e parë u vendos të mbahej në qytetin e Prizrenit, dhe nga atje të dy krerët e qeverisë Edi Rama dhe Hashim Thaçi, e cilësuan këtë si “takim që shënon kapitull të ri dhe dërgon mesazhin evropian për të gjithë, mesazhin e rajonit me kufi të hapur dhe pa barriera të së kaluarës”.

Steka po ngrihej lart më në fund. Vazhdoi tradita me kryeministrin Mustafa dhe më pas me kryeministrin Haradinaj. Ky i fundit, nuk i pëlqente Ramës se i thoshte gjërat troç.  Haradinaj kishte qëndrim kundër tarifës në Rrugën e Kombit, por Rama kishte agjendë tjetër. Haradinaj i vendosi taksë 100% mallrave serbe në doganë, ndërsa Rama dukej i interesuar sëbashku me Vuçiç dhe Thaçin, për një marrëveshje Kosovë-Serbi, duke mos e përjashtuar shkëmbimin e territoreve.

Në këto kushte u mbajt në Pejë, Kosovë, mbledhja e 5-të e përbashkët ndërmjet qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës. Rama mbajti një fjalim patriotik.

Duke cituar Faik Konicën, ai tha: “Zemra e nji shqiptari t’vërtet do të lakmonte bashkimin nder vedi; Gegë, Toskë të jemi njimendjet e një zemret, mos të degatohemi (ndahemi) ndër erë për në dashtshnim këtë Shqypni, kaq të mirë e të hijshme”.

Dhe më tej premtoi  “Zero tarifa dhe zero barriera jotarifore brenda gjashtëmujorit të parë të vitit të ardhshëm mes Shqipërisë dhe Kosovës. Jemi mbledhur 5 herë, sot është koha për të pasur tarifa zero në jug të Kosovës. Së dyti, duhet të shkojmë drejt bashkimit doganor. Tranzit në 1 janar në Portin e Durrësit për Kosovën dhe hapa të tjerë brenda 6 mujorit të ardhshëm drejt bashkimit doganor.

Një palë dokumente dhe brenda 6 mujorit, çfarë jepet në Kosovë si dokument, duhet të konsiderohet dokument i nxjerrë në Shqipëri. Ne nuk jemi shqiptarët dhe serbët, ne jemi shqiptarët dhe shqiptarët. Pika e unifikuar kufitare e Morinës dhe lehtësimi total i qarkullimit të njerëzve e mallrave mes dy shteteve është hapi që ne do ta hedhim. Brenda perimetrit duhet të funksionojmë si një kufi pa kufi”.

Kaloi 1 janari dhe bashkimi që tha kryeministri Rama nuk ndodhi. Kryeministrat e Kosovës, në dallim nga Thaci dhe Mustafa, po i kërkonin Ramës të mbante fjalën.

Në konferencën e përbashkët për shtyp në Tiranë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, Rama u tha se kanë rënë dakord të zhvillojnë në fund të muajit mars mbledhjen e  përbashkët të dy qeverive. Marrëdhëniet e tyre ishin të ftohta, sepse Kurti kërkonte forcimin e raporteve Kosovë -Shqipëri, së pari dhe në rend të dytë me vendet e tjera të rajonit. Kurse Rama donte Mini-Shengenin që kishte rëndë dakord me Presidentin e Serbisë, Vuçiç.

Kryeministri Hoti vuri kusht që në mbledhjen e radhës mes dy qeverive të bëhej bilanci i marrëveshjeve që nuk janë zbatuar dhe të mos firmoseshin protokolle që mbeten në letër. Kjo u reflektua në një shtyje të pazakontë. Qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë,  mbledhjen e përbashkët të 25 shtatorit në Shkodër e shtynë të mbahej në 2 tetor në Tiranë.

Unë kam kërkuar që këto marrëveshje të cilat do të nënshkruhen të gjejnë zbatim patjetër, ose nuk do të nënshkruhen përndryshe, unë kam kërkuar nga ministrat e linjës, sigurisht edhe për marrëveshjet e mëparshme të cilat nuk kanë gjetur zbatim, pra t’i shohin, t’i japin rëndësi edhe atyre e të fillojnë të paktën në këtë kohë të zbatohen”, u shpreh znj. Balaj-Halimi.

Një prej tyre është marrëveshja e zhdoganimit të mallrave në portin e Durrësit që destinacion kanë Kosovën, por që nuk po zbatohet.

BE: Shqipëria dhe Kosova ulën vrullin e marrëdhënieve

Për të matur rezultatin mbledhjeve dhe deklaratave të Ramës na vijnë në ndihmë edhe raportet e Komisionit Evropian për Shqipërinë në viitet 2018, 2019 dhe 2020.

Sipas raportit të të fundit të Bashkimit Evropian, Shqipëria ka bërë hapa pas në marrëdhëniet me Kosovën  gjatë vitit 2020, ndërsa me Serbinë ka arritur t’i ketë për herë të parë të shkëlqyera . Këto të dhëna janë në tetor 2020 nga Komisioni Evropian.

Raporti, në kapitullin për fqinjësinë, nënvizon  se me Kosovën marrëdhëniet janë “të mira”, por një vit më parë shënonte se ishin “shumë të mira”.  Përkundrazi me Serbinë kemi ngritje të nivelit të bashkëpunimit në fushën e biznesit në “marrëdhënie të mira” në përgjithësi. Pra, e theksojmë për herë të parë, Shqipëria, sipas BE-së, i ka njësoj raportet si me Serbinë, ashtu edhe më Kosovën.

Rënia e nivelit nga “shumë mirë” në “mirë” në marrëdhëniet me Kosovën i takon kohës kur në pushtet erdhi Vetvendosja. Kjo periudhë është mbizotëruar edhe nga diskutime për rinisjen e dialogut Kosovë-Serbi.

“Niveli i këtyre marrëdhënieve u lëkund për shkak të dinamikës së brendshme politike në Shqipëri dhe Kosovë dhe pozicionimit të udhëheqjes përkatëse në dialogun e lehtësuar nga BE midis Beogradit dhe Prishtinës”, thekson raporti.

Në vitin 2018, Shqipëria kanë qenë duke forcuar marrëdhëniet në fushën e biznesit me Serbinë. Në 2019, marrëdhëniet “kanë mbetur përgjithësisht të mira”. Ndërsa në vitin 2020, “marrëdhëniet me Serbinë janë të mira”, gjë që tregon një kurbë në rritje.

Komisioni Evropian vëren se “Marrëdhënia e Shqipërisë me Serbinë është e mirë. Liderët e dy vendeve takohen rregullisht në eventet rajonale dhe ndërkombëtare. Vendet nënshkruan një memorandum mirëkuptimi në fushën e arsimit parauniversitar”.

Takimet e Kryeministrit Edi Rama dhe Presidentit Aleksandar Vuçiç janë përqendruar te krijimi i Mini- Shengenit Ballkanik. Kjo axhendë është kundërshtuar nga Kosova deri në ndërhyrjen e Presidentit Trump, i cili futi si pikë në marrëveshjen që Hoti dhe Vuçiç nënshkruan në Shtëpinë e Bardhë.

***

Në këtë përvjetor të Pavarësisë, mund të themi, se pavarësisht nga deklaratat e bujshme të kryeministrit Rama, bashkimi ynë kombëtar nuk ka bërë asnjë centimetër përpara, thuajse në asnjë fushë.

/TPZ.al/

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in FLASH, KRYESORE, LAJME, NË FOKUS
Detyrim për të gjithë emigrantët, qeveria: Duhet të deklaroni adresën jashtë shtetit

Të gjithë emigrantët shqiptarë do të duhet të vetëdeklarojnë adresën e tyre të banimit jashtë shtetit. Vendimi i Këshillit të...

Close