X

Mos ua merrni për të madhe këshilltarëve të Kukësit


Nga Astrit Patozi

“Çdekretimi” i titullit qytetar nderi për Veton Surroin nga këshilltarët e Qarkut të Kukësit, më shumë se tragjikomik, është vetëdenoncues.

Por jo aq shumë për ata të keqkuptuarit, të cilët ngritën dorën apo firmosën atë akt qesharak në qytetin verilindor, se sa për sistemin e antivlerave, që kemi ndërtuar në këto 30 vjet.

Ndaj edhe distancimi i paqortueshëm i kryeministrit Edi Rama prej asaj që ndodhi është i pamjaftueshëm dhe nuk ndryshon ndonjë gjë të madhe.

Sepse, në finale, nuk duhet kërkuar faji vetëm tek ata kuksianët, të cilët u penduan papritur për “nderin” që i kishin bërë Veton Surroit para pak vitesh.

Sepse kjo punë tashmë është shndërruar në mendësi sunduese për politikën dhe për jetën publike në Shqipëri.

Ndaj edhe mos u merrni shumë me ta, se nuk kanë ndonjë përgjegjësi të madhe. Sepse në gjithë këto vite kanë parë dhe dëgjuar shumë më keq se ç’kanë bërë vetë.

Fjala vjen, çfarë kanë thënë në kohë të ndryshme Edi Rama për Ilir Metën apo Fatos Nanon, Ilir Meta për Sali Berishën dhe Edi Ramën, Sali Berisha për Ilir Metën, Fatos Nanon dhe Rexhep Meidanin, Lulzim Basha për Ilir Metën dhe Edi Ramën e kështu me radhë, pa u futur fare në raportin me figurat e Kosovës.

Ndaj edhe mos ia merrni për të madhe atyre burrave të provincës, që e dinë se historia varet prej konjukturës politike, ku i njëjti person mund të jetë brenda ditës edhe hero, edhe tradhtar i kombit, në varësi të asaj që mendon apo vendos për momentin partia.

 

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in BLOG
“Duhet thyer heshtja”! Analiza shqetësuese e “DW”: 1 në 4 gra bien pre e dhunës të paktën një herë në jetë

Një në katër gra ka qenë të paktën një herë në jetë viktimë e dhunës në familje. Pandemia e Coronës...

Close