X

Rindërtimi, premtimi i pambajtur për dhënien e çelësave para Vitit të Ri


Në 30 dhjetor 2019, teksa banorët akoma nuk kishin mbledhur veten nga tërmeti shkatërrues i 26 nëntorit, Edi Rama bëri një premtim. “Brenda vitit 2020, të gjithë ata që sot jetojnë në fshat, që për arsye legjitime nuk janë spostuar në sistemin e qirave dhe thjesht kanë kërkuar një çadër dimërore në oborret e tyre, do të futen në shtëpi të reja. Asnjë nuk mundet dot ta lejojmë të kalojë vitin e ri 2021 në çadër”, deklaroi kryeministri Rama.

Tërmeti preku në mënyrë direkte dhe indirekte 202 mijë persona dhe që shkaktoi një bilanc me 51 viktima dhe 913 të plagosur.11 bashki u prekën, duke përfshirë dy nga më të mëdhatë e të populluarat si Tirana dhe Durrësi. Pasojat u ndjenë, gjithashtu, në bashkitë e Shijakut, Krujës, Kamzës, Kavajës, Kurbinit, Lezhës, Rrogozhinës dhe Mirditës. Qeveria premtoi një program ambicioz për rindërtimin, madje krijoi edhe një ministri të posaçme për mbarëvajtjen e procesit. 1,1 miliardë euro u premtuan nga donatorët në formën e kredive të buta dhe granteve.

Rama ikën në Dubai, Rindërtimi në dorë të Ahmetajt

A përfunduan shtëpitë? Sot në Thumanë, në fshatin simbol të vuajtjeve që shkaktoi tërmeti, një vit më pas, banorët vazhdojnë të qëndrojnë në çadra, në mes të të ftohtit. Sot, Kryeministri nuk është këtu, por në Dubai. Shqipëria merr mbështetje dhe mesazhe nga udhëheqësit e BE-së, ndërsa Rama ka zgjedhur ta kujtojë këtë ditë nga një vend arab, që po ndihmon, siç thotë ai, në ndërtimin e 2 mijë shtëpive të shkatërruara.

Dje, kryeministri dhe ministri i Rindërtimit ishte në Laç. Ndërtimet janë shumë larg së përfunduari, premtimi Ramës është i pambajtur. Ai ka dhënë disa çelësa shtëpish, por deri tani bilanci i tij është vetëm tendera, inaugurime fillim punimesh dhe asnjë rezultat i prekshëm. “Në zonën 1 në qendër të Laçit ka nisur ngritja e kolonave të pallateve të reja, ndërsa infrastruktura për zonën 2 po ecën me ritme të shpejta….”,kështu nis njoftimi Kryeministrisë.

Qeveria thotë se ka shpërndarë për 13,192 qytetarë që bonus qiraje; janë paguar rreth 20 milionë dollarë ose 2 miliardë lekë. Por banorët e Thumanës qëndrojnë në çadra. Janë 56,164 aplikime në platformë, pra shumë herë më tepër se sa trajtimet që ka bërë qeveria ndaj banorëve. Qeveria thotë se ka dhënë 3,337 leje ndërtimi me procedurë të përshpejtuar, por në terren gjërat kanë ngecur në baltën e korrupsionit. Në janar, ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj, premtoi se deri në fund të këtij viti, 80% e të dëmtuarve do të futeshin në banesat e reja. Por sot, kur një pjesë e mirë janë ende në çadra është qartazi e kuptueshme që nuk do të ndodhë. Madje, vetë ministri e ka shtyrë premtimin për vitin e ardhshëm.

Mbledhje dhe tendera

Kjo ka qenë një periudhë e artë për kompanitë e ndërtimit. Qeveria, për të favorizuar një grup klientësh me kompanitë e tyre, përjashtoi të huajt nga tenderët, madje ndryshoi edhe ligjet edhe kriteret e ndërtimit në favor të këtyre kompanive. Përveç taksave lokale, përjashtohen nga TVSH të gjithë subjektet përgjatë periudhës së rindërtimit.

Janë 37 mbledhje të Komisionit Shtetëror të Rindërtimit (KShR). Komisioni Shtetëror i Rindërtimit përbëhet nga 9 ministra, aty merren vendime të cilat i propozohen Këshillit të Ministrave dhe janë 36 vendime të KShR-së, të cilat janë transferuar dhe propozuar për 76 vendime të Këshillit të Ministrave. Pra janë 76 vendime deri sot për të detajuar procesin qoftë financiar, qoftë administrativ apo ndërtues, rindërtues në terren.

Përjashtuar vendimet për dhënie të bonusit të qirasë që kanë të bëjnë me alokimet në buxhetin e shtetit, të gjitha ndryshimet ligjore janë në favor të kompanive të ndërtimit, të cilat janë përjashtuar edhe nga taksat vendore, me qëllim që të rrisin marzhin e fitimit nga Rindërtimi.

Pjesën dërrmuese të financimeve e ka marrë Fondi Shqiptar i Zhvillimit me 10.3 miliardë lekë dhe Bashkia e Tiranës me 7.9 miliardë. Në mbledhjen e datës 5 maj 2020, qeveria ka miratuar disa ndryshime për përdorimin e fondit të rindërtimit të miratuara në buxhetin për 2020. Në këto ndryshime parashikohet që 8.6 miliardë Lekë të shkojnë për ndërtimin dhe rikonstruktimin e banesave individuale të dëmtuara nga tërmeti i 26 Nëntorit dhe infrastrukturën rreth tyre.

Me një procedurë të kufizuar, antiligjore, kompanitë ndërkombëtare janë përjashtuar “de facto” nga gara, por edhe kompanive shqiptare nuk u është lënë kohë e mjaftueshme në dispozicion për të përgatitur dokumentacionin. Në shkelje të hapur të ligjit, qeveria u ka dhënë kompanive gjysmën e kohës që parashikon ligji për t’u bërë pjesë e tenderit më të madh të kryer për këtë vit (vetëm 10 ditë).

Por ç’ndodhi më pas? Nxitimi për 10 ditor u bë vonesë 6 mujore. Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH) ka anuluar tenderin e rindërtimit të 2500 shtëpive të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 tre herë rresht derisa fituan ato kompani që ishin paracaktuar. Anulimi është zyrtarizuar në faqen e Agjencisë së Prokurimeve Publike (APP) me njoftim të thjeshtë, pa datë, në të cilin thuhet:

“FSHZH […] bën me dije se, për shkak se të gjitha ofertat e paraqitura janë skualifikuar, procedura anulohet”. Për këtë tender, autoritetet shtynë dy herë afatet e dorëzimit të dokumenteve, fillimisht nga data 19 mars në 27 mars e më pas në një mbledhje qeverie, Ministri për Rindërtimin, Arben Ahmetaj, u shpreh se do të kërkohej edhe 10 ditë të tjera. Arsyeja e skualifikimit ka qenë se “ofertat nuk përputheshin me kriteret e përcaktuara”. Tenderi u anulua prej kostos së lartë të modeleve parafabrikate dhe se procedura do të ribëhet duke ndryshuar aspektet teknike. Pra, tenderi bëhej dhe rihapej me kritere të reja ndërtimi, që i hartoheshin sipas porosive të kompanive konkurrues që morën fondet e Rindërtimit.

Ndërkohë, Bashkia e Tiranës me shumë vonesë, në fund të muajit të kaluar, ka nisur një bum tenderimesh për rindërtimin. Ato po bëhen me marrëveshje kuadër, pa transparencë, duke zgjedhur një grup kompanish klientelë që do të marrin pjesën e luanit të fondeve. Me shumë gjasa, këto objekte do të jenë sa për prerje shiritash të fillimit të punimeve dhe nuk i dihet se kur do të përfundojnë. Ndaj kryetarit të Bashkisë Tiranë ka pasur akuza nga opozita se gjimnazi “Sami Frashëri” shemb që të përfitonin tre firma ndërtimi.

Transparenca

Qeveria prezantoi në fillim të vitit 2020 platformën online ku të prekurit nga tërmeti i 26 nëntorit mund të ndiqnin ecurinë e aplikimeve për të përfituar nga grantet për rindërtimin. Por kur klikon në aplikacionin “Shtëpia ime”, “Transparenca” apo çdo opsion të kësaj platforme, shfaqen vetëm aktivitete e foto të kryeministrit dhe qeverisë dhe të ministrit Arben Ahmetaj. Komisioni Evropian ka miratuar paketën prej 100 milionë eurosh për rindërtimin pas tërmetit ne Shqipëri, të premtuar në konferencën e donatorëve. Përballë nivelit të lartë të korrupsionit të administratës shqiptare, të gjithë donatorët i kanë marrë në dorë vetë tenderimet dhe ndërtimin e objekteve.

KfW nëpërmjet donacionit gjerman prej 9 milion euro ka 3 shkolla; Bashkimi Europian me 115 milionë euro,  është programi EU4Schools1 me 22 shkolla dhe EU4Schools2 me 57 shkolla, Sllovenia 1 shkollë, Sllovakia 3, Republika e Turqisë 1, Katari 3 objekte shkollore. Të gjitha ato që financohen nga donatorët janë në proces prokurimi nga ata vetë dhe nga UNDP që është aprovuar si njësi zbatuese për fondet që vijnë nga Komisioni Europian. Projektin e qeverisë gjermane e bën KfW dhe pastaj pjesa e donatorëve mund të zgjedhin, kanë zgjedhur, qoftë njësi private vetë, qoftë bashkitë vetë.

Fondet e alokuara, të cilat përbëjnë kryesisht për teknikë buxhetore rreth 20% të totalit të projekteve, sipas të dhënave të ofruara nga vetë ministri Ahmetaj në gusht 2020. Për rindërtimin e banesave individuale nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, janë alokuar 5.73 miliard lekë. Bashkia e Tiranës ka 1.9 miliard lekë dhe ka filluar ndërtimin e 50 shtëpive të para në zonën e Farkës. Ndërkohë po vazhdojmë edhe me projektimin e njësive kolektive që do t’i referohem pak më vonë.

Qeveria vazhdimisht ofron shifrën 143 shkolla që po ndërtohen në të 11 bashkitë, nga të cilat 53 do të financohen nga buxheti i shtetit dhe 90 shkollat që do të financohen nga donatorët. Nga ato 53 shkolla që po financohen nga qeveria, 33 janë në kantiere ndërtimi. Pra 13 mijë nxënës që kanë mbetur objekte shkollore do të mbeten edhe për shumë kohë në vështirësi për të zhvilluar mësim, në këtë kohë të pandemisë dhe kur dimri i ri po hyn.

/TPZ.al/

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in FLASH, KRYESORE, LAJME, NË FOKUS, VIDEO
Lajçak letër Hotit: Lejo Vuçiçin të hyjë në Kosovë

Si reagim i qëndrimit zyrtar dhe të vendosur të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinaj – Stublla,...

Close