X

Dëshmia e sekretares së Enver Hoxhës: Ja çfarë i thashë Teodor Hebës kur na komunikuan lajmin për vrasjen e Gjinishtit

Dashnor Kaloçi/ Publikohen dëshmitë e rralla dhe të panjohura të znj. Flora Sata Dëshnica ish-sekretare e Enver Hoxhës pranë Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare gjatë periudhës së Luftës, që u nda nga jeta para pak ditësh (më 7 nëntor 2020), në moshën 96 vjeçare, e cila bashkë me bashkëshortin e saj, Dr. Ymer Dëshnica dhe fëmijët e tyre, vuajtën në internim deri në fillimin e viteve ’90-të, pasi ishin goditur familjarisht nga Enver Hoxha që në fillimin e viteve ’50-të, si “armiq të popullit”!

Dëshmitë e rralla të znj. Dishnica, e njohur ndryshe si Gjystina Sata, lidhur me intrigat, makinacionet dhe prapaskenat e Enver Hoxhës, në eliminimin fizik të shokëve dhe bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë, siç ishte dhe Mustafa Gjinishi, për të cilin, ai (Enveri), kishte ngarkuar Liri Gegën, gjatë kohës që ajo ishte në rrethin e Dibrës me Divizionin e Parë Sulmues, që e komandonte, bashkëshorti i saj, gjeneral-major, Dali Ndreu, të cilët gjithashtu, Enveri i pushkatoi në vitin 1956, edhe për të mbuluar gjurmët e krimeve të tij gjatë periudhës së Luftës!

“Së bashku me Teodor Hebën, ishim duke punuar me shifrën sekrete në dhomën tonë në Helmës, ku ishte vendosur Shtabi i Përgjithshëm. Ne punonim me tre shifra sekrete, që ishin: një për Miladinin, një për Enverin dhe tjetra e hapur për të gjithë.

Këto shifra i dinim vetëm unë e Teodori, të cilat, sipas urdhërave që na i jepnin personat që u adresoheshin, ose i dëshifronim vetë, ose u’a jepnim atyre.

Telegrami që erdhi për Gjinishin, ishte tepër sekret dhe i drejtohej me emër Enverit. Unë, porsa e mora, i’a çova Enverit dhe ai më tha: ‘Dëshifroje vetë’. Në atë telegram thuhej: ‘Çdo gjë mbaroi me sukses, sipas porosisë tuaj.

Prisni fonogramin’. Teodori, që ishte shumë njeri i mbyllur, më tha t’ja çoja Enverit dhe unë i thashë, se ja dhashë Enverit, por ai më tha: ‘Dëshifrojeni ju’. Unë, si kurioze e madhe që isha, mezi prisja të nesërmen që të shihja se çdo të kishte ai fonogram.

Atë ditë erdhi dhe telegrami i gjatë me shifër të thjeshtë për zyrën tone, ku ndërmjet të tjerash thuhej: ‘Duke kaluar në një qafë mali (s’më kujtohet emri por ishte diku në zonën e Dibrës), hasëm në një pritë ku ishte pozicionuar dora tradhëtare e armikut, që qëlloi mbas shpine shokun tonë të dashur Mustafa Gjinishi.

Një humbje e madhe për ne dhe për Luftën. Jua japim me hidhërim të madh këtë lajm’. Pasi e lexova fongramin, i thashë Teodorit: ‘Kjo gjë paskë qenë me sukses’?! Kështu e kujtonte ish-sekretarja e Enver Hoxhës pranë Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, Flora Sata Dishnica, e cila u nda nga jeta para pak ditësh në moshën 96 vjeçare, (më 7 nëntor 2020) intrigat dhe prapaskenat e ish-shefit të saj, lidhur me eliminimin fizik të Mustafa Gjinishit, një prej personaliteteve të Luftës Antifashiste në Shqipëri.

(Këto dëshmi që publikohen në këtë shkrim, ja kemi marrë znj. Flora Sata Dëshnica, para disa kohësh në shtëpinë e saj në Tiranë, së bashku me studjuesin dhe historianin e njohur, Sherif Delvina, (kushëri i parë i bashkëshortit të saj, Dr. Ymer Dëshnica), me kusht që t’i publikonim vetëm pas ndarjes së saj nga jeta. Në këtë kontekst, edhe në shënjë homazhi, Memorie.al vendosi publikimin e tyre)

Po kush ishte Mustafa Gjinishi dhe cila ishte e kaluara e tij që nga koha kur i’u vra babai, (kandidati për deputet i Parlamentit Shqiptar si mbështetësi i Fan Nolit) dhe jeta e tij në emigacion në Jugosllavi, si përkthyes pranë ambasadës Britanike në Beograd? Përse Britanikët e ndihmuan Gjinishin që të kthehej në Shqipëri bashkë me Abaz Kupin dhe majorin anglez Crissp? Çfarë raportesh kishte ai me Enver Hoxhën dhe antarët e tjerë të Shtabit të Përgjithshëm, e cilat ishin arsyet që e detyruan Enver Hoxhën të vendoste për eleminimin fizik të Gjinisht dhe në çfar rrethanash u krye vrasja e tij?

Enveri: Gjinishi agjent i anglezëve

Po si rrodhën më pas ngjarjet në lidhje me kontraditat në mes Enverit dhe Gjinishit? Lidhur me këtë, në mes të tjerash Enveri kujtonte: “Në prag të Kongresit të Rinisë në Helmës, u takova me nënkolonelin anglez Lik.

Nga sa nuhata, ai kishte dijeni që ne do të mbanim një kongres. ‘Ja edhe një shenjë tjetër’, mendova që anglezët duhet të kenë ndonjë informator në rradhët tona, dhe ky informator ishte, Mustafa Gjinishi.

Kjo kishte kohë që ishte bërë më se e qartë për mua. Teksa po largoheshim nga Helmësi drejt Staraveckës, Gjinishi, qëndroi i fundit dhe pasi kujtoi se nuk kishte më njeri mbrapa, vrapoi në një kthesë dhe u takua me një ushtar anglez, i cili i dha atij një letër.

Mustafa e ktheu kokën dhe pasi e pa që e pikasëm, e futi letrën në xhep dhe vazhdoi rrugën. Kur i kërkuam që të na e dorzonte letrën, ai na tha: ‘Letrën nuk e dorzoj i gjallë’ dhe se dorzoi që se dorzoi! E shamë dhe nuk i lamë gjë pa thënë, kurse ai vetëm tha: ‘Bëni çfar të doni, i tillë jam dhe i tillë do të mbetem”.

Më pas Enveri shprehet se për atë gjë, vuri në dijeni të gjithë shokët dhe e kërcënoi përsëri Gjinishin, se po të vazhdonte atë rrugë, do të jepte urdhër ta arrestonin, kuse Myslym Peza i kishte kërkuar që të bëhej Kryetar i Gjyqit për dënimin e tij!

Në përfundim të shënimeve të gjata për mardhëniet e tija me Gjinishin, Enveri dëshmon: “Pas Kongresit të Përmetit, Gjinishin e dërguam në Veri, pranë reparteve partizane.

Përsëri me indulgjencë e trajtuam atë njeri, Por ‘ujku qimen ndërron, por zakonin se harron’. Edhe atje, pavarsisht nga grushti i rëndë që kishte ngrënë, nuk i linte manovrimet dhe batakçilliqet për të goditur Partinë.

Nga Divizioni i Parë më njoftuan se Gjinishi i ishte ankuar Haxhi Seserit, duke i thënë: “Mua dhe Dr. Dishnicën, pas Mukjes, Partia nuk na ka me sy të mirë, s`më kanë dhënë përgjegjësinë që më takon, kurse Haxhi Lleshin e bënë Ministër të Brendshëm. Partia ka frikë se unë kam shumë influencë në popull, kanë frikë nga unë, se kam simpati për anglezët. Kohët e fundit kam patur një bashkëbisedim me Enver Hoxhën, me të cilin jemi grindur shumë”.

Kurse për vrasjen e Gjinishit, me të cilën Enveri mbyll shënimet e tija, ai kujton: “Në gusht 1944, një oficer anglez më dërgoi një mesazh që kishte ardhur nga Kuartieri i tij i Përgjithshëm në Bari të Italisë, ku thuhej: ‘Për Gjeneralin Hoxha. Me regret ju njoftoj, se Mustafa Gjinishi, u vra në frontin e Divizionit të Parë.

Ai dhe Smithi ishin vënë në pusi prej një patrulle gjermane. Smithi shëndosh. Humbje e madhe për kauzën aletate’. Dhe në fund, vetë oficeri nga ana e tij shtonte: ‘Gjinishi ishte një mik i madh i yni’. Nga ky dokument dilte më se qartë ç`humbje qe për anglezët, vdekja e Gjinishit. Po aq e qartë për ne, se ai ishte dhe mbeti, deri sa vdiq, përkrah mister Smithit, njeriu i anglezëve, agjent e shërbëtor i tyre”, përfundon Enveri konsideratat për Gjinishin!

Dëshmia e Sekretares së Enverit

Dëshmitë e Enverit, në lidhje me vrasjen e Gjinishit, hidhen poshtë nga 95 vjeçarja Flora Sata Dishnica, (bashkëshortja e Dr. Ymer Dishnicës), e cila gjatë viteve 1943-‘44, ka shërbyer si sekretare e tij me shifrën sekrete në Shtabin e Përgjithshëm. Lidhur me këtë ngjarje, znj Dishnica kujton: “Së bashku me Teodor Hebën, ishim duke punuar me shifrën sekrete në dhomën tonë në Helmës, ku ishte vendosur Shtabi i Përgjithshëm.

Ne punonim me tre shifra sekrete, që ishin: një për Miladinin, një për Enverin dhe tjetra e hapur për të gjithë. Këto shifra i dinim vetëm unë e Teodori, të cilat, sipas urdhërave që na i jepnin personat që u adresoheshin, ose i dëshifronim vetë, ose u’a jepnim atyre.

Telegrami që erdhi për Gjinishin, ishte tepër sekret dhe i drejtohej me emër Enverit.

Unë, porsa e mora, i’a çova Enverit dhe ai më tha: ‘Dëshifroje vetë’. Në atë telegram thuhej: ‘Çdo gjë mbaroi me sukses, sipas porosisë tuaj.

Prisni fonogramin’. Teodori, që ishte shumë njeri i mbyllur, më tha t’ja çoja Enverit. Unë i thashë Teodorit, se ja dhashë Enverit dhe ai më tha: ‘Dëshifrojeni ju’.

Unë, si kurioze e madhe që isha, mezi prisja të nesërmen që të shihja se çdo të kishte ai fonogram.

Atë ditë erdhi dhe telegrami i gjatë me shifër të thjeshtë për zyrën tone, ku ndërmjet të tjerash thuhej: ‘Duke kaluar në një qafë mali (s’më kujtohet emri por ishte diku në zonën e Dibrës), hasëm në një pritë ku ishte pozicionuar dora tradhëtare e armikut, që qëlloi mbas shpine shokun tonë të dashur Mustafa Gjinishi.

Një humbje e madhe për ne dhe për Luftën. Jua japim me hidhërim të madh këtë lajm’. Pasi e lexova fongramin, i thashë Teodorit: ‘Kjo gjë paskë qenë me sukses’?! Teodori më tha: ‘Mos fol shumë, se nuk ka të bëjë me atë që thua ti’, dhe më bëri më shënjë që të mbyllja gojën.

Ndërsa ne prisnim që të na komunikonin lajmin, Enveri me Miladinin, na thanë se do të organizohej ceremonia, e njëkohësisht do të jepej dhe lajmi i vrasjes së Gjinishit.

Atë mbrëmje, Teodori shkoi të dëgjonte lajmet në Radio-Tirana, (siç bënte zakonisht) dhe kur erdhi, ishte shumë i mërzitur e thoshte: “Si shumë po vonohet Dr. Dishnica”?! Teodorin, Dr. Dishnica e donte shumë, prandaj ai gati sa s’qau të nesërmen kur u lidh me Doktorin. Unë nuk e kuptoja se ku e kishte fjalën dhe çfar kishte ngjarë. Këtë gjë e mësova të nesërmen nga vetë Teodori.

Atë natë, kur ai shkoi për të dëgjuar lajmet, Radio-Tirana dha një komunikatë të Xhelal Staraveckës, (ish shokut tonë të Shtabit që kishte kaluar me Xhandarmërinë e Përgjithëshme në Tiranë), ku thuhej: ‘Partia Komuniste e Shqipërisë, vrau pas shpine Mustafa Gjinishin, dhe tani pritet dhe vrasja e Dr. Ymer Dishnicës’.

Ky lajm ishte tepër demaskues për shokët kryesorë të Shtabit dhe u’a prishi atyre planet për vrasjen e Dishnicës. Siç mësova më pas, Dr. Dishnicën, e kishin dërguar gjoja për të marrë pjesë në festën e Baba Tomorrit në Qafën e Kulmakut, dhe atje do e vrisnin! Prandaj dhe Enveri me Miladinin nuk po e organizonin ceremoninë për vrasjen e Gjinishit, se prisnin që të vritej dhe Dishnica, e të bënin një ceremoni për të dy. Cëremonia për vrasjen e Gjinishit, u bë pas tre ditësh, ku dhe mbajtëm një minutë zi”, kujtonte Flora Sata Dishnica, ish sekretarja e Enver Hoxhës pranë Shtabit të Përgjithshëm në kohën e Luftës, duke hedhur dritë mbi intrigat, makinacionet dhe prapaskenat e ish-shefit të saj, lidhur me eliminimin fizik të bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë, siç ishte dhe Mustafa Gjinishi.

Dëshmitë e Enverit të dyshimta!

Të gjitha kujtimet e Enverit në lidhje me Mustafa Gjinishin janë shumë të dyshimta dhe pothuaj tërsisht të pabesueshme. Kjo për faktin, se Enveri këto kujtime i pati botuar vetëm në librin e tij të fundit “Rreziku anglo-amerikan” në vitin 1982, kur të gjithë personazhet që ai përmend aty, si Peza, Mojsiu, Shtylla e ndonjë tjetër, kishin ndërruar jetë. Kjo gjë të bën të dyshosh, sepse ndonëse ato kujtime flasin për një kohë të largët, atë të Luftës, ato u lanë prej tij, që të botoheshin të fundit, kur kishin vdekur të gjithë bashkëpunëtorët që ai i përmed aty, si duket për të krijuar alibitë e tij.

Është e pabesueshme që Myslym Peza, t`i ketë thënë Enverit, se: ‘donte të bëhej Kryetar i Gjyqit për dënimin e Gjinishit’, të cilin e kishte djalin e byrazerit të tij, Adem Gjinishin, të cilit kur e vranë, i kishte marrë ai (Myslymi) hakun.

Po kështu veç të tjerash, kjo gjë, (pra thënia e Enverit, se Myslym Peza i kërkoi që të bëhej kryetar gjyqi për dënimin e Gjinishit), nuk qëndron, pasi në një dokument arkivor që është botuar pas viteve ’90-të, ndodhet letra e Gogo Nushit dërguar Enver Hoxhës, ku midis të tjerash, ai shkruan: “Babë Myslymi qau kur mori vesh vrasjen e Gjinishit dhe tha se: atë e kanë vrarë shokët, se ai ishte më i zoti se ata”.

Edhe pa dëshminë e ish sekretares së Enverit, Flora Sata Dishnica, del fare qartë, se; Enver Hoxha ka qenë urdhëruesi i vrasjes së Gjinishit, pasi veç të tjerash ai dyshonte, se Mustafai ishte agjenti i anglezëve, dhe se britanikët, në përpjekjet e tyre për të krijuar një qeveri shqiptare në mërgim (siç kishin bërë me grekët e jugosllavët), në Shqipëri do të përdorinin Gjinishin, si “kartën” kryesore të tyre.

Duket se vrasja e Gjinishit, e ka munduar shumë Enverin, përderisa ai ndalet aq gjatë në kujtimet e tij dhe për të hequr hijet e dyshimit nga vetja, pra që nuk ka pasur gisht në atë vrasje, si rrallë ndonjëherë, ai përmend raportin e oficerit britanik Smith, që është qëlluar nga gjermanët bashkë me Gjinishin.

Ky raport edhe mund të jetë i vërtetë, me të vetmin ndryshim, se ndaj Gjinishit e Smithit, nuk ka qëlluar patrulla gjermane, por partizanët që komandoheshin nga Liri Gega, gjë e cila konfirmohet dhe nga dëshmia e ish sekretares së Enverit, e cila ka deshifruar vetë telegramin që Liri Gega dërgoi pranë Shtabit të Përgjithshëm, ku thuhej: “Çdo gjë mbaroi me sukses sipas porosisë tuaj”.

Dhjetë vite më vonë, në 1956-ën, ndoshta edhe për të mbuluar gjurmët e këtij krimi, Enver Hoxha, urdhëroi dhe ekzekutimin e Liri Gegës (dhe burrit të saj, gjeneral-major Dali Ndreut, ish Komandantit të Divizionit të Parë të Ushtrisë Nacionalçlirimtare), edhe pse ajo ishte shtatëzanë, gjë për të cilën asokohe pati protestuar edhe vetë Nikita Hrushovi./Memorie.al

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in Magazine
Rekordi për nominimet Grammy, Basha uron Dua Lipën: Je krenaria jonë, gjithë Shqipëria është me ty!

Kreu i PD, Lulzim Basha ka uruar Dua Lipën për rekordin që ka thyer këngëtarja shqiptare duke u nominuar për...

Close