X

Zbulohet dokumenti i zyrës sekrete të Zogut/ “Llazar Fundo i dha 8 mijë franga ari një agjenti komunist nga Shkodra për të blerë armë në Shqipëri dhe…”


Dashnor Kaloçi

Memorie.al/ publikon një dokument arkivor të nxjerrë nga Arkivi Qëndror i Shtetit që i përket vitit 1936 dhe bën fjalë mbi një korrespodencë të Ministrisë së Punëve të Jashtëme në Tiranë me Ministrinë e Punëve të Brendëshme, lidhur me  bashkëpunimin e komunistëve jugosllavë dhe atyre shqiptarë, të cilët nëpërmjet Llazar Fundos, i kishin dhënë 8 mijë franga ari një komunisti nga qyteti i Shkodrës, (me mbiemrin Shpuza), për të blerë armë në Shqipëri dhe për t’i dërguar ato në Jugosllavi me anë të Liqenit të Shkodrës ku kryhej edhe kontrabanda e duhanit.

Letra e Legatës Jugosllave në Tiranë për Ministrinë e Punëve të Jashtëme të Mbretërisë Shqiptare, e cila sipas porosisë së qeverisë së Beogradit, i kërkonte qeverisë së Tiranës, që të lidhnin një marrëveshje bashkëpunimi, për shkëmbimin e informacioneve lidhur me lëvizjen komuniste (bolshevike) që zhvillohej në mes dy vëndeve, si dhe për kontrabandën e armëve dhe duhanit që kishte filluar të intesifikohej shumë, në mes dy vëndeve.

“Në Shkodër, një i quajtun Shpuza, është agjent i organizatave komuniste dhe merret me propagandë në favor të këtyre organizatave në Shqipërinë e Veriut. Autoritetet Jugosllave kanë disa shenja që lënë të kuptohet, se i lartëpërmënduri është i ngarkuar prej komunistave të Malit të Zi, që të blerë armë në të gjithë Shqipërinë. Një shumë prej 8.000 frangash ari, i është dorzuar të quajturit Shpuza, një muaj e gjysëm më parë, nga një person prej Podgorice, që i kishte marrë këto para prej Lazar Fundos, i cili është në krye të kësaj organizate për Shqipërinë dhe Malin e Zi”.

Kështu thuhet në mes të tjerash në një raport-informacion të Ministrisë së Punëve të Jashtëme të Mbretërisë Shqiptare, dërguar Zyrës Sekrete pranë Ministrisë së Punëve të Brendëshme në Tiranë, në marsin e vitit 1936, ku i bëhet e ditur për intesifikimin e marrdhënieve të komunistëve jugosllavë me atë shqiptarë, dhe kërkesën e Legatës Jugosllave në Tiranë, e cila në emër të qeverisë së saj, i kërkonte qeverisë shqiptare, që të lidhnin një marrëveshje dy palëshe, për shkëmbimin e informacionit mbi lëvizjen komuniste (bolshevike) në mes dy vëndeve dhe parandalimin e kontrabandës së duhanit e armëve që ata kryenin nëpërmjet Liqenit të Shkodrës e Prespës. Për më shumë rreth kësaj, na njeh dokumenti në fjalë që pubikohet për herë të parë dhe i plotë nga Memorie.al

Dokumenti i Ministrisë së Punëve të Jashtëme të Mbretërisë Shqiptare, për Zyrën Sekrete të Ministrinë e Punëve të Brendëshme

MBRETNIJA SHQIPTARE

Ministrija e Punëve të Jashtëme

                                        Tiranë, më 16.III.1936

Këtu poshtë, kemi nderin t’i komunikojmë asaj P.T. Ministrie disa informata që në formë private na janë dhënë prej Legatës Jugosllave këtu:

Në kohnat e fundit është konstatuar në Jugosllavi një shtim marrëdhënjesh midis elementave komunistë të Jugosllavisë (Mali i Zi dhe Maqedoni), dhe atyre të Shqipërisë.

Në Shkodër, një i quajtun Shpuza, është agjent i organizatave komuniste dhe merret me propagandë në favor të këtyre organizatave në Shqipërinë e Veriut.

Autoritetet Jugosllave kanë disa shenja që lënë të kuptohet, se i lartëpërmënduri është i ngarkuar prej komunistave të Malit të Zi, që të blerë armë në të gjithë Shqipërinë.

Një shumë prej 8.000 frangash ari, i është dorzuar të quajturit Shpuza, një muaj e gjysëm më parë, nga një person prej Podgorice, që i kishte marrë këto para prej Lazar Fundos, i cili është në krye të kësaj organizate për Shqipërinë dhe Malin e Zi.

Kjo ortganizatë komuniste, ka për organ botimi në Shqipëri, gazetën “A.B.C.” dhe ky lajm është vërtetuar prej elementave komunistë të Jugosllavisë.

Gjithashtu, prej muajsh, numri i shpalljevet që përmbajnë shkurtimin e teorive të Marx-it dhe të Engelsit, hynë në Shqipëri nga kufiri nëpër fshatrat e liqenit të Prespës.

Ministrisë së P. të Brendëshme

(Zyrës Sekrete)        

 Tiranë                                       Ministri i Punëve të Jashtëme

(firma)

PERMENDORE

Legata Jugosllave, simbas porosisë së Qeverisë së saj, pyet nëse qeveria shqiptare pranon një bashkëpunim edhe një çkëmbim informatash që i përket lëvizjes bolshevike në Jugosllavi dhe në Shqipëri.

Qeveria Jugosllave ka bërë marrëveshje të tilla me të gjitha Shtetet e Ententës Ballkanike dhe Ententës së Vogël, me Gjermaninë, me Francën dhe me Belgjikën.

Qëllimi është që dy Shtetet të komunikojnë shoku-shokut lëvizjet dëmëprurëse bolshevike që mund t’I përkasin njërëës anë, ose tjetrës.

Legata Jugosllave, mbi kërkesën e Qeverisë së saj, dhe me urdhër që të bëjë përçapje miqësore verbale pranë Qeverisë Mbretnore Shqiptare, mbi faktin që prej disa kohë e tëhu, kontrabanda e duhanit po intesifikohet në kufirin shqiptaro-jugosllav dhe veçanërisht në Sektorin e Shkodrës. Qeveria e Jugosllave kupton se nga shkaku i ndryshimit të çmimeve të duhanit në Shqipëri dhe në Jugosllavi po shkaktohet prej kësaj kontrabande.

Por, simbas mendimit të saj, ky intesifikim i propagandës ka lidhje edhe me iportimin e armëve që blehen nga bolshevikët ose kryengritësit malazez me anë të agjentëve të tyre në Shqipëri, armë që importohen në Jugosllavi për qëllim dëm-prurse. Fakti se ka një karvan prej 10 gomarësh të ngarkuar me duhan që barte 22 pushka të gjata dhe që është kapur në kufi të Hotit nga fundi i muajt prill, provon sa më sipër.Qeveria Jugosllave lutet që autoritetet kufizore shqiptare të kenë një vërejtje më të imët në ruajtjen e kufirit.

Gjono Prelevic, shtetas jugosllav, i cili ka qenë sipërmarrës godinash gjatë 10 vjetëve në Shqipëri, ka marrë përsipër ngrehjen e godinës së Legatës Jugoslalve në plazhen e Durrësit. Policija ka urdhëruar daljen jashtë kufirit pa ndonjë arsye.  Legata i lutet që t’i lejohet të lartpërmëndurit, ndenja në Shqipëri. /Memorie.al

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in Magazine
Risia më e re: Messenger do t’iu njoftojë nëse dikush e bën “screenshot” bisedën

Messenger ka prezantuar për përdoruesit risinë më të re. Tashmë të gjithë adhuruesit e këtij aplikacioni do të kenë mundësi...

Close