X

Nagorno-Karabak/ A mund të sigurojë Turqia një paqe të qëndrueshme?


Nga Kemal Kirişci dhe Behlül Özkan

A mund të kthehen në paqe dhimbja dhe shkatërrimi, humbjet dhe fitimet nga lufta e rifilluar kohët e fundit mbi Nagorno-Karabakun? Ndërsa bota ishte e fiksuar pas rezultatit të zgjedhjeve amerikane, dhe dramën e vazhdueshme nëse presidenti Donald Trump do të pranonte fitoren presidentit të zgjedhur Joe Biden, Rusia duket se arriti të pamundurën, duke ndërmjetësuar një armëpushim midis Azerbajxhanit dhe Armenisë.

Kremlini i ka kënaqur udhëheqësit e Azerbajxhanit në Baku, dhe mbështetësit e tyre në kryeqytetin turk Ankara, edhe pse në kurriz të liderëve armenë në Jerevan. Ky lloj armëpushimi i bën jehonë Traktatit të Kars, të nënshkruar pothuajse një shekull më parë, kur Rusia Sovjetike e detyroi në vitin 1921 Armeninë që t’i jepte Turqisë një territor në Anadollin Lindor.

Këtë herë, Armenia u detyrua të bëjë të njëjtën gjë, në të mirë të Azerbajxhanit në Karabak. Armëpushimet e mëparshme nuk kanë rezistuar gjatë. Por ky i fundit, i mbështetur nga paqeruajtësit rusë, duket se e ka një shans. Por arritja e paqes afatgjatë midis Azerbajxhanit dhe Armenisë ka një rrugë të gjatë përpara.

Gjithsesi, marrëveshja e 9 nëntorit mund të ofrojë një lloj mundësie,të cilën rajoni nuk e ka parë që nga shembja e Bashkimit Sovjetik dhe përfundimi i luftës së parë mbi Karabakun në vitin 1994. Gjërat mund të koordinohen në mënyrën e duhur për një rezultat të tillë, ndonëse kjo do të kërkonte pranimin se mbi këtë çështja lojtarja dominuese është Rusia. Sidoqoftë, një paqe e qëndrueshme, mund të ndihmojë që ai realitet i pakëndshëm të bëhet më i pëlqyeshëm.

Stabiliteti dhe prosperiteti që mund të vijë nga një marrëveshje për paqe, mund të ndihmojë në ndërtimin e një lloji të besimit të ndërsjellë midis dy kombeve, për t’i ndihmuar ata që më në fund ta varrosin të shkuarën e hidhur, dhe të vazhdojnë përpara.

Por për ta arritur këtë, që të dyja palët do të duhet të braktisin kërkesat e tyre maksimaliste të nxitura nga nacionalizmi, dhe të zgjedhin një qasje më pragmatiste. Dhe sado e vështirë që mund të duket në pamje të parë, Turqia mund të ndihmojë shumë në negociata.

Lufta më e fundit shpërtheu në fund të shtatorit, kur ushtria e Azerbajxhanit nisi ofensivën e saj me objektivin e deklaruar të rimarrjes së territoreve të humbura ndaj Armenisë në vitin 1994, kur një armëpushim përfundoi pas 2vite luftimesh. Në atë kohë, Armenia pushtoi më shumë se 10.877 km2 të territorit të Azerbajxhani.

Gati një e treta e saj është rajoni i Karabakut, ku jetojnë 150.000 armenë. Dy të tretat e mbetura të territorit, përbëhen nga 7 rajone të Azerbajxhanit përreth Karabakut, nga të cilat u zhvendosën afro gjysmë milioni azerë. Pas luftës, vendete Grupit të Minskut të udhëhequr nga Franca, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara udhëhoqën përpjekjet për të arritur një zgjidhje paqësore të konfliktit.

Vitet e gjata të bisedimeve, sollën miratimin e Parimeve të Madridit në vitin 2009,sipas të cilave Armenia duhet të rikthejë territoret përreth Karabakut në Azerbajxhan, ndërsa në këmbim Bakuja të pranojë një referendum mbi statusin përfundimtar të Karabakut. Ajo marrëveshje nuk u zbatua kurrë.

Përkundër këtij sfondi, disa faktorë shtesë e motivuan Azerbajxhanin të niste sulmin e tij. Më i rëndësishmi:investimet e mëdha në rritjen e aftësive të ushtrisë azere, sidomos në armë të përparuara teknologjikisht, pasi ishte mundur rëndë në vitin 1994, e kombinuar kjo me bindjen e ushtrisë armene në pathyeshmërinë e saj, veçanërisht në një luftë mbrojtëse në një terren malor.

Fillimi i një ofensive të tillë nga Azerbajxhani do të ishte i paimagjinueshëm pa konsensusin e Rusisë. Kremlini e kishte bërë të njohur pakënaqësinë e tij me prirjet gjithnjë e më pro-perëndimore të qeverisë së kryeministrit armen Nikoll Pashinyan, që erdhi në pushtet pas protestave pro-demokracisë në Jerevan në vitin 2018.

Pas disa përpjekjeve të dështuara për një armëpushim të ndërmjetësuar nga anëtarë të ndryshëm të Grupit të Minskut, Rusia e negocioi këtë marrëveshje duke çliruar 4 nga 7 rajonet azere nën pushtimin armen. Bilanci i 6 javëve luftimesh të rënda, ka qenë i vështirë të përcaktohet në mënyrë të pavarur.

Edhe pse Putini tha pas përfundimit të marrëveshjes se kishin vdekur më shumë se 4.000 njerëz, përfshirë civilë dhe më shumë se 8.000 të tjerë ishin plagosur. Marrëveshja kërkon krijimin e një korridor që lidh Karabakun me Armeninë, në këmbim të një korridori tjetër përmes Armenisë që lidh Azerbajxhanin me enklavën azere në kufi me Turqinë.

Korridoret do të patrullohen nga Shërbimi Federal i Sigurisë Ruse (FSB). Por marrëveshja, nuk thotë asgjë për statusin e ardhshëm të Karabakut, dhe mënyrën se si do të arrihet një zgjidhje përfundimtare e konfliktit. Pra ajo ka dobësi serioze, dhe nuk është e qartë nëse Rusia ka një interes të vërtetë për një paqe të vërtetë midis dy vendeve.

Edhe roli i ardhshëm i Grupit të Minskut është i paqartë. Por që të realizohet një e ardhme më premtuese, së pari duhet të plotësohen disa kushte. Udhëheqësit armenë duhet të ringjallin trashëgiminë e Levon Ter-Petrosian, presidenti i parë i vendit pas pavarësisë pas rënies së Bashkimit Sovjetik në vitet 1990.

Ai mbrojti një qasje pragmatik, dhe e njohu nevojën për një kompromis për të arritur paqen. Ai ishte gjithashtu thellësisht i vetëdijshëm për rëndësinë që Armenia të ketë marrëdhënie të mira me Turqinë. Për ta arritur këtë, ai madje ishte i gatshëm të shihte mundësinë e rikthimit të territoreve të pushtuara.

Ter-Petrosian u përball me një rezistencë të fortë nga ekstremistët, dhe madje u akuzua për tradhti, derisa u shkarkua nga detyra në vitin 1998. Turqia mund të ndihmojë në menaxhimin e kësaj rezistence, dhe të kontribuojë në krijimin e një klime që është më e favorshme për pajtimin mes 2 vendeve.

Një hap i mundshëm i menjëhershëm, do të ishte ringjallja e marrëveshjeve diplomatike që u negociuan me Armeninë në vitin 2009, sidomos në lidhje me hapjen e kufirit tokësor me Armeninë. Studime të shumta, kanë treguar se sa shumë ndikim do të kishte hapja e kufirit, për të ndihmuar në përmirësimin e situatës ekonomike në Armeni, dhe qasjen e saj në botën e jashtme.

Nga kjo gjë do të përfitonin gjithashtu provincat turke në kufi me Armeninë, ku vendasit kanë dëshiruar prej kohësh marrëdhënie më të ngushta për të zhvilluar ekonomitë e tyre lokale. Gjithsesi, Turqia do të duhet të veprojë me kujdes, duke e pranuar se mbështetja e saj ndaj Azerbajxhanit, i zvogëlon kredencialet e saj si një “ndërmjetëse e paanshme”.

Në pamje të parë, të presësh një qasje të tillë nga qeveria turke mund të mos duket realiste. E megjithatë ishte presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, ai që si kryeministër mbikëqyri negociatat mbi marrëveshjen e vitit 2009 në Madrid.

Ai ishte ndërkohë udhëheqësi që bëri një hap të rëndësishëm drejt pajtimit në vitin 2014, kur i shprehu përmes një deklaratë zyrtare, botuar gjithashtu në Armenisht, ngushëllimet e kombit turk për familjet e armenëve të vrarë gjatë Luftës së Parë Botërore.

Është e qartë, se kjo qasje është shumë larg kërkesave dhe pritshmërisë së armenëve. Por në kontekstin turk, ajo shënoi një ndryshim thelbësor në qasjen e kombit turk ndaj ngjarjeve të vitit 1915. Sigurisht, politika turke është bërë shumë më nacionaliste dhe konfrontuese, krahasuar me kohët kur Turqia vlerësohej si një model për demokratizimin dhe fuqinë e butë.

Megjithatë, Erdogan ka gjithashtu një dell pragmatizmi në lidershipin e tij, dhe e njeh nevojën për ta modifikuar politikën e tij në një mënyrë të tillë, që të adresojë problemet ekonomike të Turqisë dhe izolimin ndërkombëtar.

Ai tashmë ka sinjalizuar interesin e tij për të përmirësuar marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara nën presidentin Biden, dhe e njeh perspektivën që do të sillte për Turqinë rihapja e kufijve me Armeninë. Së fundmi, performanca e ushtrisë azere dhe mbështetja e qartë e Erdoganit për Aliyev do t’i mundësonte udhëheqësit turk të qetësonte elementët më nacionalistë të mbështetësve të tij.

Kjo është veçanërisht e vërtetë për Partinë e Veprimit Nacionalist (MHP), e udhëhequr nga Devlet Bahçeli, aleatja më e ngushtë e Erdogan. Bahçeli përfaqëson nacionalizmin e vijës së ashpër turke, dhe është shumë pro Azerbajxhanit.

Megjithatë, themeluesi i MHP, Alparslan Türkeş, ishte një mbështetës i zjarrtë i marrëdhënieve më të mira me Armeninë. I ndjeri Türkeş mbajti takimin e parë zyrtar të nivelit të lartë me Armeninë kur u takua me Ter-Petrosian në Paris në vitin 1993.

Në atë kohë, ai madje sugjeroi idenë e vendosje së një deklaratë në kufirin turko-armen, që mbante fjalët “Ne kërkojmë ndjesë për vuajtjet tuaja!”. Kjo trashëgimi e Türkeş mund të lehtësojë lëvizjen e Erdoganit në kapërcimin e rezistencës së mundshme të brendshme për hapjen e kufirit me Armeninë.

Shumë më sfiduese për një nismë të tillë, do të ishte gjeopolitika e komplikuar e Kaukazit të Jugut. Rusia ka luajtur me shkathtësi kartat e saj, dhe e ka ripohuar në një mënyrë vendimtare rolin e saj në rajon. Si do ta perceptonte Moska një iniciativë të tillë nga Ankaraja? A do të ishte Putini i gatshëm të lejonte që trashëgimia Ter-Petrosian, mbështetëse e pajtimit me Turqinë, të shfaqej hapur në Armeni?

Si do të binden mijëra njerëz që po protestojnë kundër pranimit të marrëveshjes ruse nga kryeministri Pashinyan, që t’i japin një shans një nisme turke për paqe? Si do të sillej diaspora armene, që tradicionalisht ka mbështetur kërkesat maksimaliste? Si do të reagonin fuqitë kryesore perëndimore si Shtetet e Bashkuara dhe Franca, si anëtare të Grupit të Minskut?

Pavarësisht përgjigjeve të këtyre pyetjeve, Turqia duhet që ta shfrytëzojë këtë mundësi, duke ndërmarrë një hap të guximshëm diplomatik në drejtim të hapjes së kufirit me Armeninë. Dhe pse të mos jetë aq e guximshme sa ta hapë e para në mënyrë të njëanshme? / “Just Security”/Perktheu:Bota.al

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in BLOG
Populizmi pas Donald Trumpit

Nga Philippe Legrain Para se të bëhej president i SHBA-së, Donald Trumpi ndërtoi tek vetja një personazh televiziv të tipit “realitety show”, që u bë i famshëm...

Close