X

Krahasimi/ Bashkia e Tiranës vs. Komuna e Prishtinës, çfarë u japin qytetarëve në kohën e Covid-19?!


A ka përgjegjësi Erion Veliaj për menaxhimin e krizës Covid -19 në Bashkinë e Tiranës, ku jeton 1/3 e popullsisë së vendit?

Një krahasim na ndihmon shumë për të kuptuar se si e menaxhon krizën e Covid -19 kryebashkiaku i Tiranës. Nuk do të shkojmë larg, por do të krahasojmë përpjekjet e Veliajt në Tiranë, me situatën në Prishtinë.

Komuna e Prishtinës

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka njoftuar se vendimi për dhurimin e 50 eurove të gjithë atyre që janë infektuar në këtë komunë, do të merret të mërkurën. Pensionistët do marrin 100 euro. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ahmeti ka njoftuar edhe për shërbimet e tjera që do t’ua mundësojë Komuna e Prishtinës qytetarëve.

“- 12000 telefonata të infektuarve;  mbi 10000 pako ushqimore e higjienike; lirim nga pagesa për HoReCa pëe 1 vit; lirim të qirasë; shtyrje të pagesave për leje; lirim nga pagesat për çerdhe; 300 teste në dite për Covid; 5 milion euro grante për biznese me qarkullim deri në 50,000 euro; subvencione për artistë e sportistë”.

I pari i Prishtinës, ka bërë me dije se ndihma do iu ofrojnë edhe grupeve të tjera deri në fund të vitit.

Ahmeti nuk i zvarrit bizneset, por deri të hënën, më 23 nëntor nis ndarjen e fondit. Çdo biznes i cili ka qarkullim deri në 50,000 euro në vit e që ka pësuar humbje nga pandemia, do të mund të aplikojë për ndihmë në formë granti nga Komuna e Prishtinës.  Këto nuk kanë lidhje me lehtësitë që ka ofruar qeveria, janë paratë e komunës. Aplikimi është i thjeshtë, do të jetë online dhe do të jetë i hapur për 10 ditë.

Ndarja e fondeve do të jetë transparente, dhe meqenëse aplikimi është online, procesi mund të monitorohet nga organet e Komunës, Ekzekutivi dhe Kuvendi Komunal në çdo kohë.

“Taksat tuaja janë paratë tuaja dhe përdoren për ju. Në kohë normale, përmes projekteve e shërbimeve, e në kohë krize përmes subvencioneve e ndihmave direkte”, shkruan Ahmeti.

Ahmeti shfaqet në takime me mjekët dhe pacientët, merr ankesat dhe jep zgjidhje, megjithëse nuk është ministër.

Bashkia e Tiranës

Çfarë bën Veliaj këto ditë për menaxhimin e  krizës Covid-19? U munduam të gjejmë ndonjë lidhje të kryebashkiakut me të moshuarit dhe gjejmë vetëm tendera. Tenderi i fundit, që kushton afro 60 milionë lekë, ka emërtimin “Mirëmbajtje e Thellë në Qendrën Komunitare Shkozë dhe ambientet ndihmëse”.

U interesuam dhe mësuam se qendra nuk jep ushqim për të moshuarit prej kohësh. Në këtë qendër i vetmi shërbim është kur shkon Veliaj dhe bën foto me disa përfaqësues të komunitetit rom.

Tenderi i qendrës është një praktikë e dyshimtë. Open Data Albania i ka bërë një shënim me RedFlag (flamur i kuq). Kjo sepse komisioni i ka skualifikuar të gjithë pjesëmarrësit nga gara, përveç fituesit.

Janë 5 997 569,00 lekë, që Erion Veliaj mund t’u ndante të moshuarve të Shkozës dhe Lanabregasit që jetojnë në varfëri. Data e shpalljes së fituesit të këtij tenderi është 19 nëntor 2020 dhe duhet ta kryej punën për dy muaj.

Tenderi tjetër, po ashtu me shënimin Redflag (flamur i kuq) “Shërbime te tjera – Shërbim për pastrimin e baseneve dhe liqeneve ne parqe”, është “hedhje e  monedhave” në shatërvan, në kohën e Covid-19.

Institucioni prokurues është Bashkia Tiranë përmes Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit. Janë 1 250 000,00 lekë që mund të mos hidheshin në ujë, por të përdoreshin për të blerë maska dhe për t’ua dhënë të moshuarve.

Më 22 tetor 2020 u lidh kontrata me fituesin e këtij tenderi që nuk priste. Deri ditën e Vitit të Ri duhet të mbarojë kjo punë urgjente e bashkisë.

Nuk do ta tepronim po të thoshim, se kryebashkiaku ka një raport papërgjegjshmërie me situatën ku ndohet kryeqyteti. Ai vepron, sikur të jetë vetëm kryetar i betoniereve, nuk ka marrë asnjë masë konkrete financiare, si në rastin e Prishtinës, për të ndihmuar drejtpërdrejt qytetarët, taksapaguesit, në këtë moment të vështirë.

Veliaj komunikon me njerëzit në FB, kryesisht duke ndjekur përplasjen politike të Ramës dhe Bashës dhe duke sharë këtë të fundit, ose poston videot e kryeministrit Rama nëpër emisione televizive.  Në lidhje me Covid-19, të vetmen gjë të dobishme që bën, është kur ngushëllon familjen e ndonjë njeriu që ia ka marrë jetën koronavirusi.

Shënim:

Krahasimi ynë është i kufizuar vetëm për kontributin e numrave një të dy kryeqyteteve shqiptare në përballimin e pandemisë nga qytetarët respektivë, në muajin e fundit.

/TPZ.al/

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in FLASH, KRYESORE, NË FOKUS
Koço Kokëdhima dhe gruaja e tij infektohen me Covid

Presidenti i Apolonisë, Koço Kokëdhima dhe gruaja e tij, Brixhida janë infektuar me Covid-19. Lajmi bëhet i ditur në Supersport...

Close