X

Iku Veri…, se Tirana ka kohë që ka ik…


Nga Enkel Demi

Unë jam rritur tek 21-shi, të cilin e njohim si “21 dhjetori”. Jam rritur me Qamushin dhe Ver Llapën. Nuk kam qenë tek njerëzit që zbaviteshin me ta. Nuk e di përse, por nuk më shkaktonin hare këta dy njerëz të pafat…

Para një jave Veri trokiti në qelqin e makinës time tek semafori i 21-shit. Më thënë të drejtën nuk ia kisha ngenë. M’u duk si i mërzitur, ndaj u pendova që nuk i dhashë gjë, por semafori u bë i gjelbër dhe unë ika… shpejt e harrova.

Sot, e gjeta në kronikë Verin që nuk do të jetë më tek semafori. Më ka përfshirë një trishtim i plotë. Ai qe një pjesë humoristike e qytetit tim, i cili me padijen, mangësinë e vetë fali gazin, madje shpesh mesazhin që të tjerët dëshironin ta përcillnin dhe kështu.

Veri ishte karikatura e qytetit tim. Njeriu që e nxirrte gjuhën për pak monedha dhe hante një bukë të tërë thatë.

Veri ishte kujtesa e qytetit tim, kujtesa e kohëve të mjera, në të cilat ai kishte para në xhep shumë më tepër se sa unë a ne. Ai është kujtesa e përqeshjes së rregjimit. Një mënyrë për të vënë në lojë komunistët.

Për çudi me të njëjtën mënyrë tironcit vunë në lojë pinjollin e komunistëve që sot qeveris, Edi Ramën. Përsëri i ndihmoi Veri, i cili të dhuronte plot bujari qenien e tij me cen.

Veri i përkiste një kohe, kur qyteti jetonte në mjerimin e do rrugëve pa makina, ku “qiellgërvishtësja” e vetme ishte 15-katëshi. Sak, kjo kohë të sillej nëpër mend edhe sot e kësaj dite, tek e gjeje në të njëjtin semafor që u rrethua nga automjete zullumqarë dhe ndërtesa si kërpudha.

Tirana e sotme është fjetore, prandaj dhe Veri shkoi.

Iku si ato lagjet me pullazet e kuqe që i prishën për të shkruar një Tiranë të re, e cila nuk na përket më neve, as mua, as Verit.

Iku si Teatri, si fusha e zezë e Liceut, gjelbërimi, lulishtet, rrethinat, por ama priti, sepse më parë vdiq Tirana ose më mirë Tirona si i thonim ne të asaj kohe.

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in BLOG
Tërheqja nga Afganistani dhe Iraku është e papërgjegjshme

Nga Ines Pohl Plani i Trumpit për të zvogëluar numrin e ushtarëve amerikanë në Afganistan dhe Irak në 2500 deri...

Close