X

Moska e humbi “mikun“ e saj në Shtëpinë e Bardhë, ja çfarë pritet të ndodhë me Bajdenin


Nga Vladimir Frolov

Demokrati Xhozef Bajden është bërë presidenti i ri i 46-të i Shteteve të Bashkuara, pasi korri një fitore të sigurt (në vota elektorale dhe votimin popullor), mbi presidentin aktual republikan Donald Trump.

Për Moskën, humbja e “mikut” të saj Trump është diçka e pakëndshme. Trump ishte personalisht i dashur për Vladimir Putinin. Kimia personale është e rëndësishme, veçanërisht për Putinin, që preferon një “stil të prekshëm” të diplomacisë presidenciale.

Në rastin e Trump kjo e lejoi atë lloj diplomacie, pasi presidenti amerikan nuk ishte “i mirë-lexuar” mbi çështjet kryesore në rendin e ditës, dhe ishte shumë i ndjeshëm ndaj lajkave, duke e bërë të paqartë pozicionin e administratës amerikane.

Një faktor kryesor i kësaj atmosfere të ngrohtë, ishte çmontimi i përshpejtuar i sistemit të udhëheqjes globale amerikane nga ana e Trump. Ai e dobësoi hegjemoninë mbarëbotërore të SHBA-së ve, si dhe dobësoi shumë aleancat ushtarako-politike të Uashingtonit, duke nxitur qëllimisht konflikte me aleatët kryesorë të Amerikës.

Kjo qasje i zvogëloi gjasat që Perëndimi të ishte në gjendje të shtërngonte radhët, dhe të koordinohej në një mënyrë efektive, për të kundërshtuar politikën e jashtme dhe të mbrojtjes të Rusisë. Nëse Trump do kishte fituar një mandat të dytë, sistemi amerikan i aleancave ushtarako-politike në Evropë dhe Azi, mund të ishte dobësuar në një shkallë të tillë, që do të kishte humbur çdo kuptim për vendet anëtare.

Sipas ish-këshilltarit të sigurisë kombëtare, Xhon Bolton, një tërheqje e SHBA-së nga NATO, do të ishte plotësisht e mundur gjatë mandatit të dytë të Trump. Nga ana tjetër Trump do të ishte përpjekur të përmirësonte marrëdhëniet dypalëshe me Moskën, për ta tërhequr Rusinë në anën e SHBA-së në një aleancë strategjike kundër Kinës.

Në fund Putini nuk do ta refuzonte atë aleancë, por në procesin e negociatave ai mund të kishte nxjerrë diçka të dobishme për Moskën, për shembull, heqjen e sanksioneve perëndimore, dhe njohjen nga SHBA të një sfere ruse të interesit në hapësirën post-sovjetike.

Me Bajdenin, Putin nuk do të ketë asnjë kimi personale. Vitet e fundit, presidenti i sapozgjedhur i SHBA-së ka thënë shumë gjëra të rënda mbi Rusinë dhe udhëheqësin e saj, përfshirë deklaratën e famshme gjatë një vizite që zhvilloi në Moskë si zëvendëspresident në marsin e vitit 2011:”Unë ju shoh në sy, dhe nuk mendoj se keni shpirt!”.

Në atë kohë ai gjithashtu la të kuptohet se rikthimi i Vladimir Putinit në postin e presidentit në 2012 ishte i padëshirueshëm, gjë që ua tha drejtuesve të opozitës ruse gjatë një takimi me ta në ambasadën e SHBA-së.

Biden nuk e ka fshehur asnjëherë qëndrimin e tij negativ ndaj Putinit, duke e quajtur atë një diktator në fjalimin e tij në Konventën Demokratike të vitit 2016, dhe duke i mbështetur pretendimet e tij mbi papërshtatshmërinë e Trumpit si president i SHBA-së, pikërisht tek “simpatia e këtij të fundit për Putinin”.

Në vitin 2018, Bajden botoi një artikull në revistën “Foreign Affairs”, ku bënte thirrje për një shtim të sanksioneve kundër Rusisë, rindërtim të fuqisë ushtarake të NATO-s, promovimin aktiv të demokracisë, mbrojtjen e të drejtës së shteteve sovrane për “të zgjedhur aleancat e tyre mbrojtëse”, dhe refuzimin se çdo fuqi e ka një “sferë interesi”.

Kur në vitin 2014 Bajden u bë personi kryesor i Ukrainës, pas aneksimit të Krimesë nga Rusia dhe ndërhyrjes pasuese në Donbas, ai u kthye në armikun kryesor të Kremlinit. Me një përvojë të gjerë të kontakteve diplomatike në nivelin më të lartë, dhe me një ekip të përgatitur të politikës së jashtme, ai është njeriu më i përgatitur për ta qeverisur SHBA-në që nga koha Xhorxh Bushit të Vjetër.

Përbërja e ekipit të Bajden, do të luajë një rol të madh në marrëdhëniet ruso-amerikane. Bajden ka shumë zgjedhje në dispozicion. Kandidatët për postin e sekretarit të shtetit përfshijnë Entoni Blinken (ish-këshilltar i sigurisë kombëtare dhe zëvendëssekretar i shtetit i Bajden në administratën Obama), Suzsan Rajs (ish-këshilltarja e sigurisë kombëtare e Obamës), Uilliam Bërns (ish zëvendës sekretari i shtetit dhe ambasador i SHBA-së në Rusi), dhe senatorët Kris Mërfi dhe Kris Kons.

Tani për tani, është e paqartë se kush do të jetë në krye të politikës për Rusinë dhe hapësirën post-sovjetike. Një kandidat është ish-këshilltari i Bajden dhe ish-zëvendës ministri i mbrojtjes i SHBA Mark Karpenter, i njohur për retorikën e tij të ashpër ndaj Rusisë.

Në tërësi, politika e SHBA-së mbi Ukrainën dhe tani Bjellorusinë, nuk pritet të jetë një përparësi për administratën e Bajden. Për Bjellorusinë, administrata Bajden do të vazhdojë kursin aktual. Gjithçka do të varet nga mënyra se si zhvillohet situata me protestat:nëse ato shtypen, atëherë do të ketë sanksione të reja kundër Llukashenkos dhe njerëzve të tij, por jo më shumë se kaq.

Kur bëhet fjalë për çarmatimin bërthamor, Bajden ka një personel shumë të kualifikuar me përvojë të gjerë negociatash me Rusinë:Rouz Gotmëler (arkitektja e traktatit START), Xhon Ulfstal (ish-drejtor për mospërhapjen e armëve bërthamore në Këshillin e Sigurimit Kombëtar), Tom Kauntri (ish-ndihmës sekretari i shtetit) dhe të tjerët.

Zgjatja e traktatit START për 5 vjet të tjera, së bashku me një vazhdim të njëkohshëm të dialogut mbi parametrat e ardhshëm të stabilitetit strategjik, është aktualisht rezultati i vetëm i shpejtë që mund të arrihet midis Moskës dhe Uashingtonit nën epokën Bajden.

Ndryshe nga republikanët e Trump, demokratët janë të gatshëm ta zgjasin START pa ndonjë parakusht, dhe ndërsa ka vetëm 2 javë kohë midis inaugurimit të Bajden më 20 janar dhe skadimit të traktatit më 4 shkurt 2021, problemi është i zgjidhshëm (palët mund të bien dakord për një regjim të përkohshëm të pajtueshmërisë mbi START, derisa të hyjë në fuqi një vendim për zgjatjen).

Problemi kryesor për Kremlinin me Bajdenin dhe demokratët në SHBA, është konsensusi i ri

i politikës së jashtme të liderëve të Partisë Demokratike. Sfida kryesore gjeopolitike për SHBA-në, është përballja globale midis autoritarizmit dhe demokracisë.

Ekipi i Bajden nuk flet më për “rendin botëror liberal”, që kërkon hegjemoninë amerikane për të zbatuar rregullat, por flet për “botën e lirë”, të cilën Shtetet e bashkuara dhe aleatët e saj, janë të detyruar që ta mbrojnë nga autokracitë në rritje, të drejtuara nga Kina dhe Rusia.

Ndërsa Uashingtoni mund të ketë hequr dorë zyrtarisht nga “ndryshimi i regjimit” si një politikë zyrtare, ai vazhdon të besojë tek ndikimi që kanë furnizimet me ndihma jo-ushtarake për lëvizjet opozitare (si në Venezuelë), në luftën për të drejtat e njeriut, dhe për një qeveri të përgjegjshme para popullit (që për Moskën është e barabartë me ndërhyrjen me synim ndryshimin e regjimit).

Moska e ka të pamundur të mos shqetësohet nga rivendosja e unitetit transatlantik midis SHBA dhe BE, si dhe nga forcimi i koordinimit të politikës së jashtme në lidhje me Rusinë. Nën Bajdenin, SHBA-ja do të marrë parasysh më shumë opinionet e evropianëve mbi çështjet kryesore të politikës globale, dhe do t’i kushtojë më shumë vëmendje shqetësimit të Evropës me krizat rajonale në periferitë e saj (Ukrainë, Siri, Libi).

Ne do të shohim gjithashtu veprime më të koordinuara mbi Kinën dhe zgjerimin e saj në Euroazi, si dhe një bashkim përpjekjesh nga SHBA-ja dhe Evropa, për t’iu kundërvënë fuqisë në rritje të rivalëve gjeopolitikë të Perëndimit.

Ndërkaq në Evropë do të shohim një forcim të pozicionit të euro-atlantistëve, të cilët janë të gatshëm të qëndrojnë krah për krah (përfshirë edhe në aspektin ushtarakisht) me internacionalizmin e ri amerikan.

Nuk ka të ngjarë që Bajden ta nisë kapitullin e tij në marrëdhëniet ruso-amerikane me një raund të ri sanksionesh, pavarësisht helmimit të konfirmuar me armë kimike të liderit të opozitës Aleksei Navalni. Administrata e demokratëve, do të kryejë një rivlerësim të efektivitetit të sanksioneve, dhe rolit të tyre në strategjinë në lidhje me Rusinë.

Në realitet, Bajden ka nevojë të përdorë vetëm presionin e arsenalit imponues të sanksioneve, që është miratuar tashmë nga Kongresi Amerikan. Por një pjesë e rëndësishme e ekipit të tij të politikës së jashtme, beson se sanksionet duhet të rikonfigurohen në një mënyrë të tillë në mënyrë, që ato jo vetëm ta “ndëshkojnë” Rusinë për veprimet e kryera tashmë, por të shërbejnë gjithashtu si një mjet për të frenuar lëvizjet e reja jo-miqësore të Moskës.

Marrë me shkurtime nga “The Moscow Times”/Perktheu:Bota.al

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in BLOG
Evropa në kërkim të një bashkëjetese të re, midis Islamit dhe shekullarizmit

Nga Francesco Peloso Viktima të pafajshme të terrorit xhihadist. Nën këtë kategori të thjeshtë dhe dramatike në të njëjtën kohë,...

Close