X

Mbyllje e dytë nga koronavirusi? Basha: Çdo masë shtesë është rezultat i dështimit të Ramës!


Kryedemokrati Lulzim Basha ka theksuar se çdo masë shtesë kufizuese, përfshi edhe mbylljen e dytë nga COVID-19 do të jetë rezultat i dështimit të Ramës.

Basha thotë se Rama fshihet mbrapa grupit të tij të ekspertëve, ndërkohë që shton se ekspertët e vërtetë i kanë kërkuar masat e tjera më parë si rritja e testimeve, rimbursimi i ilaçeve, apo dhe rritjen e kapaciteteve spitalore.

Ai shton se nëse këto masat do të merreshin më parë atëherë Shqipëria nuk do ishte në këtë situatë ku është sot.

PYETJA: Mbyllje e dytë?

Nuk ka asnjë dyshim që ai grup e ekspertëve po vepron si fasadë e dështimeve të Ramës. Ai ka dështuar me qëllim me menaxhimin e krizës.

Arsyet ja u thashë. Paratë që duhet të shkonin për shëndetësinë, pacientët e qytetarët. Rama ia ka harxhuar për klientët.

Përgjegjësia është e tij, nuk mund të fshihet pas grupit të ekspertëve. Ekspertët kanë folur para nesh, kanë kërkuar rritje të testimeve, rimbursim të paketës së ilaçeve, këta janë të vërtetët. Të tjerët janë fasadë e Ramës.

Nëse do ishin marrë këto masa, situata do ishte shumë më e lehtë për t’u përballuar sa ç’po bëhet nga ora në orë. Nuk ka asnjë alibi pse nuk janë marrë masat.

Çdo dështim dhe masë kufizuese është rezultat dhe produkt i dështimit të Ramës, i menaxhimit në kohë. Nuk ka pasur asnjë plan për të ndihmuar njerëzit e sistemit, por është fshehur dhe fshihet ndërkohë që vijon të vjedhë paratë e shqiptarëve.

Mos e krahasojë veten me Francën dhe Gjermaninë, se del si rruajtur qethur ky hajduti. Krahaso me Maqedoninë e Veriut, që ka paketën e katërt. Padiskutim, rritja e numrit të testimeve, rrit aftësinë për të ndërprerë zinxhirin e infeksionit.

E ka thënë OBSH, është e faktuar. Sa më pak të testosh, aq më pak të infektuar dalin. Sa më shumë, aq më tepër lind nevoja për masa.

Të mbrosh, të pajisësh mjekët, ky nuk e ka bërë, të rimbursosh ilaçet, ky nuk e ka bërë. Mban testimet në nivel të ulët e pastaj thotë në Kuvend do vendosim kush do jetojë e kush do vdesë.

Të tjerat janë pallavra, që njerëzit të hanë sapunin për djathtë. Vendi ka mundësi financiare për t’u përballuar, por kryeministri vijon vjedh.

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in AKTUALITET, FLASH, LAJME
Tërmet me magnitudë 6.6 në Greqi

Lëkundje të fuqishme tërmeti janë ndjerë këtë të premte në brigjet e detit Egje. Mediat greke bëjnë me dije se...

Close