X

Kufizimet nga koronavirusi/ Pezullohet edhe segmenti 13 milionë euro Palasë-Dhërmi


Pak ditë pas pezullimit të një sërë projekteve që ishin çelur nga Autoriteti Rrugor Shqiptar pas mesit të tetorit është bërë edhe pezullimi i tenderit të fundit që dilte ende aktiv.

Bëhet fjalë për rrugën Palasë-Dhërmi nxjerrë me një fond limit 1.6 miliardë lekë apo rreth 13 milionë euro.

ARRSH parashikonte që të merrte oferta për këtë rrugë deri në 23 nëntor por tashmë procedura mbetet e ngrirë.

Ky projekt ishte ndër ata me vlerë më të lartë dhe të shpallur në 10-ditëshin e fundit të tetorit. Gjatë kësaj jave ARRSH pezulloi edhe disa procedura të tjera duke nisur nga ajo për “Ndërtim Rruga mbikalimi TEG dhe rrugët lidhëse të tij”, me fond limit rreth 1.5 miliardë lekë, tek tenderi i mbikëqyrjes për këtë projekt me një fond limit 11.6 milionë lekë.

E pezulluar rezulton edhe procedura tjetër e çelur në datë 15 tetor, e cila ka në objekt “Ndërtim i rrugës. lidhja e Autostradës Milot – Morinë me Aeroportin e Kukësit”, me një fond limit rreth 600 milionë lekë.

Listës së pezullimeve ju shtua edhe procedura me objekt “Supervizion Punimesh Ndërtim rruga Korçë- Ersekë, Loti 2 (pjesa e parë)”.

Pezullimi i saj vjen në një kohë kur në fakt, procedura tjetër e lidhur me të që është ndërtimi i rrugës Korçë-Ersekë Loti 2 (pjesa e parë) me një fond limit rreth 2.4 miliardë lekë dhe e fituar nga kompania ANK, me ofertë 2.35 miliardë lekë ka përfunduar hallkat e saj dhe duhet të nisë zbatimin. Zbatimi i kontratës nuk mund të bëhet pa pasur të përfunduar edhe pjesën e mbikëqyrjes që aktualisht mbetet e pezulluar.

Pezullimi i një pjese të procedurave të prokurimit të shpallura në datë 15 tetor apo më pas mund të lidhet me disiplinimin që është kërkuar më herët në një vendim të qeverisë për angazhimet buxhetore, ku thuhet se pas datës 15 tetor të çdo viti buxhetor, njësitë e qeverisjes së përgjithshme nuk mund të publikojnë njoftimin për prokurimin e mallrave/punëve/shërbimeve, të cilat nuk janë përfshirë në regjistrin e prokurimeve publike, deri në këtë datë.

Pavarësisht këtij kufizimi, një sërë tenderash me fonde të konsiderueshme u hapën në javët e fundit të tetorit, të cilat tashmë po pezullohen.

Kufizimi i shpenzimeve po detyrohet dhe nga performanca jo e mir e të ardhurave buxhetore. Për 9-mujorin 2020, të ardhurat në buxhet shënuan një rënie prej 10.5% në krahasim me faktin e 2019-s, në krahasim me -3% që ishte pritshmëria në buxhetin e rishikuar.

Si rrjedhojë e performancës më të ulët të të ardhurave, financat u detyruan të shpenzojnë më pak sesa parashikohej, në mënyrë që të mbajnë nën kontroll parametrat e deficitit. Si rrjedhojë, shpenzimet në total ishin gati 8% më të ulëta se plani dhe ato kapitale gati 9% më pak se plani përkatës, ose 4.5 miliardë lekë më pak.

Tendenca për të hapur sa më shumë fronte pune është sjellje tipike e qeverive në vendin tonë sidomos në vite elektorale duke marrë përsipër angazhime përtej mundësive çka ka rezultuar me zgjatje të punimeve përtej afateve si dhe krijimit të detyrimeve të prapambetura.

Edhe për vitin e ardhshëm qeveria parashikon një nivel rekord të shpenzimeve kapitale për rrugë, që gjithsesi mund të detyrohet t’i anulojë nëse nuk do të realizojë të ardhurat. / Monitor

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in AKTUALITET, LAJME
Meta mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të Avni Mulës: Lamtumirë mjeshtër!

Presidenti Ilir Meta ka përcjellë një mesazh ngushëllimi për kompozitorin Avni Mula i cili dje u nda nga jeta në...

Close