X

Juventusi “ngec” sërish në kampionat, Verona e shtang në shtëpi

Juventusi ka dështuar të rikthehet te fitorja në kampionat, teksa nuk ka shkuar më shumë se barazimi 1-1 ndaj Helas Veronës në shtëpi në ndeshjen e vlefshme për javën e pestë në Serinë A.

Pjesa e parë foli e gjitha për skuadrën e Pirlos, që dominoi dhe tentoi disa herë golin, që e gjeti në minutën e 45’ me Moratën, por VAR e anuloi për pozicion jashtë loje. E dyta ishte disi më ndryshe, me Veronën që tentoi më shumë drejt portës kundërshtare.

Në minutën e 60’, pas një gabimi në mesfushë nga lojtarët e Juventusit, përfiton Verona që niset në sulm me Zakanjin, i cili asiston për Favilin, me këtë të fundit që ia doli të dërgojë topin në rrjetë. Pas kësaj, Pirlo nisi të bëjë ndryshime në formacion, duke larguar nga fusha e lojës Bernardeskin, për të futur Kulusevskin. Pikërisht kjo ishte zgjedhja e duhur e Pirlos, pasi suedezi arriti të gjejë golin e barazimit në minutën e 78’.

Megjithëse tentativat e bardhezinjve për të gjetur golin e fitores ishin të shumta, nuk ia dolën të merrnin fitoren dhe ndeshja u mbyll në barazim 1-1, i cili është i dyti radhazi në kampionat, pas atij ndaj Krotones në javën e kaluar. “Zonja e Vjetër” shkon në kuotën e 9 pikëve në vendin e pestë, ndërsa Verona renditet në vendin e 8-të me 8 pikë.

Kujtojmë se në këtë ndeshje Pirlo aktivizoi edhe sulmuesin e Shqipërisë, Xhakomo Vrioni, i cili u fut në fushë në minutën e 89′ në vendin e Ramsejit.

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in SPORT
Fiorentina triumfon me Castrovilli-Milenkovic, Udineses s’i mjafton Okaka

Fiorentina lë pas krizën e rezultateve, fiton 3-2 me Udinesen dhe katapultohet në mesin e tabelës së Serisë A. Në...

Close