AKTUALITET, 23 Tetor 2020, 12:09

Çështja e Detit në Hagë, Abazi: Rama drejt një tentative për tradhti kombëtare

Çështja e Detit në Hagë, Abazi: Rama drejt një


Drejtuesi i Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri, Boiken Abazi akuzon kryeministrin Edi Rama, se me dërgimin e çështjes së detit në Hagë, po lëviz drejt një tentative për tradhti kombëtare.

“Problemi është që Greqia po ushtron presion ndaj Shqipërisë për politikat e saj ekspansioniste. Ky problem politik nuk zgjidhet duke vajtur në Hagë.

Nëse Shqipëria nuk ia konteston këtë zgjerim Greqisë, Haga nuk ka çfarë të shqyrtojë, përveç se të konstatojë se Shqipëria është e gatshme t’ia dhurojë detin e saj Greqisë. Zgjidhja është që mos të lëvizim nga pozicioni i interesave tona kombëtare. Mos t’ia njohim Greqisë këtë ekspansion”,- shkruan Abazi në rrjetet sociale.

Postimi i plotë:

Ata që pyesin se cila është zgjidhja për Detin Jon me Greqinë, u duhet dhënë përgjigje me pyetjen “Cili është problemi?”.

Pa identifikuar saktë problemin nuk mund të shkojmë te zgjidhja. Greqia nuk ka asnjë akt juridik për zgjerimin me 12 md në Detin Jon, vetëm deklarata politike.

Greqia nuk e merr një vendim zyrtar dhe nuk e depoziton në OKB këtë zgjerim sepse e di që Shqipëria gëzon të drejtën t’ia kontestojë dhe rrëzojë. Pra, problemi nuk ekziston juridikisht, por vetëm politikisht.

Problemi është që Greqia po ushtron presion ndaj Shqipërisë për politikat e saj ekspansioniste. Problemi është agresiviteti politik i Greqisë. Ky problem politik nuk zgjidhet duke vajtur në Hagë. Nëse Shqipëria nuk ia konteston këtë zgjerim Greqisë, Haga nuk ka çfarë të shqyrtojë, përveç se të konstatojë se Shqipëria është e gatshme t’ia dhurojë detin e saj Greqisë.

Problemi është se synimet e politikave ekspansioniste të Greqisë kanë gjetur gatishmërinë e kolaboracionistëve si Rama. Zgjidhja është që mos të lëvizim nga pozicioni i interesave tona kombëtare. Mos t’ia njohim Greqisë këtë ekspansion.

Mos të çojmë asgjë në asnjë gjykatë ndërkombëtare pa e zyrtarizuar njëherë vendimin Greqia. Sepse ndryshe nuk ka çështje. Shqipërisë i njihen ndërkombëtarisht 12md në Detin Jon. Greqisë jo dhe as nuk guxon ta zyrtarizojë këtë ekspansion. Nëse ne lëvizim dhe e çojmë bashkë me Greqinë në Hagë, vetëm atëherë kjo çështje jo juridike bëhet “çështje”.

Ne nuk kemi asnjë detyrim për të lëvizur e për të hedhur vallen sipas muzikës së ekspansionit grek. Kush lëviz humbet. Me ato që ka deklaruar, Rama po lëviz drejt një tentative të pastër për tradhti kombëtare.