X

Ndryshimet në Kodin Zgjedhor, opozita e bashkuar letër PS: Pranoni ekspertizën e OSBE/ODIHR, po rrezikoni negociatat


Ditën e sotme, përfaqësuesit e opozitës së bashkuar në Këshillin Politik, Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili, i kanë dërguar një letër Partisë Socialiste që të pranojë rekomandimet e OSBE/ODIHR për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.

LETRA E PLOTË:

Z. Gjiknuri,/Këshilli Politik funksionin vetëm mbi tërësinë e rregullave të marrëveshjes politike të 14 janarit 2020 dhe mekanizmi i zgjidhjes së mosmarrëveshjeve duke iu drejtuar OSBE/ODIHR-it është rregull themelor i saj.

Pa zbatimin e këtij mekanizmi nuk ka zgjidhje të pranuara siç përcakton marrëveshja dhe pa zgjidhje të pranuara nuk ka konsensus në reformën zgjedhore.

Konsensusi është mekanizmi themelor i funksionimit të Këshillit Politik si instrumenti vendimmarrës për çdo ndryshim të Kodit Zgjedhor.

Mesazhet e partnerëve ndërkombëtarë kanë qenë të qarta që palët në Këshill të kërkojnë konsensusin në kuadër të Këshillit Politik. Reforma zgjedhore konsensuale është një nga 15 kushtet për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE.

Është kërkesë e partnerëve ndërkombëtarë që me qëllim gjetjen e konsensusit në Këshill, mosdakordësia për çështjen themelore të koalicioneve zgjedhore që tashmë është shtruar publikisht dhe zyrtarisht në Këshill nga opozita, t’i dërgohet menjëherë e pa vonesë OSBE/ODIHR-it.

Qëndrimi juaj refuzues i shprehur në të gjitha seancat e Këshillit Politik që nga data 14 shtator e së fundmi me shkresën e datës 29 shtator 2020, është bërë pengesë dhe ka bllokuar funksionimin e Këshillit Politik si dhe ka minuar zbatimin e Marrëveshjes se 14 janarit.

Bllokimi nga ana juaj i funksionimit të Këshillit Politik, refuzimi për t’iu drejtuar OSBE/ODIHR-it, si dhe tentativa për ndryshimin e njëanshëm të Kodit Zgjedhor në shkelje të marrëveshjeve të 14 janarit dhe 5 qershorit, po venë në rrezik hapjen e negociatave dhe procesin e integrimit europian të Shqipërisë.

Opozita do të vazhdojë të ngulë këmbë në Këshillin Politik që rregullat e funksionimit të tij të zbatohen të plota, konsensusi të jetë mekanizmi i vetëm.

Në këtë kuadër ripërsërisim kërkesën tonë që Këshilli t’i drejtohet si hap i parë, pa asnjë vonesë tjetër, OSBE/ODIHR-it. Kjo do t’i hapë rrugë shqyrtimit të çështjeve të tjera ku rëndësi ka hapja e plotë e listave të kandidatëve.

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/