X

“Ende nuk e kemi mundur virusin”/ Pipero tregon rrethanat që mund të çojnë në mbylljen e shkollave


 Mjeku i njohur Pëllumb Pipero ka treguar në emisionin Ditari në A2 rrethanat që mund të çojnë në një rimbyllje të shkollave. Ai tha se shkollat mund të mbyllen vetem nëse mësimi pamundësohet nga numri i pakët i nxënësve apo personeli pedagogjik.

“Që të flasim për shkollat jemi akoma herët dhe duhet të presim se çfarë do të ndodhë. Nëse respektohen protokollet, shkollat do të vazhdojnë të jenë të hapura dhe mësimi do të vijojë normalisht. Shkolla mund të mbyllet vetëm nëse mësimi pamundësohet nga numri i pakët i nxënësve apo personeli pedagogjik”, tha Pipero.

Ai shtoi më tej se edhe mbylla, apo izolimi i popullsisë nuk është një zgjidhje.

 “Këto 6 muaj pandemie treguan se mbyllja nuk ishte zgjidhje, por zgjedhje e detyruar për të përballuar fillimin e krizës. Tani që kemi kapacitetet dhe njohuritë, çdo veprim në drejtim të mbylljes është i gabuar për mua”.

Kur u pyet se kush do të jenë të parët që do të vaksinohen kur në vendin tonë të mbërrijë vaksina kundër Covid-19, Pipero tha: “Do të vaksinohen së pari grupmoshat më të rrezikuara dhe profesionet më të ekspozuara, si mjekësia, policia dhe gazetarët. Të presim vendimet e Komitetit të Ekspertëve”.

Në fund, mjeku i njohur theksoi se “ende nuk e kemi mundur virusin sepse beteja vazhdon”.

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/