X

Vrasjet mafioze në Elbasan/ Si u porositën ekzekutimet nga Erion Alibej (Dosja e plotë)

Prokuroria e Elbasanit ka mundur të mbledhë të dhëna bindëse ndaj të akuzuarit Erion Alibej, se ka organizuar dhe porositur vrasjen e Regis Runajt dhe Emiljano Ramazanit gjatë muajit korrik. Dy vrasjet makabre kanë ndodhur pak ditë njëra pas tjetrës.

Në dosjen e Prokurorisë thuhet se Runaj dhe Ramazani janë ekzekutuar për gjakmarrje. Akuza thotë se vrasjet e tyre lidhen me ngjarjen e ndodhur në dhjetor të vitit 2018, ku mbeti i vrarë vëllai i Erion Alibej, Endrit Alibej. Po ashtu, Prokuroria thotë se vrasjet e ndodhura në muajin korrik në Elbasan u zbuluan nga një i penduar i drejtësisë, i cili është arrestuar për vrasjen e 23-vjeçarit Regis Runaj. Ekzekutimi i këtij të fundit ka qenë makabër. Fillimisht, autorët janë bërë “shokë” me viktimën, 10 ditë para se ta vrisnin. Kjo ka qenë një mënyrë për ta futur në grackë.

DOSJA E PLOTË

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan ka regjistruar dhe vijon hetimet në kuadër të procedimit penal nr.1225, viti 2020. Ky procedim penal është regjistruar për veprat penale të “Vrasjes me paramendim” kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimit, mbajtjes, blerjes apo shitjes pa leje të armëve të ftohta”, parashikuar nga nenet 78/2 dhe 25 si dhe 279/2 të K.Penal. Ky procedim penal është regjistruar në emër të personave nën hetim: Euglen Halili, Xhuljano Hoxha dhe Erion Alibej. Ky procedim penal i referohet ngjarjes së datës 29.07.2020, ku rreth orës 21:30-22:00, në afërsi të varrezave të qytetit të Elbasanit, është vrarë me mjete mprehëse-shpuese shtetasi Regis Runaj, i moshës 23 vjeç.

Nga veprimet e deritanishme hetimore ka rezultuar se autor i kësaj vepre penale, duke vepruar në rolin e ekzekutorit, ka qenë shtetasi nën hetim Euglen Halili, ndërsa autor në rolin e organizatorit ka qenë shtetasi në hetim, Xhuljano Hoxha. Të dhënat e deritanishme hetimore japin konkluzionin që kjo vepër penale është kryer nga të hetuarit kundrejt përfitimit pasuror (motive përfitimi material), ndërsa porosia për ekzekutimin e viktimës ka ardhur nga i hetuari Erion Alibej.

Rezulton se i hetuari Euglen Halili e ka qëlluar viktimën me thikë fillimisht në pjesën e qafës, ndërsa kanë qenë duke lëvizur të dy në të njëjtin motomjet dhe më pas e ka qëlluar gjithsej 27 herë. Ngjarja është zhvilluar si vijon: Personat nën hetim, Euglen dhe Xhuljano, kishin filluar të shoqëroheshin me viktimën Regis rreth 10 ditë përpara ngjarjes. Qëllimi i këtij shoqërimi në dukje shoqëror ka qenë që të krijonin marrëdhënie njohjeje dhe besimi në funksion të realizimit të qëllimit final, pra të vrasjes së viktimës.

Personat nën hetim, ditën e ngjarjes kanë lëvizur nga lokal “Beni”, i cili ndodhet poshtë pallatit ku banon viktima, në drejtim të një vendi i quajtur “Parku”, në afërsi të varrezave të qytetit. Së bashku me ta kanë qenë edhe tre persona të tjerë. I hetuari Euglen ka shkuar në këtë vend me motomjetin e tij së bashku me viktimën, ndërsa personat e tjerë kanë shkuar me automjetin në pronësi të të hetuarit Xhuljano.

Pasi kanë konsumuar lëndë narkotike, tre personat e tjerë janë kthyer në këmbë, ndërsa shtetasi Euglen dhe viktima Regis janë kthyer me motomjet. Në drejtim të këtij mjeti ka qenë viktima, ndërsa shtetasi Euglen si pasagjer në sediljen e pasme. Në një moment, shtetasi Euglen i ka kërkuar viktimës të ndalonte motorin dhe sapo ai ka ulur shpejtësinë, Eugleni e ka qëlluar me thikë një herë në pjesën e qafës dhe më pas dhe disa herë të tjera në pjesë të ndryshme të trupit dhe kokës. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:45.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasit Euglen dhe Xhuljano kanë qenë të përfshirë edhe në ngjarjen kriminale të datës 20.07.2020, në të cilën është vrarë shtetasi Emiljano Ramazani. Në këtë ngjarje rezulton se shtetasit Euglen dhe Xhuljano kanë pasur rolin e vëzhguesit të viktimës, pasi prej disa ditësh ata e kanë vëzhguar atë dhe lëvizjet e tij. Të dhënat e marra nga ky veprim, ata ia kanë dërguar porositësit të vrasjes, shtetasit Erion Alibej. Rezulton se më datë 20.07.2020, shtetasit Euglen dhe Xhuljano e kanë ndjekur viktimën dhe kanë dërguar vendndodhjen e tij pranë palestrës në Elbasan.

Këtë veprim ata e kanë kryer rreth orës 14:00-14:30. Rreth orës 16:00, ndërsa viktima Emiljano ka lëvizur nga palestra për në drejtim të banesës së tij në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Luleve” në Elbasan, në momentin që ai ka parkuar automjetin e tij tip “Ford”, një person ka dalë nga një mjet tip “Passat” i parkuar pranë vendit të ngjarjes dhe është afruar pranë viktimës, duke e qëlluar 6 herë me armë zjarri të llojit pistoletë. Në kuadër të hetimeve për këtë ngjarje është lidhur marrëveshja e bashkëpunimit mes një shtetasi dhe organit të Prokurorisë.

Ky shtetas, por edhe personat e tjerë të pyetur gjatë hetimeve, kanë konfirmuar dyshimin se shtetasi Erion Alibej ka qenë në pozicionin e porositësit në ngjarjet kriminale të sipërcituara. Ka të dhëna që këto ngjarje kanë për motiv gjakmarrjen për vrasjen e shtetasit Endrit Alibej, ngjarje kjo e ndodhur në vitin 2018 në Elbasan. Për sa më sipër, ekzistojnë kushtet dhe kriteret e parashikuara në nenet 228 e 229 të K.Pr.Penale që ndaj personave nën hetim të caktohet një masë sigurimi personal me karakter shtrëngues.

Mbi të dhënat dhe deklarimet e sipërcituara rezulton nga dinamika e hetimeve se personi nën hetim, Erion Alibej, ka konsumuar veprën penale të parashikuar nga neni 78/2 dhe 25 i K.Penal. Në këto kushte, vlerësohet se nevojat e sigurimit ndaj tij janë të rënda dhe në funksion të veprimeve hetimore është e nevojshme që të caktohet një masë sigurimi, ku më e përshtatshme në raport me peshën e provave të administruara dhe që plotëson më mirë nevojat e sigurimit, si dhe për të evituar rrezikun e ikjes dhe shmangies nga përgjegjësia penale, ashtu dhe parandalimin e ngjarjeve të tjera kriminale, është masa e parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale.

Gjithashtu, nuk ekziston asnjë shkak padënueshmërie (në lidhje me moshën ose gjendjen psikike të personit nën hetim) ose shuarje të veprës penale. Vepra penale nuk rezulton të jetë parashkruar, amnistuar apo depenalizuar.

Gjykata lë në burg 34-vjeçarin, nën akuzë për dy vrasje

Gjykata e Elbasanit ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për Erion Alibejn (Dylgjeri), i cili u arrestua të premten e kaluar si porositës dhe organizator për vrasjen e Emiljano Ramazanit dhe Regis Runajt. Ndaj tij rëndon akuza “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim.

Sipas Policisë, Alibej është porositësi dhe organizatori i dy vrasjeve të ndodhura në Elbasan, përkatësisht në datat 20 korrik dhe 29 po të këtij muaji, ku mbetën të vrarë me armë zjarri Emiljano Ramazani dhe me thikë Regis Runaj. Mbërritja e tij në Gjykatë ka qenë shumë e qetë, ku vetëm një mjet i “Shqiponjës” ka sjellë të arrestuarin në sallën e gjyqit, seancë e cila është zhvilluar pa praninë e mediave.

Mësohet se gjatë gjithë seancës, Alibej nuk ka thënë asnjë fjalë për trupin gjykues, vetëm gjeneralitetet e tij. Arrestimi i tij u krye me vetë kërkesën e Kryeprokurorit të rrethit, Kreshnik Ajazi, i cili, duke iu referuar provave të grumbulluara gjatë hetimit, kërkoi edhe arrestimin e tij. Erion Alibej (Dylgjeri) ka qenë i dënuar në Itali për trafik narkotikësh në Torino (Asti) me 4.5 vite burg. Në 29 dhjetor të vitit 2018, familjarëve të tij iu bë atentat teksa ktheheshin nga një festë familjare. Si pasojë e breshërive mbeti i vrarë vëllai i tij Endriti, xhaxhai dhe një shtetas turk, i cili ishte i martuar me kushërirën e tyre./ Panorama

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in AKTUALITET, LAJME
Listat dhe koalicionet, Basha konsultohet me aleatët. Takim çdo javë për strategjinë

Prej orës 15:00 Lulzim Basha ka mbledhur dhe po zhvillon një takim me aleatët në selinë blu. Në fokus të...

Close