X

Erdogan përgatit forca mercenare elitë për të rivalizuar Grupin “Wagner” të Rusisë. Çfarë synon kjo forcë e drejtuar nga njeriu i besuar i Presidentit turk


Në sytë e shumë njerëzve, ai është një nga mercenarët më të fuqishëm të botës islame, një ish-gjeneral me lidhje të forta, nën urdhrat e të cilit janë me mijëra mercenarë sirianë të sprovuar me luftën.

Një nga njerëzit më të afërt i besuar i Presidentit të Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, Adnan Tanriverdi shpreh ekspertizën në të gjitha teknikat e errëta të luftës, që nga sabotimi deri te neutralizimi i kryengritjeve dhe ekzekutimet.

Por, me kaq shumë ushtarakë të njohur, ndarja e njeriut nga miti mund të ngjajë paksa e vështirë. A është ai – siç parapëlqejnë ta quajnë kritikët, lakeu personal i Erdoganit – që komandon ushtri sekrete islame në Libi dhe në Siri? Apo ai është – siç parapëlqen ai vetë që ta quajë veten – thjesht një patriot i respektuar, i njollosur nga përgojimet e armiqve të Presidentit?

“Ne nuk kemi dërguar asnjë forcë mercenare, apo personel tjetër ushtarak në Siri ose në Libi”, – këmbënguli ai në deklaratën e tij për “The Telegraph”, pas akuzës që u ngrit ndaj tij nga qeveria e Shteteve të Bashkuara, se ai kishte vendosur mijëra luftëtarë sirianë në Libi. Mandej, mbrojtjen ai e vazhdoi duke thënë: – “Dua ta theksoj edhe njëherë, se kompania jonë nuk është një organizatë mercenare. Ajo nuk ka asnjë lidhje me asnjë grup apo organizatë terroriste.”

Gjeneralët e Komandës së Pentagonit për Afrikën këmbëngulin për të kundërtën. Në një raport dërguar qeverisë së Shteteve të Bashkuara në fillim të këtij muaji, ata shprehen se SADAT kontrollonte në Libi afro 5.000 forca mercenare siriane, përfshi këtu “edhe ekstremistë me lidhje të mëhershme terroriste”, duke shtuar se forcat e armatosura të vendosura në veprim aty luftonin për Qeverinë e Marrëveshjes Kombëtare, e cila është ana që ka mbajtur dhe mbështetur Ankaraja gjatë luftës civile në Libi.

Në raport thuhet se mercenarët, për të cilët dyshohet që janë të paguar dhe stërviten nga një varg instruktorësh të SADAT, kishin ndihmuar në rimarrjen e territoreve nga ana e Qeverisë së Marrëveshjes Kombëtare prej Khalifa Heftar-it, një nga njerëzit më të pushtetshëm të periudhës Gadafi, që gëzon mbështetjen e rivalëve të Turqisë, Emirateve të Bashkuara dhe Egjiptit. Në të thuhej gjithashtu se ishin vërejtur edhe lëvizje të dyshimta nga ana e luftëtarëve. “Raportimet për vjedhje, ngacmime seksuale dhe sjellje të pahijshme nga ana e këtyre mercenarëve ishin në shtim e sipër, çka, me shumë gjasa, do ta degradonte edhe më tej situatën në aspektin e sigurisë”.

Adnan Tanriverdi pretendon ekspertizë të plotë në të gjitha “teknikat e errëta të luftës”

Akuzat e ngritura nga Shtetet e Bashkuara e kanë nxitur edhe më shumë sensin intrigues në rritje për s ai përket grupit SADAT në Turqi, për të cilin kundërshtarët e Erdoganit shprehen se vepron si një ushtri private presidenciale. Ata e krahasojnë atë me Grupin “Wagner”, të cilët kryejnë operacione ushtarake jashtë vendit për Presidentin Vladimir Putin, përfshi këtu edhe luftimet në interes të forcave të Gjeneral Heftar-it në Libi.

Këto dyshime vijnë në një kohë që Erdogani po kërkon zgjerimin e influencës ushtarake turke jashtë, për të restauruar lavdinë e epokës osmane, si një nga fuqitë më të mëdha botërore islame. Edhe aktualisht ai u është kundërvënë një vargu liderësh evropianë si pasojë e vendimit të tij për të vijuar kërkimet për gas në ujërat e kontestuara përreth Greqisë dhe Qipros, një pjesë e Mesdheut, të cilën Turqia e konsideron si kopshtin e saj të pasëm.

Një ish-komandant i forcave speciale, Tanriverdi është një nga oficerët e grupit të përjashtuar nga ushtria në fund të viteve 1990, pasi ata ndanin me njëri-tjetrin prirjen islamiste të Erdoganit. Bashkë me ish-kolegë të tij, në vitin 2012, ndryshe nga shumë prej ushtarëve të tjerë me pagesë, të cilët punojnë për atë që ofron më shumë, ai ka një ideologji: të përgatitë ushtritë myslimane deri në çastin që ato të mos kenë më nevojë për ndihmën e Perëndimit.

Ose, siç thuhet në faqen e tij të uebit, në të cilin shfaqen video të shkurtra nga stërvitjet e forcave elitar: “Qëllimi i Mbrojtjes “SADAT” është t’i vijë në ndihmë Botës Islame, që ajo të zërë vendin që meriton mes Superfuqive.”

SADAT, pretendon ai, operon si çdo kompani ushtarake moderne private tjetër, duke u ofruar qeverive trainimin e forcave ushtarake dhe në neutralizimin e kryengritjeve. Sidoqoftë, njësoj si Grupi “Wagner”, edhe veprimtaria e saj karakterizohet nga fshehtësia, duke pasur parasysh edhe z. Tanriverdi, i cili refuzon të shprehet publikisht se në cilat vende ka zhvilluar operacione.

Kjo nuk i ka frenuar politikanët e opozitës turke, të cilët janë në një marrëdhënie të tensionuar me Erdoganin, që të zbulojnë dorën e SADAT në të gjitha veprimet e paskrupullta. Përpos akuzave për stërvitjen e luftëtarëve islamistë në Siri dhe në Libi, grupi akuzohet për ndihmën që i ka dhënë në prapaskenë presidentit në mundjen e tentativës për grusht shteti kundër tij në vitin 2016. Siç edhe dyshohet, oficerët e SADAT janë përfshirë në përplasje të dhunshme gjatë natës së përpjekjes për grusht shteti.

Këto dyshime i kanë rrënjët pjesërisht edhe në faktin se jo shumë kohë pas përpjekjes për grusht shteti, Presidenti Erdogan e bëri Tanriverdi-n kryekëshilltarin e tij për çështjet e ushtrisë. Ai dha dorëheqjen në fillim të këtij viti, pas një fjalimi kundërthënës, në të cilin u shpreh se SADAT ishte duke shtruar rrugën për rikthimin e Mehdiut, një figurë mesianike në Islam.

Dy vjet më parë, Merall Akshener, ish-ministre e Punëve të Brendshme e Turqisë, njëherazi edhe politikane e opozitës shekullariste, pati hedhur akuzat se SADAT kishte ngritur kampe stërvitore për milicitë proqeveritare në brigjet e Detit të Zi, fare pranë Turqisë. Puna e tyre, deklaronte ajo, ishte shkaktimi i trazirave nëse ecuria e zgjedhjeve nuk do të ishte në favor të Partisë AKP, e cila drejtohej nga Presidenti Erdogan.

Tanriverdi i ka mohuar këto akuza duke këmbëngulur, për “Telegraph”, se kompania e tij kishte vetëm disa këshilltarë, ndër të cilët asnjëri nuk ka qenë ndonjëherë i përfshirë në përplasje të drejtpërdrejta. Ai pati reaguar duke thënë: “A mendoni ju se një kompani sigurie, e përbërë nga një staf me jo më shumë se dhjetë vetë, mund të luajë ndonjë farë roli në shtypjen e një grushti shteti?”

Madje ai pati shfaqur shenja irritimi teksa u qe pyetur nëse SADAT ishte ushtria private e Presidentit, duke u shprehur se ky nuk ishte veçse një nocion që vetëm një gazetë britanike mund ta merrte seriozisht. “Turqia është një republikë demokratike, kryetari i shtetit i së cilës zgjidhet nëpërmjet votës së popullit” – pati thënë ai. “Përderisa ne nuk kemi as mbret, as mbretëreshë, e nuk ekziston dominimi i një familjeje, apo sundimi i trashëguar, është paksa e vështirë ta kuptosh pyetjen tuaj.”

Profesor Howard Eissenstat, i cili është ekspert i Turqisë pranë Universitetit “St Lawrence” të Nju Jorkut, u shpreh se ndoshta opozita turke e kishte ekzagjeruar me rëndësinë e SADAT, duke u mbështetur kryesisht në vizionin grandioz që ata kanë përdorur për veten në faqen e tyre të uebit.

Megjithatë, në fjalët e tij profesor Eissenstat-i shtonte: “Unë nuk mendoj se ka ndofarë dyshimi tashmë që SADAT ka bashkëpunuar ngushtësisht me qeverinë turke, si në Siri, ashtu edhe në Libi, dhe ata janë tejet eksplicitë për sa i përket idesë së projektimit të fuqisë së Turqisë në botën myslimane. Thjesht ne duhet të jemi të kujdesshëm kur i pandehim ata aq të rëndësishëm sa ç’rreken që ta paraqesin ata veten.”

Ky do të ishte një mendim, të cilin do ta ndante edhe Tanriverdi, i cili shprehet se misioni i tij i vetëm në Libi ka qenë në vitin 2013, kur kompania e tij negocioi për një tender për ndërtimin e një pentatloni për ushtrinë libiane.

“Megjithatë, për shkak të trazirave që zunë fill në Libi, negociatat u pezulluan,” – deklaroi ai. E, megjithatë, ai këmbënguli, që shumë shpejt do të kishte edhe shumë kompani të tjera turke, si e tija, të cilat do të përfshihen në biznesin ushtarak. “Turqia ka nevojë për dhjetëra, madje ndoshta qindra kompani si SADAT,” – shtoi ai. – “Dhe kjo është për sigurinë, prosperitetin dhe mbijetesën e kombeve myslimane.”

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in BOTA
Libani s’gjen qetësi, zjarr i madh në qendrën tregtare të Bejrutit

Pas tragjedisë në Portin e Bejrutit, në Liban, një zjarr i madh ka shpërthyer sot në një qendër tregtare, duke...

Close