X

Kufiri detar me Greqinë, Krisafi: Duhet ndryshuar grupi negociator, çështja të zgjidhet nga një palë e tretë

Qeveria greke, nga pikëpamja formale, juridike, është në të drejtën e saj që të zgjedhoret 12 milje në det.

Kështu është shprehur studiuesi Ksenofon Krisafi, i ftuar mbrëmjen e së hënës në Abc News, për të folur rreth çështjes së kufirit detar me Greqinë fqinje.

Studiuesi Krisafi u shpreh se, ndodhitë e të shkuarës, kanë ndikuar që kjo çështje të jetë me një interes të lartë për shqiptarët, të cilët e ndjekim me shqetësim.

“Përvojat e hidhura e të kaluarës, ndër vite, ndodhi edhe në vitin 2009. Për pakujdesi, papërgjegjshmëri, u lëshua territor. Këtë e thonë specialistë të fushës. Pra u cedua 354.4 km katrorë. Dikush thotë që u shit deti. Nuk e themi dot këtë, Shqipëria në 2009 nuk mori asgjë në këmbim..Për këtë arsye është gjithë ky shqetësim i ligjshëm i njerëzve…,” shprehet Krisafi.

Sa i përket të drejtës së Greqisë për t’u zgjeruar 12 milje në Jon, studiuesi shpjegon:

“Ka një akt juridiko-ndërkombëtar që quhet Konventa e Montego Bay-t, e vitit 1982 për të drejtën e detit. Ajo që në fillim të dispozitave të saj, në nenin 3, ka sanksionuar të drejtën e çdo shteti që laget nga ujërat e deteve dhe oqeaneve që të vendosi gjerësinë e detit territorial. Që fillon nga një deri në 12 milje detare. Jo më shumë se 12 milje detare…”

Megjithatë, profesori thekson se situata duhet vënë në kontekst dhe se vendosja e kufirit detar me Greqinë në këtë rast është delikate.

“Nga pikëpamja formale, juridike, në bazë të atij nentit 3, të Konventës së Montego Bay-t qeveria greke, është në të drejtën e saj për ta bërë një gjë të tillë. Por, kjo duhet parë, në një kontekst të caktuar. Kjo bëhet atje ku përpara shteti ka hapësira të pafundme oqeanike, detare. Nuk ballafaqohet me shtete të tjerë. Nuk i ka as përballë e as në krahë. Në rastin tonë me Greqinë kjo nuk është aq e kollajtë për t’u bërë.”

Krisafi shpjegon më tej se “bregdeti shqiptaro-grek është i aksidentuar, ka të hyra të dala, ka ishuj, ka gadishuj, ka gjire, dhe Konventa ka caktuar disa kritere dhe duhet bërë kujdes.”

Studiuesi, sugjeron se, duke marrë parasysh “brishtësinë” e situatës, dy palët e përfshira duhet të ndërmjetësohen nga një i tretë.

“Unë gjykoj që të dy palët duhet të kenë mençurinë, maturinë, ekuilibrin që të kursejnë atë që është më kryesore. Në kuptimin që të mos sakrifikohen marrëdhëniet shqiptaro-greke. Por, të tregohen të vullnetshëm për ta zgjidhur me drejtësi… Këto çështje do të kërkonin një zgjidhje tjetër, që do ishte më korrekte më autoritare dhe do të shpëtonte fytyrën e të dyja palëve… Do të gjykoja që do ishte mirë që palët ta gjejnë zgjidhjen mes palëve të treta. Një institucioni gjyqësor, apo arbitrazh ndërkombëtar..”

Sipas tij, Ksenofon Krisafit, çështja mund t’i kalojë ose Gjykatës ndërkombëtare të Hagës ose asaj të Hamburgut apo ndonjë arbitrazhi ndërkombëtar.

Po ashtu, studiuesi sugjeroi se grupi negociator që do të shkojë në Greqi duhet të ndryshohet. Të pastrohet nga palët dhe të “pasurohet” me më shumë ekspertë.

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in AKTUALITET, LAJME
Kryemadhi: Basha do jetë kryeministër! Meta si ministër i Brendshëm? Ndoshta…

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, komentoi në Çim Peka LIVE komentoi edhe spekulimet se kush do jetë kandidat për kryeministër...

Close