X

Kontradiktat feministe të Besa Shahinit dhe përse ish ministrja është shembulli më i keq për barazinë gjinore

Besa Shahini është larguar ditën e sotme nga detyra si Ministre e Arsimit, pikërisht në fillimin e vitit shkollor.

Shahini ka përsëritur disa herë në media, madje edhe sot, se arsyeja e largimit të saj nga posti që mbante, lidhet me faktin se nuk mund të qëndrojë larg familjes, që ndodhet në Kosovë.

Por rrëfimi i saj në një emision televiziv dhe arsyeja që Shahini paraqet për largimin, mbartin një kontradiktë thelbësore. Mbrëmjen e sotme, ish ministrja ka folur shumë gjatë për të majtën dhe veçanërisht për feminizmin. Si një feministe mjaft e zellshme, Shahini ka përsëritur disa herë se sistemi patriarkal në Shqipëri, është i rrënjosur thellë dhe se lëvizjet feministe janë tejet të domosdoshme për të ndryshuar këtë realitet. Ajo tha se emërimi i grave në poste drejtuese nuk mjafton për të ndryshuar realitetin e gruas në përgjithësi.

Pra, nga njëra anë Besa Shahini deklarohet një luftëtare e të drejtave të grave dhe një feministe par excellence, ndërsa nga ana tjetër, ajo po i jep lëvizjes feministe në Shqipëri, një goditje të rëndë , duke rrënjosur precedentin, e një gruaje që i duhet të sakrifikojë dhe të largohet nga posti i lartë i ministres, duke braktisur karrierën e saj si politikane e lartë, për hir të familjes, që jeton larg.  Pikërisht këtu, rrëfimi i Shahinit ngre pikëpyetje të mëdha.

Si ka mundësi, që një feministe që flet në gjysmën e intervistës së saj të “lamtumirës”, për sistemin e dëmshëm patriarkal, që duhet shembur, na dëshmon me veprimin e saj, se në shoqërinë shqiptare, gruaja është ajo që duhet të sakrifikojë çdo gjë për familjen, madje edhe postin si ministre?  Fjala vjen, përse nuk është e mundur që këtë sakrificë sublime, ta bëjë bashkëshorti i ish ministres, i cili në Kosovë nuk mban një detyrë kaq të lartë sa ajo?

Nëse është e vërtetë që Besa Shahini, është larguar vetë nga posti i ministres dhe jo me një vendim apo urdhër të Edi Ramës,   atëherë ajo është shembulli më i keq i mundshëm për lëvizjen feministe në vendin tonë. Thirrjet e saj të përsëritura në emisionin e Eni Vasilit,  për shembjen e patriarkalizmit, ngjajnë patetike, po ti shtosh faktin se Shahini sakrifikoi karrierën politike, për hir të largësisë nga familja.

Pra, Besa Shahini ose është një feministe hipokrite e tipit “bëj si them unë dhe jo si bëj unë”, ose nuk ka qenë aspak e sinqertë për arsyet e largimit të saj nga detyra. Se cila nga këto të dyja është e vërteta, me sa duket nuk do ta marrim vesh kurrë.

/TPZ.al/

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in KRYESORE, LAJME, NË FOKUS
Kufiri detar me Greqinë, Krisafi: Duhet ndryshuar grupi negociator, çështja të zgjidhet nga një palë e tretë

Qeveria greke, nga pikëpamja formale, juridike, është në të drejtën e saj që të zgjedhoret 12 milje në det. Kështu...

Close