X

Përse e ngacmuat kot atë punën e Turit zonja ministre?


Nga Mentor Kikia

Ministrja e Arsimit ia hapi edhe njëherë kapakun historisë së Turit të “famshëm” të provimit të maturës së këtij viti. Ajo, në një replikë me Monika Kryemadhin, shkruajti se përgjigjen e saktë të Turit e kanë gjetur 12 mijë maturantë, që do të thotë se pyetja ishte e drejtë dhe se maturantët ishin të përgatitur.

Zonjë!

Le ta themi troç. Pyetja e Turit ishte idjotësi. Sepse specialistët e asaj ministrie, prej kohësh, lodhen shumë të bëjnë pyetje me Turëra në të gjitha lëndët. Pyetje që nuk kanë për qëllim të kontrollojnë njohuritë e nxënësve, por synojnë të shpikin kleçka që ti kapin “mat” ata.

Megjithatë Turi është e keqja më e vogël e atij institucioni. Më e madhja është se asnjë qeveri nuk e ka konsideruar prioritet këtë fushë. Arsimi është parë si një aneks, dhe këtë e tregon edhe fakti që ai institucion ju besua edhe juve, pa njohuri dhe pa eksperiencë në këtë fushë.

Të jemi pak të qartë: Shkollë nuk është ndërtesa zonja ministre. Dhe një shkollë e mirë nuk është një godinë e mirë, me çati të re dhe me mure ngjyra-ngjyra. Shkollë është ajo që bëhet brenda kësaj ndërtese. Unë, psh, shkollën 8-vjeçare e kam bërë në një ndërtesë ku në dimër vinim kovën në mes të klasës të mblidhin shiun që pikonte nga tavani. Ngroheshim me një sobë dhe drutë i mblidhnim vetë. Por ama në këtë klasë bëhej mësim.

Sot ndërtesat e shkollave janë vërtet shumë të mira, por ajo që bëhet brenda sikur nuk lë shumë vend për të qenë krenar.
Me shkollën këtu janë tallur zonjë, që ta dini. Mësuesit janë përdorur si turmë për të mbushur mitingjet partia në pushtet.
Pastaj kur ndërronin qeveritë, fillonte heqja nga puna, duke nisur nga drejtori deri tek roja i shkollës dhe mesuesit e shkretë vraponin të ndërron parti.
Pa folur për Turin e maturës, metodologjia e të cilit ndërronte sa herë ndërrohen qeveritë.

Sepse çdo qeveri ka Turin e vet!

E keni venë re që ne shpesh qeshim me formimin e brezit të ri? Por ata janë viktimat zonjë, dhe në jemi autorët. Sepse nuk ndërtuam një shkollë më të mirë për ta. Ne nuk i mësuam se rruga drejt suksesit kalon nga puna, por ata vetë mësuan se kjo rrugë kalon nga forumi rinor i partisë. Ne nuk i mësuam se modeli i tyre duhet të jetë ai që mëson e punon, por ata vetë mësuan se modeli është djali i zyrtarit të lartë që fshin djersët me Euro në pub.
Shkollat duhet të jenë vatra të dijes dhe edukimit, qytetar dhe patriotik. Por askush nuk ka dashur deri tani ti bëjë të tilla. Çdo qeveri, prioritet ka patur rrugët apo sheshet e qyteteve(shkul pllaka e shtro pllaka), sepse aty ka tendera, e dihet çfarë sjellin tenderat.

Rrugët duhen, por ne kemi harruar se e ardhmja e kombit nuk ecën mbi asfalt, por mbi dije.

Ju nuk keni asnjë mëkat për këtë gjendje, Ju thjeshtë bëtë atë që kishin bërë të gjithë, shtuat një tullë në një mur të shtrembërt. Fati juaj i keq është se do të mbaheni mend si ministrja e “Turit”, ndaj mirë është ta harroni këtë histori, meqë do të largoheni edhe nga Shqipëria.

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in BLOG
Shqipëria nuk mund të jetë, as ‘baba’ dhe as ‘njerka’ e Kosovës!

Nga Artan Fuga/ Kush kërkon të dijë se përse anash tavolinës të Presidentit të ShBA marrëveshja nuk përfundoi me një...

Close