X

Përse perëndimi dominoi kaq gjatë? Avantazhin e solli diversiteti kulturor, politik dhe fetar


Nga Arne Westad

Për pjesën më të madhe të kohës që nga fillimet e qytetërimit njerëzor, Azia ka qenë në krye, ekonomikisht dhe teknologjikisht. Momenti ekzakt kur filloi ngritja e Evropës dhe degët e saj kulturore debatohet shumë. Disa i shohin rrënjët e saj në antikitet (shumë e diskutueshme) ose në Rilindje (më e besueshme, por ka dyshime – një krahasim midis Kinës së dinastisë Ming dhe Britanisë së Tudorëve, nuk është domosdoshmërisht në avantazhin e kësaj të fundit). Ka më shumë të ngjarë që mbizotërimi perëndimor të ketë filluar me revolucionin industrial, dhe mund të përfundojë me revolucionin e informacionit.

Nëse pranohet kjo linjë kohore, ngritja e Evropës u bazua në aksesin në burime (veçanërisht energji) dhe teknologjitë. Avantazhi i hershëm ishte në një farë mase prej fatit – fakti që qymyri mund të gjendej afër sipërfaqes në pjesë të Evropës nuk ka shumë të bëjë me evropianët – por zhvillimi i teknologjisë nuk ishte i tillë. Eshtë mjaft e mundshme që një sistem shtetesh konkurrues mes tyre dhe dobësimi i dominimit fetar, të kenë qenë faktorë në krijimin e hapësirës për inovacione dhe tregje. Shtytjet nga teknologjitë ushtarake dhe organizatat gjithashtu çuan më përpara kërkimin dhe zhvillimin e shtetit. Kjo formë e modernitetit u gjet vetëm në Evropë (ose, më mirë, në pjesë të saj), dhe ndihmon shumë për të shpjeguar mbizotërimin evropian, që nga shekulli i 18-të.

Koncepti i ‘perëndimit’, megjithatë, është problematik. Ka më shumë kuptim të flasësh për ‘shoqëritë e Atlantikut të Veriut’. Zonat e mëdha të Evropës nuk ishin veçanërisht të përparuara, të paktën krahasuar me pjesë të Azisë ose Amerikës Latine, deri në mes të shekullit të 20-të. Në të kundërt, disa pjesë të Azisë kishin tregje dhe infrastrukturë që konkurronin mjaft mirë me ato të evropianëve, deri të paktën në vitin 1900 (dhe, në rastin e Japonisë, shumë kohë pas kësaj).

Nëse “perëndimi” nënkupton Evropën dhe degët e saj në Amerikat dhe Oqeaninë, ai ka qenë gjithmonë i larmishëm nga pikëpamja kulturore, fetare dhe – më e rëndësishmja – politikisht. Bashkimi Sovjetik ishte në këtë kuptim pjesë e perëndimit, megjithëse shumë jo-evropianë ishin më të shpejtë në përshtatjen me globalizimin e udhëhequr nga SHBA, sesa rusët edhe sot e kësaj dite.

  • Arne Westad është Profesor i Historisë dhe Çështjeve Globale në Universitetin Yale, si edhe ekspert në historinë bashkëkohore ndërkombëtare dhe rajonin e Azisë Lindore

BBC –Perktheu: Bota.al

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in BLOG
Shërimi i domosdoshëm i SHBA

Nga DW "Pikat e dobëta strukturore" - kjo tingëllon si një frazë e thatë, ndaj kërkohet t'i jepet një pamje...

Close