X

Mini-Shengeni, si rrota e Minush Jeros


Nga Genc Pollo

Dikur nga vitet shtatëdh jetë thuhet se regjisori Minush Jero përdori një rrotë të stërmadhe traktori si truk për të gozhduar aty vëmendjen e censorëve të realizmit socialist, në mënyrë që ata të mos vërenin devijimet e pjesës teatrale nga dogma artistike e kohës. Në fund të ditës, Jero pranoi ta hiqte rrotën nga skena, pjesa teatrale nuk pësoi tjetër gërshërë dhe Jero, censorët e publiku i teatrit mbetën të kënaqur.

Varrosja e copëtimit të Kosovës si fitore e madhe, por e heshtur.

Nuk jam krejt i sigurt se krahasimi i rrotës së traktorit me Mini-Shengenin Ballkanik është i duhur e i përshtatshëm, por insistimi i z. Rama për të përdorur marrëveshjen e Shtëpisë së Bardhë KosovëSerbi për t’u vetëshpallur sërish edhe patriot, edhe vizionar, të kujton hilera e marifete që bëjnë njerëzit për të hequr sikletin.

Për sa i përket rolit të z. Rama në këto çështje, do të thosha se marrëveshja spikat me “elefantin që mungon” ose me copëtimin territorial të Kosovës, i cili vite më parë, fatkeqësisht, u mbështet nga aventurizmi i zonjës Federica Mogherini, asokohe përfaqësuese e lartë për politikën e jashtme dhe zv.presidente e Komisionit Europian, si dhe nga ideologjizmi i ambasadorit John Bolton, asokohe këshilltar për Sigurinë Kombëtare të Presidentit të SHBA-së. E për të mos ia lënë gjithmonë fajin në derë tjetrit apo të huajit, siç bëhet shpesh në viset tona, duhet të rithemi se ata nuk e shpikën vetë këtë propozim. Propozuesit ishin Presidenti i Serbisë, homologu i tij në Prishtinë, me mbështetjen e angazhimin superaktiv të Kryeministrit të Tiranës.

Kjo ide, e cila do të gjymtonte funksionimin e Kosovës si shtet e si ekonomi dhe që do të destabilizonte Ballkanin e më gjerë, fillimisht u bllokua në Europë nga liderë seriozë e të përgjegjshëm dhe me marrëveshjen e javës së shkuar mund të quhet e varrosur nga administrata Trump.

Përmendja e pavend e Mini-Shengenit nga Rama e të ngjashëm për të spostuar vëmendjen, por edhe debati legjitim për atë që u arrit apo edhe nuk u arrit në Uashington, nuk lipset të na fshijë nga kujtesa që një fatkeqësi nga dora e njeriut në postin e gabuar u evitua; përkundrazi, duhet të gjejmë se si të evitohet përsëritja në të ardhmen.

Për Mini-Shengenin në grahmat e fundit, nëse është akoma gjallë Kryeministri Hoti deklaroi pas nënshkrimit të marrëveshjes se ai e kishte pranuar përfshirjen e Kosovës në Mini-Shengen, pasi kjo iu kërkua nga ndërmjetësit amerikanë. Dhe krejt e arsyeshme që këta të fundit, mbasi i imponuan Presidentit serb të pranonte me shkrim reduktimin e vartesisë energjetike nga Rusia, refuzimin e teknologjisë kineze në rrjetet 5G e të tjera si këto, nuk mund t’i refuzonin një karamele pa kosto, madje edhe pa domethënie si Mini-Shengeni, një projekt personal i z. Vuçiç.

Por në vetvete Mini-Shengeni është pa domethënie, pasi katër liritë e BE-së në Ballkanin Perëndimor mund të realizohen plotësisht vetëm pas anëtarësimit në BE. Për realizimin gradual të tyre e nxitjen e tregut rajonal ekzistojnë mekanizma e institucione rajonale, ku shtetet e Ballkanit janë anëtare. Kështu p.sh., janë CEFTA me sekretariat në Bruksel e Këshilli Rajonal i Bashkëpunimit me seli në Sarajevë, të cilat kanë përkrahjen e plotë të Bashkimit Europian e të Amerikës.

Ishin këto institucione që gjatë pandemisë, në koordinim me Komisionin Europian, arritën të realizojnë “korridoret e gjelbra” në Ballkan për të shpëtuar tregtinë rajonale nga asfiksia e kufijve të mbyllur. Për Mini-Shengenin nuk u kujtua kush.

Mini-Shengeni është një nismë, e cila sot e kësaj dite nuk ka një dokument themelues apo program të shkruar; është iniciuar nga shteti i vetëm në Ballkan që ka marrëveshje me bllokun tregtar e organizatën e sigurisë të udhëhequr nga Rusia dhe në rastin më pozitiv, i shërben vetëm egomanisë së udhëheqësit të ditës e partnerëve të tij rreth e rrotull.

Fakti që samiti i Mini-Shengenit, i njoftuar që do të mbahej në Beograd në janar, (dy muaj para shpalljes së pandemisë) u anulua e u la në heshtje, mund të jetë fare mirë një shenjë se edhe kjo nismë mund të jetë rrugës drejt Varrezës së Projekteve të Padobishme.

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in BLOG, LAJME
Dalin emrat e autorëve të grabitjes me dhunë të 91-vjeçarit në Sarandë

Të tjera detaje janë zbuluar në lidhje me grupin e grabitësve në zonën e bashkisë Finiq në Sarandë. Në pranga...

Close