X

Prishja e marëveshjes/ A ka nisur thyerja e Ramës me ndërkombëtarët (deklaratat)

Edi Rama ka vendosur të mos fshihet më pas Myslym Murrizit dhe ti kundërvihet ballaz ndërkombëtarëve që i kanë kërkuar respektimin e marrëveshjes për reformën zgjedhore. Babëzia për të fituar se s’bën diçka në tavolinë, e ka detyruar atë të ndryshojë version, nga arritja e një pakti me opozitën parlamentare, në realizimin e një aspirate popullore për listat e hapura. Në fakt, halli real i kryeministrit është ndalimi i koalicioneve zgjedhore përmes të cilave PD -LSI fitojnë numër më të madh deputetësh sesa duke garuar ndaras.

Dhe për të arritur këtë ai ka vendosur ti shkojë ndesh të gjithë rekomandimeve diplomatike të aleatëve të qeverisë shqiptare.

“Ne kemi vendosur të mbështesim si PS një hapje të listave dhe t’i japim mundësi çdo zgjedhësi të shprehë preferencën e tij. Është një vendim, i cili reflekton bindjen tanimë se hapja e listave përkon me dëshirën e një mase shumë të madhe të qytetarëve shqiptarë, që shkon përtej një shumice apo pakice qeverisëse” deklaroi sot kryeministri.

Ai pohoi se është i ndërgjegjshëm s ndërkombëtarët i kanë kërkuar të mos e hedhë një hap të tillë: “E di shumë mirë që ka një sëkëlldi, po ashtu ka edhe një përpjekje që kjo gjë të tregohet sikur është një shkelje e marrëveshjes së 5 qershorit, por fakti është se marrëveshjen e 5 qershorit e kemi realizuar me vullnetin më të mirë, duke shkelur edhe mbi veten për hir të vërtetës…”.

Një ditë më parë ambasadorja amerikane Kim deklaroi se “5 qershori duhet të kalojë siç është. Nuk mund të hapet përsëri. Nuk mund ta bësh sepse do të ishte shkelje e shumë besimi të vënë. Dhe mendoj që nëse jep fjalën, si politikan, si diplomat, nëse nuk e mban fjalën, nuk ke asgjë. Ndaj pritshmëria ime është që udhëheqësit këtu do të bëjnë pikërisht atë që më thanë se do të bënin, që është miratimi i 5 qershorit”.

Njëkohësisht me të edhe OSBE foli për pamundësinë e ndryshimeve in ekstremis një vit para zgjedhjeve. Asaj sot iu bashkua edhe komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varheley, bëri të qartë se Komisioni Europian nuk mbështet nismat për ndryshimin e sistemit zgjedhor disa muaj para zgjedhjeve.

“Reforma të tjera që lidhen me sistemin zgjedhor, jashtë rekomandimeve të OSBE/ODIHR duhet të miratohen jo më pak se një vit para zgjedhjeve dhe për to nevoijten konsultimet e duhura, siç rekomandon OSBE” shkroi ai në një qendrim në Twitter.

Këtyre deklaratave të forta kryeministri i është përgjigjur me justifikime qesharake se ai nuk do e prekë marrëveshjen e 5 qershorit, por do i shtojë asaj disa bishta duke ndryshuar kushtetutën për të bërë një sistem tjetër zgjedhor.

Pikërisht këtu ai gënjen. Sepse një nga 15 kushtet e BE është që rregullat e lojës për zgjedhje të jenë konsensuale. Edhe vetë marrëveshja e nënshkruar në këshillin politik i përjashton ndryshimet e njëanëshme. E këtu Rama bëhet qesharak kur përdor argumentin se më lejohet të prek kushtetutën (duke futur listat e hapura), por nuk më lejohet të prek kodin zgjedhor.

Pra shkurt ai po bën krejtësisht të kundërtën e asaj që po i kërkojnë në rrugë diplomatike edhe duke sakrifikuar negociatat edhe duke nëpërkëmbur reputacionin personal të Yuri Kim që u angazhua personalisht për marëveshjenedhe duke iu kundërvënë OSBE ODHIR, vetëm për ti dhënë një shanc mbajtjes së pushtetit.

Në këtë kuptim kjo është përplasja e parë serioze e Ramës me ndërkombëtarët, që i ka pasur për 7 vite me vete.

Ende është shpejt të thuhet se sa e thellë do jetë plaga e kësaj ndeshjeje. Po një gjë është e sigurtë, fërkimet edhe me të vetmin faktor të rëndësishëm me të cilin kishte ruajtur ende paqen (pas zënies me opozitën, mediat, shtypin ndërkombëtar, shoqërinë civike, presidentin dhe gjykatat) tani kanë filluar. /Lapsi.al/

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in AKTUALITET, LAJME
Tentoi të korruptonte policin për të përfituar marrjen e pasaportës, fieraku e pëson keq

Një 58-vjeçar ka rënë në prāngat e policisë, pasi tentoi që të korruptonte me para një efektiv. Ngjarja në fjalë...

Close