X

Vangjel Tavo thirrje qeverisë: Mbroni shëndetin publik, mbroni vendin! Tani dhe menjëherë!

Ish-deputeti i LSI-së, Vangjel Tavo përmes një deklarate për mediat komentoi situatën e pandemisë Covid 19. Sipas tij, më shumë se sa menaxhim i situatës pati propagandë të dalë boje, ndërkohë që virusi shpërtheu kryesisht nëpër spitale, të cilat u bënë vatra kryesore e përhapjes së virusit.

Tavo i bën thirrje qeverisë të lërë propagandën dhe të mbrojë jetën e shqiptarëve.

Deklarata

Në momentin që u shfaq pandemia, qeveria shqiptare dhe kryeministri në vend të një strategjie solide e të qartë zgjodhën që gjithçka ti lihej spontanitetit, improvizimeve dhe protagonizmit mediatik, dhe përdorimit të vazhdueshëm politik.

E gjitha një e trajtuar si një show dhe komedi ndërkohë që tashmë është shndërruar në një dramë të cilën po e vuajnë shqiptarët dhe vendi.

Propaganda se qeveria po e përballon më së miri dhe se Shqipëria ka arritur sukses të jashtëzakonshëm është e rremë. Dhe këtë e dinë më mirë se kushdo stafi mjekësor që prej muajsh punon në frontin e parë pa mjetet e duhura mbrojtëse, por edhe shqiptarët dhe mospërputhja e shifrave të të infektuarve të shpallura nga qeveria.

Sot, në dalje nga pandemia, rastet e deklaruara janë shumë herë më të larta se sa në pikun e saj. Në pikun e saj më 2 prill, kemi pasur 27 dhe kemi arritur të kemi deri në 90 raste.

Qeveria refuzoi të bënte testim të gjerë ndërkohë që OBSh apelonte për sa më shumë testime.

Refuzuan të aktivizonin mjekun e familjes.

Refuzuan te vinin në përdorim e të blinin në masë mjetet mbrojtëse.

Së pari për personelin mjekësor por edhe për qytetarët në tërësi.

Dhe për shkak të këtij menaxhimi të keq e të papërgjegjshëm, lajmet që na vinë nga personeli mjekësor janë njëri më i dhimbshëm se tjetri.

QSUT-ja është kthyer në një vatër infektimi ndërkohë që kjo s’duhet të ndodhte kurrë pasi është një instrument dhe një front pune i cili duhet të ishte në gatishmëri e ku mjekët dhe infermierët e saj të ishin të mbrojtur edhe për veten e tyre, por edhe për të kryer detyrat e rëndësishme që ata kanë lidhur me pandeminë.

Ka raste edhe në spitalin e traumës. Kjo është alarmante. Personeli mjekësor u la dhe vazhdon të mbetet pa mbrojtje.

Qytetarët e thjeshtë që në fillimin e kësaj beteje u sollën në mënyrën më të përgjegjshme të mundshme. Duruan madje edhe kufizime ekstreme të panevojshme. Toleruan akte normative anti-kushtetuese të nxjerra nga qeveria apo urdhra nga facebook-u i kryeministrit.
Por në mungesë të plotë transparence dhe profesionalizmi qeveria ka lejuar shtimin e rrezikshmërisë ndaj qytetarëve shëndetit publik.

Dhjetëra sugjerime u janë dërguar këtij kryeministri, me të gjitha mënyrat e mundshme, me të gjitha mundësitë e komunikimit, nga këto foltore, nga mundësi të tjera komunikimi, pa u lodhur, dhjetëra propozime dhe sugjerime konstruktive profesionale në emër të ndërgjegjes shoqërore, në emër të profesioneve, të gjitha të refuzuara.
E gjithë situata është menaxhuar politikisht dhe jo profesionalisht. Specialistët u lanë në hije ndërsa propagandistët me papërgjegjshmëri venë në rrezik jetën e qytetarëve.

Në këtë situatë alarmante i apeloj Ministrisë së Shëndetësisë të organizojë në gjendje gatishmërie jo vetëm stafin mjekësor aktiv por edhe ata mjekë dhe infermierë në pension e madje edhe studentët e viteve të fundit të mjekësisë, të dëgjojë rekomandimet e specialistëve, të ndërtojë bashkë me ta një stretegji solide në përputhje me direktivat e OBSh, të shtojë numrin e testimeve, pasi mungesa e transparencës dhe neglizhenca në mos bërjen e testeve rrezikon jetën e qytetarëve, dhe të sigurojë të gjitha pajisjet mbrojtëse për bluzat e bardha, të cilët kanë qenë e do mbeten gjithmonë heronjtë e heshtur të këtij vendi.

Lëreni propagandën e konsumuar e dalë boje dhe politikat me regji por mbroni jetën e shqiptarëve.

Mbroni shëndetin publik. Mbroni vendin. Tani dhe menjëherë.

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in AKTUALITET, LAJME
Tragjedia në Tiranë, jehonë në mediat greke: Familja vetësakrifikohet për “ringjalljen”

Ngjarja tragjike e Kombinatit që mund të cilësohet përtej imagjinatës njerëzore dhe e padëgjuar në asnjë vend të botës më...

Close